Kompanitë e sigurimeve nuk do të ulin tarifat për makinat. AMF lan duart me fasadën e tregut të liberalizuar
Kompanitë e sigurimeve nuk pranojnë të ulin tarifën ndonëse Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kërkoi anullimin e rritjes prej 30%.
“Kadri Morina, pronar i dy prej kompanive në këtë treg, thotë se çmimet nuk do të ulen. Ai shpjegon se risku që mbajnë mbi vete kompanitë është shumë më i madh në vlerë. Kërkesën e AMF-së për të rikthyer tarifat e mëparshme, ai e sheh si një orientim, por jo detyrim, për sa kohë që tregu është i liberalizuar”, raporton Vizion Plus.
Më tej ai shton se duhet ende një vit kohë për të vënë në funksionim sistemin Bonus Malus që aplikon tarifa mbi kriteret e vjetërsisë dhe të numrit të aksidenteve.
Është e çuditshme deklarata e Morinës se tregu është i liberalizuar, kur rritja e tarifës është bërë në mënyrë të koordinuar nga të gjitha kompanitë. Ky është edhe çelësi i këtij tregu oligopol, i cili funksionon me marrëveshje. Dhe pas fasadës së reagimit të AMF-së, vjen edhe ajo që luhet:
“AMF nuk i është përgjigjur kërkesës së Vizion Plus për masat që do të marrë mbi firmat që nuk kanë zbatuar vendimin e saj”, raporton VP.
Add new comment