Ligji i ri për mbetjet: Hapësira që mbetjet e importuara të digjen në Shqipëri
Një problem ndër kryesorët në botën e zhvilluar, madje në të gjithë planetin, është menaxhimi i mbetjeve. E thënë në mënyrë popullore, çdo vend i botës racional mendon si e si të ketë sa më pak mbetje e si t’i “heqë qafe” ato. Një nga mënyrat për të “hequr qafe” mbetjet e padëshirueshme është duke i djegur ato. Por procesi i djegies shkakton ndotje dhe të gjithë duan që ky proces të kryhet “sa më larg”.
Kryeministri Edi Rama është shprehur publikisht se mbetjet e importuara nuk do të digjen në Shqipëri. Por kjo deklaratë e kryeministrit Rama a gjen jehonë në legjislative? Hapësira në ligjin nr 10 463, date 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar mund ta bëjnë të mundur djegien e mbetjeve të importuara në pretekstin e rikuperimit të energjisë: pra mbetjet e importuara të përdoren si lëndë karburanti për të prodhuar energji. Dhe që të ndodhë kjo detyrimisht ato duhet të digjen.
Ndryshimet ligjore të qeverisë së majtë
Duhet theksuar se ndryshimet ligjore që miratoi së fundit mazhoranca për ligjin e mbetjeve, që lejon importin e mbetjeve është i ndryshëm nga ai që u miratua në kohën e administratës “Berisha”. Pika e parë e fortë e argumentit , të cilët shprehen se nuk do të digjen mbetje të importuara në Shqipëri, është shfuqizimi i pikë 3, të nenit 22 e ligjit nr 10 463, date 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i ndryshuar. Pika e dytë është ndërhyrja në nenit 48, të ligjit për mbetjet, të cilit shtohet pika 3: “Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje, asgjësimi ose incenerimi në Republikën e Shqipërisë”. Por ndërkaq nëse e marrim ligjin në tërësi, jo vetëm duke u përqendruar tek ndryshime e sapomiratuara së fundmi, mund të vëmë re se mund të ketë hapësira interpretimi për lejimin e djegies në Shqipëri të mbetjeve të importuara.
Terminologjia
Në një ligj çdo fjalë merr një kuptim juridik të veçantë. Në ndryshimet e sapomiratura thuhet: “mbetjet nuk duhet të importohen për qëllime ruajtje, asgjësimi dhe incinerimi”.
Në ligjin aktual përkufizimi i asgjësimit është çdo operacion që nuk është rikuperim edhe kur operacioni ka si pasojë dytësore rikuperimin e substancave ose të energjisë. Ndërkaq për fjlaën “incinerim” nuk ka një përkufizim se çfarë do të thotë kjo fjalë nga ana juridike. Nga ana etimologjike, kësaj fjale mund t’i gjëjmë prejardhjen nga latinishtja “in ceneris” që do të thotë “të bësh diçk hi” ose “të shkrumbosh”.
Ndërkaq nëse do të shohim pikën 2 ,të nenit 54 , ligjit nr 10 463, date 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i ndryshuar, kemi fjalën “bashkëincinerim” dhe konceptin e rikuperimit të energjisë.
Pika 2 , e nenit 54 , ligjit nr 10 463, date 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” thotë: “Leja e mjedisit për incinerimin ose bashkincinerimin e mbetjeve, që shoqërohet me rikuperim energjie, përmban kushtin që rikuperimi i energjisë të kryhet me eficencë të lartë të energjisë”.
Nga ana tjetër, po sipas ligjit të mbetje, të shumëcituar më sipër kemi shpjegime për “impiant bashkincinerimi” dhe “impiant incinerimi”! Një nga përkufizimet ligjore të impiantit të bashkincinerimii është çdo impiant i palëvizshëm ose i lëvizshëm, qëllimi kryesor i të cilit është krijimi i energjisë ose prodhimi i produkteve materiale dhe që i përdor mbetjet si lëndë djegëse, bazë ose shtesë. Në këtë rast kemi atë që në ligj përkufizohet si rikuperim i energjisë. Kjo dispozitë ligjore ngre çështjen nëse ka hapësirë ligjore që mbetjet e importuara të përdoren si lëndë nga të cilat “rikuperohet” apo “nxirret” energji?
Rikuperim vs riciklim
Sipas ligji procesi i riciklimit është rikuperim, por që nuk përfhsin rikuperimin e energjisë, pra nxjerrjen e energjisë nga ky proces. Por sipas ndryshimeve të sapo miratuara, në pikën 1, të nenit 48/1 (i shtuar ne seancën parlamentare të 22 shtatorit 2016) thuhet: “Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji”. Ndërkaq lind pyetja nëse mbetjet e importuara do të zëvendësojnë lëndën që nevojitet për të prodhuar energji me anë, të procesit të rikuperimit. Ky procesi i rikuperimit të energjisë nga mbetjet e importuara nuk duket se ka një klauzolë që e ndalon...
Pjesë nga ligji për mbetjet si edhe ndryshimet e sapomiratura për këtë ligj nga ku është bazuar argumenti
Akt/ Ligj Nr. 92/2016 Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 10 463, date 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar (miratuar më 22 shtator 2016)
Neni 22
Rrjeti i integruar i impianteve të trajtimit të mbetjeve
1. Rrjeti i integruar i impianteve për rikuperimin dhe asgjësimin e mbetjeve të përziera bashkiake nga sektori urban, si dhe të mbetjeve të ngjashme, që grumbullohen nga prodhues të tjerë, krijohet mbi bazën e teknikave më të mira të disponueshme.
2. Rrjeti i referuar në pikën 1 të këtij neni mundëson që, për të siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe të shëndetit të njeriut, mbetjet të rikuperohen apo të asgjësohen në një nga impiantet e përshtatshme më të afërta, me teknologjitë dhe metodat më të përshtatshme.
(shfuqizuar) 3. Këshilli i Ministrave ndalon importin e mbetjeve, që destinohet për incinerim, kur ky operacion klasifikohet si rikuperim dhe vlerësohet se:
a) një gjë e tillë është e nevojshme për të mbrojtur rrjetin e impianteve të trajtimit të mbetjeve;
b) importe të tilla mundësojnë trajtimin ose asgjësimin e mbetjeve të vendit me mënyra që nuk përputhen me planet përkatëse të menaxhimit të integruar të mbetjeve.
4. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, miraton masat e nevojshme për zbatimin e këtij neni.
Neni 48
Ndalimi i importeve dhe kalimeve transit të mbetjeve
(i ndryshuar) 1. Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.
2. Ndalohet në të gjitha rastet kalimi transit ndërkufitar i mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.
(i shtuar) 3. Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme, për qëllim ruajtjeje, asgjësimi ose incenerimi në Republikën e Shqipërisë.
(I shtuar) Neni 48/1
Importi i mbetjeve jo të rrezikshme
1. Në Republikën e Shqipërisë importohen vetëm mbetjet e ngurta jo të rrezikshme, të listës së gjelbër, si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat dhe kërkesat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues, të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria, përveç atyre të përcaktuara në pikën 3, të nenit 48, të këtij ligji.
9. Kërkuesi i autorizimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme duhet të provojë se janë shfrytëzuar të gjitha mbetjet, sipas llojit dhe kodit.
Në fuqi/ Ligji, nr. 10463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i ndryshuar
Neni 3
3. “Asgjësim” është çdo operacion që nuk është rikuperim edhe kur operacioni ka si pasojë dytësore rikuperimin e substancave ose të energjisë. Lista e operacioneve të asgjësimit përcaktohet në shtojcën 1 bashkëlidhur këtij ligji.
13. “Impiant bashkincinerimi” është çdo impiant i palëvizshëm ose i lëvizshëm, qëllimi kryesor i të cilit është krijimi i energjisë ose prodhimi i produkteve materiale dhe:
a) që i përdor mbetjet si lëndë djegëse, bazë ose shtesë;
b) në të cilin mbetjet i nënshtrohen trajtimit termik, me qëllim asgjësimin e tyre. Në rast se bashkincinerimi kryhet në atë mënyrë që qëllimi kryesor i impiantit nuk është krijimi i energjisë apo prodhimi i produkteve materiale, por trajtimi termik i mbetjeve, impianti do të konsiderohet si një impiant incinerimi. Ky përkufizim mbulon vendndodhjen e impiantit dhe të gjithë impiantin, përfshirë të gjitha linjat e bashkincinerimit, vendin e pranimit të mbetjeve, të magazinimit, impiantet e paratrajtimit në vend, sistemet e furnizimit me lënde djegëse dhe ajër, bojlerët, impiantet për trajtimin e gazrave të shkarkimit, impiantet për trajtimin ose magazinimin në vend të tepricave të mbetjeve dhe ujërave të përdorura, pajisjet e oxhaqeve dhe sistemet e kontrollit të operacioneve të incinerimit, të regjistrimit dhe të monitorimit të kushteve të incinerimit.
14. “Impiant incinerimi” është çdo pajisje dhe njësi teknike, e palëvizshme ose e lëvizshme, që përdoret për trajtimin termik të mbetjeve, që e rikuperon ose jo nxehtësinë që krijohet nga djegia. Këtu përfshihet incinerimi i mbetjeve me oksidim, si dhe procese të tjera të trajtimit termik, si piroliza, gazifikimi ose proceset e plazmës, pas të cilave substancat, që përftohen nga trajtimi, incinerohen. Ky përkufizim mbulon vendndodhjen dhe të gjithë impiantin e incinerimit, përfshirë të gjitha linjat e incinerimit, vendin e pranimit të mbetjeve, të magazinimit, impiantet e paratrajtimit në vend, sistemet e furnizimit me mbetje, lëndë djegëse dhe ajër, bojlerët, impiantet për trajtimin e gazrave të shkarkimit, impiantet për trajtimin ose magazinimin në vend të tepricave të mbetjeve dhe ujërave të përdorura, pajisjet e oxhaqeve dhe sistemet e kontrollit të operacioneve të incinerimit, të regjistrimit dhe të monitorimit të kushteve të incinerimit.
20. “Mbetje e ngurtë” është një lëndë, një objekt ose pjesë e tij, të cilat nuk përdoren më ose që zotëruesi do t’i hedhë. Lëndët, objektet ose pjesët e tyre vlerësohen si mbetje, për sa kohë që materialet e nxjerra prej tyre ose energjia e prodhuar nuk përfshihen në procesin e prodhimit.
31. “Mbetje” është çdo substancë ose objekt, të cilin mbajtësi e hedh, ka ndër mend ta hedhë ose i kërkohet që ta hedhë.
39. “Rikuperim” është çdo operacion, rezultati kryesor i të cilit është që:
a) mbetjet të shërbejnë për një qëllim të dobishëm, duke zëvendësuar materiale të tjera, që do të përdoreshin në rast të kundërt për të përmbushur një funksion të caktuar;
b) mbetjet të përgatiten për të përmbushur një funksion të caktuar në një impiant apo më gjerë. Në shtojcën 2, bashkëlidhur këtij ligji, jepet një listë joshterruese e operacioneve të rikuperimit.
40. “Riciklim” është çdo operacion rikuperimi, me anë të të cilit materialet e mbetjeve ripërpunohen për t’u shndërruar në produkte, materiale apo substanca, për t’u përdorur, si për qëllimin fillestar, ashtu edhe për qëllime të tjera. Riciklimi përfshin ripërpunimin e materialeve organike, por nuk përfshin rikuperimin e energjisë dhe ripërpunimin që u bëhet mbetjeve për t”i shndërruar në materiale që përdoren si lëndë djegëse apo si lëndë mbushëse.
Neni 54
Kushtet e tjera që duhen përfshirë në lejen e mjedisit
1. Pavarësisht nga kërkesat e ligjit nr. 10 448, datë 14.7.2011 “Për lejet e mjedisit” dhe nga kërkesat e akteve nënligjore të miratuara në bazë të këtij ligji, leja e mjedisit e referuar në nenin 53 të këtij ligji, përmban, gjithashtu, kushte të tjera që duhen plotësuar, ku përcaktohen:
a) llojet dhe sasitë e mbetjeve që trajtohen;
b) operacionet që përfshihen në leje, kërkesat teknike dhe kërkesat që lidhen me territorin në fjalë;
c) masat e sigurisë dhe masat parandaluese që duhen marrë; ç) metoda që duhet përdorur për secilin operacion;
d) operacionet e monitorimit dhe të kontrollit që nevojiten;
dh) dispozitat për mbylljen dhe kujdesin e mëtejshëm, sipas nevojës.
2. Leja e mjedisit për incinerimin ose bashkincinerimin e mbetjeve, që shoqërohet me rikuperim energjie, përmban kushtin që rikuperimi i energjisë të kryhet me efiçencë të lartë të energjisë.
3. Aktet, që hartohen në zbatim të këtij ligji, përfshijnë edhe kushte të tjera në lejen e mjedisit, lidhur me rrymat specifike të mbetjeve apo metodat specifike të trajtimit të tyre.
SHTOJCA 1
OPERACIONET E ASGJËSIMIT
D1 Depozitimi nën dhe ose mbi dhe (p.sh. në lendfill etj.).
D2 Trajtimi në tokë (p.sh. biodegradimi i shkarkimeve të lëngshme ose llumrave në tokë etj.).
D3 Injektimi në thellësi (p.sh. injektimi i shkarkimeve me pompim në puse, kripore apo në vende që nga vetë natyra e tyre janë të përshtatshme për depozitim mbetjesh etj.).
D4 Mbulimi sipërfaqësor, përfshirë vendosjen e mbetjeve të lëngshme ose llumrave në gropa, pellgje ujore apo laguna etj.
D5 Lendfillet me projekte inxhinierike të posaçme (p.sh. vendosja në qeliza të veçanta, të renditura njëra pas tjetrës, të cilat mbulohen dhe izolohen nga njëra- tjetra dhe nga mjedisi etj.).
D6 Shkarkimi në një trup ujor, me përjashtim të deteve/oqeaneve.
D7 Shkarkimi në dete/oqeane, përfshirë futjen/depozitimin në shtratin e detit.
D8 Trajtimi biologjik që nuk specifikohet në ndonjë pjesë tjetër të kësaj Shtojce, që rezulton me përbërje ose përzierje përfundimtare, të cilat shkarkohen me anë të cilitdo nga operacionet e renditura nga D1 deri në D12.
D9 Trajtimi fizio-kimik që nuk specifikohet në ndonjë pjesë tjetër të kësaj Shtojce, që rezulton me përbërje ose përzierje përfundimtare, të cilat shkarkohen me anë të cilitdo nga operacionet e renditura nga D1 deri në D12 (p.sh.avullimi, tharja, kalcifikimi etj.).
D10 Incinerimi mbi tokë.
D11 Incinerimi në det.
D12 Ruajtja/magazinimi i përhershëm (p.sh. vendosja e konteinerëve në një minierë etj.). D13 Përzierja ose bashkimi para se t’i nënshtrohen cilitdo prej operacioneve të renditura nga D1 deri në D12.
D14 Riambalazhimi para se t’i nënshtrohet cilitdo prej operacioneve të renditura nga D1 deri në D13.
D15 Ruajtja/magazinimi në pritje të cilitdo prej operacioneve të renditura nga D1 deri në D14 (me përjashtim te ruajtjes paraprake në pritje të grumbullimit, në vendin ku mbetjet janë krijuar).
SHTOJCA 2
OPERACIONET E RIKUPERIMIT
R1 Përdorimi kryesisht si lëndë djegëse ose mënyra të tjera për prodhimin e energjisë. Kjo përfshin impiantet e incinerimit, që përdoren për përpunimin e mbetjeve të ngurta bashkiake vetëm kur efiçenca e energjisë është e barabartë me ose më e madhe se:
- 0,60 për instalimet që janë operative dhe kanë marrë një leje mjedisi, në përputhje me legjislacionin përkatës përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji;
- 0,65 për instalimet që kanë marrë një leje mjedisi, në përputhje me legjislacionin përkatës pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Duke përdorur formulën e mëposhtme:
Efiçenca e energjisë = (Ep -( Ef + Ei)) / (0,97 x (Eë + Ef))
Ku:
Ep - është energjia vjetore e prodhuar si nxehtësi ose elektricitet. Është llogaritur me energji në trajtë elektriciteti shumëzuar me 2,6 dhe nxehtësi e prodhuar për përdorim tregtar e shumëzuar me 1,1 (GJ/vit).
Ef - është inputi vjetor i energjisë në sistem nga lëndët djegëse që kontribuojnë në prodhimin e avullit (GJ/vit).
Eë - është energjia vjetore që përmbahet në mbetjet e trajtuara të llogaritura, duke përdorur vlerën kalorifike neto të mbetjeve (GJ/vit).
Ei - është energjia vjetore e importuar duke përjashtuar Eë dhe Ef (GJ/vit).
0,97 - është një faktor që merr parasysh humbjet e energjisë për shkak të hirave fundorë dhe rrezatimit.
R2 Rikuperimi/rikrijimi i solventëve/tretësve.
R3 Riciklimi/përtëritja e substancave organike që nuk janë përdorur si solventë/tretës (përfshirë përzierje plehrash dhe të tjera procese te transformimit biologjik). Ky përfshin gazifikimin dhe pirolizën, që i përdorin këto përbërës si kimikate.
R4 Riciklimi/ripërtëritja e metaleve dhe komponimeve të tyre.
R5 Riciklimi/ ripërtëritja e materialeve të tjera inorganike. Ky përfshin pastrimin e tokës, që rezulton me rikuperimin e dheut dhe riciklimin e materialeve inorganikë të ndërtimit.
R6 Ripërtëritja e acideve ose bazave.
R7 Rikuperimi i përbërësve të përdorur për luftimin e ndotjes.
R8 Rikuperimi i komponentëve të katalizatorëve.
R9 Rirafinimi i naftës ose ripërdorime të tjera të saj.
R10 Trajtimi i tokës që rezulton në të mirë të bujqësisë ose të përmirësimit ekologjik.
R11 Përdorimi i mbetjeve të përftuara nga cilido nga operacionet e renditura nga R1 deri në R10.
Add new comment