Qeveria në fushatë për të mbrojtur "zullumin" e mbetjeve, Rama monolog me shoqatën e ricikluesve në sallën e hartave
Në një përpjkeje për të bindur opinionin publik se Ligji për Importin e mbetjeve ka mbrapa një vullnet pozitiv të qeverisë për të ndihmuar biznesin e riciklimit qeveria ka nisur një fushatë mediatike për të sqaruar predispozitën e saj dhe përfitimet qe vendi do të ketë nga ky ligj.
Dy ditë më parë ishte ministri i Mjedisit, Lefter Koka që vizitoi një fabrikë riciklimi, dje ishte ministri i Financave, Arben Ahmetaj që i dha garanci publikut se importi i mbetjeve nuk cënon interesin publik, ndërsa sot kryeministri që sajoi një takim me shoqatën e ricikluesve në sallën e hartave. Sipas Ramës, ka një diferencë mes ligjit të propozuar nga qeveria “Berisha” dhe ligjit të miratuar të enjten e kaluar me 63 vota.
“Ishte një ligj që krijonte hapësirë për import plehrash për djegie apo groposje në Shqipëri. Ai ligj lejonte licencimin e çdo subjekti kërkues për import mbetjesh. Ligji aplikohej në një kontekst të paqëndrueshëm. Ligji i ri ka vetëm një ndryshim në raport me industrinë e riciklimit. Ligji i ri u njeh të drejtën të gjithë subjekteve ricikluese të blejnë mbetje të blerta dhe t’i importojnë ato.
Ky është thelbi, të gjitha të tjerat janë spekulime dhe përpjekje për të instrumentalizuar një emocion të kuptueshëm në lidhje me këtë temë”, tha ai.
Sipas Ramës, miratimi i këtij ligji e vendos Shqipërinë në listën e vendeve që i njohin industrisë vendase ricikluese të drejtën për të importuar lëndën e parë.
Add new comment