“Rruga e Mëndafshit”/Kina, faktor i ri gjeopolitik në Europë

Postuar në 06 Shtator, 2016 15:20

Revista e njohur gjermane “Der Spiegel” i kushton një shkrim të gjatë projektit kinez të “Rrugës së Mëndafshit”. Duke nisur me të dhënat fillestare për të dhe me vlerësimin e gjeopolitikës që ajo krijon, shkrimi përfundon me një shqetësim konstant të gjermanëve për këtë dalje të re të Kinës në Europë: “Është faji ynë që Europa nuk flet me një zë”, citohet në mbyllje të shkrimit kancelarja gjermane Angela Merkel.

Gjermania ka disa arsye të shqetësohet nisur nga fakti se siç vërehet në shkrim, projekti kinez ka gjetur mbështetj dhe interesim të madh në Europën Lindore, aty ku këmbëhen ndikimet ruse me ato perëndimore. Lituania, Polonia, Çekia dhe deri Kroacia kanë aktualisht bashkëpunime të ngushta me kinezët, të cilët kanë ditur të ecin me këmbëngulje në realizimin e strategjisë së tyre.

Po ku konsiston projekti?

Ai konsiderohet nga presidenti kinez, Xi Jinping, si “Rilindja e një legjende” dhe pikënisja gjeografike e tij është Kashgar, rajon ujgur, aty ku edhe rruga e vjetër zuri fill që në shekullin I p.e.s.. Vetëm nga investimet e deritanishme she interesi i Pekinit, ekonomia në këtë rajon rritet me 9% në vit.

Në vija të përgjithshme ai ndjek itinerarin e vjetër deri në Europë, për të kaluar në disa stacione tradicionalë si Kazakistani, Kirgizia dhe Irani e Turqia.

“Pekini ka bërë gati 40 miliardë dollarë për projektin i cili konsiston në rrugë të reja, hekurudha, gazsjellësa dhe porte nga Lituani në Bririn e Afrikës, nga Sri Lanka në Izrael dhe Pakistani dhe Irani. Dy linja hekurudhore çojnë në Gjermani, njëra nga Zhengzhou në Hamburg dhe tjetra nga Chongqing në Duisburg”, shkruan “Der Spiegel”.
Kina ka themeluar Bankën Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë e cila ka në përbërje të vet edhe vende si Franca, Gjermania, Britani e Madhe. Por jo ShBA-të që janë rivali kryesor i Kinës edhe në drejtimin gjeopolitik.

Shifrat janë të mëdha, përpjekja pritet të jetë gjigande, por kur vjen puna tek organizimi dhe këmbëngulja, Kina ka treguar se ka burime dhe nerva mjaftueshëm. E së fundi po dëshmohet në gjendje edhe të sigurojë burime financiare masive.

Interes këtu ka vëzhgimi mbi gjeopolitikën e projektit, pasi ajo përbën një premisë për çdo lloj eventualiteti. Në shkrim vëzhgohet një dilemë e Rusisë për atë që mund të rezultojë nga Rruga e Mëndafshit; ndërkohë që për ekonominë ruse paratë kinezë dhe investimet në rajonet fqinje janë të mirëpritura, një Kinë “me shumë vetëbesim nuk është një zhvillim i mirëpritur”.

I pakexueshëm është qëndrimi i Kazakistanit, kryeqyteti i të cilit Alma Ata është pikë tradicionale e rrugës. Kirigizia është një vend që e mirëpret projektin edhe pse “Kirgizia është në vend që e ka mirë me të gjithë”.
Dy entuziastë të projektit janë Irani dhe Turqia, ndërkohë që befasia më e madhe vjen nga Bjellorusia.

“10 mijë punëtorë emigrantë kinezë kanë mbërritur në vend”, shkruan revista, duke shtuar se një linjë ajrore direkte është vendosur tashmë. Jinping u prit në vizitën e fundit në aeroport nga Lukashenko me bukë dhe kripë. Të gjitha këto pavarësisht se Bjellorusia aderon në një bashkim me Rusinë, ekonomik dhe ushtarak.

Duket se rruga është e hapur për këtë projekt gjigand dhe nëse i referohemi shkrimit nuk ka për momentin një fuqi rajonale që të mos ketë interes në të. Edhe pse askush nuk di të thotë se çfarë pasoje sjell ai. Fakti që Europa Lindore e mirëpret ndërkohë që pjesa perëndimore e sheh me dyshim, flet për një ndasi të re në kontinent që i mbivendoset asaj vijës që Gellner e gjente te ndarja “Lindje – Perëndim” që përcaktoi Lufta e Ftohtë. Është ende herët për të folur por ky dualitet shërben për të kuptuar diferencën në interesa dhe një qasje që e minon në nivel strategjik projektin europian si të tërë. Jo më kot fjalët e Merkelit, që drejton një vend si Gjermania, e vetmja ekonomi e madhe europiane që parashikohet të mbetet në vitin 2050, mbyllin shkrimin e “Der Spiegel”.

http://www.spiegel.de/international/world/china-is-building-new-silk-roa...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.