Kangët e Pakëndume të Migjenit në Jalë
Meqë ditët e nxehta të fundgushtit u sosën e na lanë shëndenë, bashkë me to edhe superlajmet qesharake në çdo gazetë, televizion a radio për realizimin e planit Jalor me 107% nga të rinjtë, lind nevoja e një elektroshoku kombëtar për ringjalljen (jo rilindjen) e të mbyturëve të Jalës. Ju do thoni, nuk u mbyt askush në Jalë, të paktën në Kampet Kooperativiste të FRESH voice dhe LRI nuk pati asnjë incident të tillë, madje statistikat e partisë tregojnë ulje të numrit të të mbyturëve për periudhën qershor - gusht 2016 krahasuar me statistikat e qeverisë “Berisha” në po atë periudhë, si rezultat i masave të marra nga qeveria. Në fakt nuk flas këtu për këtë kategori të mbyturish, që përveç Krijuesit, nuk i ringjall dot as hoxhë e as prift, e jo më ti ringjallë një elektroshok kombëtar. E kam fjalën për atë kategori të mbyturish që janë unik në llojin e vetë, dhe të pagjendshëm në asnjë vënd tjetër të botës, përveçse në Shqipëri. Ata janë të mbytur që marrin frymë, hanë, pinë, dëfrejnë, këndojnë e qajnë, por që kanë një të metë të varfrit, nuk flasin dot. A e dini se kush lutet, rëfehet, bie në sexhde, e kujdeset në detaj që kjo kategori të mbyturish të shtohet dita ditës në këtë vend, nga Jala në Devoll e nga Vermoshi në Konispol ?
A e dini së kush organizon Jalë por pa fjalë ? A e dini se kush ju dhuron thesin e miellit, thesin qe ju i paguani interesat në 4 vite sikur të ishte thes me kokain, a e dini se kush vjedh, plaçkit, grabit, dhunon e përdhunon i qetë pash më pash publiken, pronën e të drejtën tënde? Ti e din shumë mirë i nderuar zotni, zonjë e zonjush veç se ke një problem, nuk flet dot.
Rinia tipike Jalore, do të cilësohej nga MIGJENI, nëse do jetonte sigurisht, në ditët tona një “frymëzim i pafat”, një frymëzim shterp, i vobekt, i gënjeshtërt dhe i pavizion. Një frymëzim i pashpresë për të ardhmen, për të drejtën, për të vërtetën, e mbi të gjitha ritualisht do ta pagëzonte me ateizmin e tij këtë lloj rinie me emrin “frymëzim i pafryme për ç’kycjen e gojve të mbytura”.
Ndaj pyeteni veten, pse keni zgjedhur të jeni frymëzimi më i pafat për gjithë Shqipërinë? Pse keni zgjedhur që fatin tuaj ta zgjedh dikush tjetër? Pse keni zgjedhur të dëfreheni në tingujt e disa pseudo-këngëtarve skandaloz pak për fajin tuaj, e shumë për fajin e një ministrie më skandaloze se pseudo-kengëtarët, që s’di të mbështesë, promovoj dhe sjell artin dhe kulturën tek rinia, artistët dhe turistët. Pyeteni veten, pse keni zgjedhur të nënshtroheni si skllever ndaj njerëzve më të pamoral e më të paaftë të këtij vendi? Pyeteni veten zotni, zonjë, zonjushë, pse keni zgjedhur të jeni mburoja e së keqes e jo e së mirës? Pyeteni, se mbase i mbyturi fillon të flasë.
Ne Shqiptarët jemi në zemër të Europës o “akademikët e Jalës”, atëhere si ka mundësi që s’përngjajmë fare, por ama fare fare me Europianet në asnjë drejtim. A nuk ju duket çudi përse jemi kaq të pangjashëm, kaq të pafatë? A nuk ju vrasin këpucët inteligjencën, kur dëgjoni deklarata politikanësh me brek të shkurtra mes jush për lulëzimin e ekonomisë shqiptare, rritjen e eksporteve, rritjen e pensioneve, rritjen e mirëqënies, rritjen e sigurisë, uljen e korrupsionit etj ? A nuk ju vjen për të vjell, kur dëgjoni për sukseset e Ministrisë së Bujqësisë se si rritet domatja e viçi me hormone, sesi importojmë mjellin Serb të viteve 70’ për bukë, sesi rendimenti i prodhimit në fermë as që i afrohet kohës së bujqësisë komuniste. A nuk keni frikë se po u helmuat shkoni në spital, doktori ka gjasa të jap ndonjë pjesë të turpit tuaj me konçension për të mbuluar shpenzimet e operacionit? Kjo ndodh, nëse keni fat e nuk vdisni si hero në trafik ose si gladiator në rrugët gropART të Ministrisë së Transporteve. A nuk keni frikë të shkoni e studioni në Universitetet shqiptare, kur vetë ministrja e arsimit ka frikë ta çoj vajzën e vetë. A nuk keni frikë të ecni të qetë në rrugët e qytetit, kur idhujt që adhuroni shkojnë më eksortë rrugëve të qytetit. Ju’a them unë, keni frikë, por keni një problem akoma më të madh se frika, nuk flisni dot.
Ka edhe nga ata që flasin e ju i njihni mirë, ata janë “Kampistët e Jalës” që e mbajnë vetën për aktivist të zjarrtë e parimor, e si të tillë shoqëria duhet ti vlerësoj meritat e tyre, duke i kërkuar Presidentit të Republikës, ti dekoroj me urdhrin e nderit për aktivizmin gjigandesk në duartrokitje, për postimet copy-paste në facebook, për gatishmërinë vetëmohuese për të marr pjesë në misionin e rrezikshëm Jalor, të financuar nga Banka “Xhepat e Shqiptarëve”, bankë që as për vitin e ri, nuk mund t’i dhuroj Shukriut një palë brekë të reja, ti dekorojë për mundin dhe djersën që derdhin lartë e poshtë nëpër mitingje dhe protesta, që shkojnë vetëm kur i ndjell partia, për sakrificën e nënës parti të çdo provimi të marr në universitet, dhe çdo vënd pune të siguruar, e për shumë e shumë gjëra të tjera.
E pra kjo është #riniaqëduam, rinia aktive jalore që thurr vargje, kërcen e këndon për perënditë e kohëve moderne, këndon fuqishëm çdo rresht për perënditë tamaqare në ditët e mjerimit, këndon çdo kangë përveç Kangët e Pakëdume të Migjenit. Kangë të cilat nuk kanë zë ti këndojnë aktivistët e kalibrit Jalor, meken nga paaftësia dhe frika e aktivizmit rinor që ndizet në zyrat e partisë e shuhet në bregun e Jalës. Ndaj aktivistët Jalor nuk kanë zë të këndojnë e protestojnë për 17 –vjeçarin që la ëndrrat përgjysëm në landfillin e Sharrës, nuk kanë zë të këndojnë e protestojnë kur u shkelen të drejtat, kur vidhet Banka Qendrore, kur vidhet CEZ, kur nuk mbahen premtimet, kur qeveritarët bëjnë korrupsion, kur jepen konçesione të dyshimta, kur kërkohet para dhe seks për t’u vënë në punë, kur shkatërrohen pasuritë kombëtare, kur fëmijët lypin para insitucioneve të shenjta, kur asistenca sociale nuk mbulon dot as faturën e dritave, kur qindra shqiptar vet-ksportohen nga uria, kur në parlament hyjnë dhe dalin kriminel, kur veprat publike skadojn para afatit, kur fondet publike shpërdorohen, kur pagat dhe pensionet janë më të ultat në Europë, kur shërbimi ndaj qytetarëve mungon, kur policia mbron kriminelin e jo qytetarin, kur miku dhe leku vrasin meritokracinë, kur arsimi dhe shëndetësia kthehen në biznes, kur ligji nuk ndëshkon të pushtetshmit. Atëherë pse heshtni ju o rinia aktive Jalore, ku jeni ? Dilni në lajme edhe për këso gjërash se mbase filloni t’i kuptoni paksa Kangët e Pakëndume të Migjenit. E pasi t’i keni kuptuar këndoni papushim këto kang të pakëndume krah për krah me çdo të ri, derisa perënditë e rreme të dridhen, rrëzohen, e bythzbuluar të thyejn qafën në ndonjë skëterrë.
Add new comment