Paradoksi i proamerikanizmit të Edi Ramës
Përplasja e ambasadës amerikane me opozitën ka projektuar sërish dy palë në një konflikt qesharak ku paradoksalisht e majta shfaqet proamerikane dhe e djathta “armike” e saj. Deklaratat e Sali Berishës për shndërrimin e ambasadorit amerikan në interpret të Edi Ramës dhe komentet e Lulzim Bashës se Donald Lu nuk mund t’i tregojë detyrat opozitës kanë çuar ujë në konformizmin e kryeministrit për të vazhduar me rolin e proamerikanit.
Kreu i qeverisë foli nga parlamenti për këtë konflikt, duke e vendosur veten në anën e duhur të historisë, duke qenë se ka marrë atributet e mbrojtjes së interesave amerikane në Shqipëri. “Vetëm një referendum do ishte sot i sinqertë por të propozohej nga PD, ai për të ndërprerë procesin e integrimit në BE dhe për të përzënë ambasadën amerikane nga Shqipëria, por sigurisht që kjo është diçka që zemra mund t’ua dojë, por gjunjët nuk ua mbajnë”-tha kryeministri në parlament.
Në fakt as njëra dhe as tjetra palë nuk i kanë gjunjët të dalin kundër Shteteve të Bashkuara, me diferencën se konçesionet e dhëna nga kryeministri socialist për strehimin e muxhahedinëve apo të tjera premtime janë një arsye më shumë që Edi Rama të shfaqet komod me kostumin e proamerikanizmit dhe kredot politike që vijnë prej saj.
Add new comment