“Deutsche Bank” nën goditje të fortë. Gjoba amerikane prej 14 mld$ jep efektet e para. FMN: Rreziku më i madh për sistemin financiar
Dukej si një gjigand që nuk do të mund të lëkundej, por në botën e financës nuk ka konstante. Mediat europiane janë hapur sot me lajmin e keq të goditjes në bursë të Deutsche Bank, e cila ndodhet në një krizë besimi të investitorëve ardhur si pasojë e vendimeve që kanë origjinë në SHBa. Autoritetet amerikane kanë vendosur një gjobë prej 14 miliardë dollarësh pasi konstatuan shkelje me garancitë hipotekore. QË nga ky moment, i cili ka vetëm një muaj, banka është përballur me probleme. “Reuters” raporton se CEO i DB-së, John Cryan ka raportuar se largimi i disa investitorëve ka ardhur pikërisht si pasojë e spekulimeve të pabazuara, por edhe si pasojë e “disa forcave të caktuara” që duan ta dobësojën atë.
Banka e ka kundërshtuar gjobën dhe po përpiqet që ajo të mos bëhet efektive, por problemi është real pasi nëse ajo vuloset si akt final, do të kërkohen para të tjera nga aksionerët. Dhe ky nuk është një lajm i mirë në një treg që reagon menjëherë. Qeveria gjermane ka hedhur poshtë zërat se ajo po ndihmon Deutsche Bank të dalë nga situata, ndërkohë që për CEO-n, Cryan gjërat duhen parë në perspektivë. Megjithë gjobën e vënë, ai ka nxituar të kujtojë se:
“DB ka më shumë se 20 milionë klientë dhe rezerva që arrijnë në 215 miliardë euro”.
“Ne jemi dhe mbetemi një Deutsche Bank e fortë”, shtoi ai.
Banka punëson 100 mijë njerëz dhe kjo letër e fundit e Cryan u adresohet pikërisht atyre. “Reuters” nënvizon pasojat e goditjes eventuale të DB-së e cila ndonëse shumë më e vogël sesa gjigandët e Wall Street, “JPMorgan” dhe “Citigroup”, ka peshë për shkak të lidhjeve të shumta tregëtare. Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar DB-në dhe potencialin e rënies së saj si rrezikun më të madh për sistemin financiar sesa ai i çdo banke tjetër.
http://www.reuters.com/article/us-germany-deutsche-bank-ceo-idUSKCN1200XW
Add new comment