Migjeni dhe Umberto Eco
Më 1935-ën, 81 vjet më parë, shkrimtari shqiptar Migjeni shkroi një skicë eseistike të quajtur “Programi i një reviste”. Ishte hera e parë që në historinë e letrave shqipe trajtohej një motiv i tillë i modernitetit që lidhet me lirinë reale ose konvencionale të shtypit dhe të mediave.
Ky motiv sot është tepër këlthitës dhe aktual. Në skicën migjeniane janë disa intelektualë (pa emër), të cilët duan të bëjnë një revistë. Por duan që revista të jetë kinse e pavarur nga politika.
Mënyra se si është shkruar kjo skicë të kujton një parabolë ironike.
Ndër të tjera, ja ç’thuhet në të:
“- Politikë – jo!
– Jo! Jemi dakord. Se politika s’ka një themel të shëndoshë, s’ka ligj, s’ka rregulla, s’ka kllef. Madje, s’ka as moral – ia shtoi një redaktor moralist, tue i shikue kolegët përmbi syza.
Ky redaktor, asaj dite për drekë, në vend të bukës, pahiri, futi në gojë një cep të librit “Morali fetar” dhe, kur pa se nuk shkon, e pështyni. Mirëpo zotnia kishte te shtëpia fëmijtë; e fëmijtë, si thotë pedagogia modern, janë majmuna, prandej, kur e panë t’anë tue pshtye, ia nisën dhe ata fuj-fuj-fuj!
– Politika është një kameleon, i cili – dihet – simbas vendit ku gjendet, merr dhe ngjyrën. Të mendojmë se kameleoni gjendet mbi një shkrep dhe, natyrisht, merr ngjyrën e shkrepit. Të dëftojnë me gisht dhe ti mezi dallon nga shkrepi. Lëshohe turravrap me e xanë, por kthehe me trofej në ballë, si me pasë qenë në Luftën e Trojës. Balli yt asht bamë dhe një herë ma i madh në të përpjekun me shkrepin. Se kameleonin tash e ke, tash s’e ke. Të iku.
– Qe një definicion i politikës, po qe se mund të ketë politika definicion, – tha një tjetër redaktor.
– Politika s’hyn në program të revistës sonë!
– Jo! Jo! Përsëritnë të gjithë redaktorët, tu e pasë ende të freskët kujtimin e atij që donte me e xanë kameleonin. – Asht e rrezikshme politika, – i përsëritshin shoqi-shojt tue ia pohue me krye.
– Mos harroni, zotni, se revista jonë do të jetë ideale!
– Bravo! Ideale!
– Do të ketë për qëllim arsimin dhe mbrojthen e atyne që nuk kanë mbrojtje! Do t’u fyejë në sy atyne që u kanë hye lecka.
– Ashtu…
– Do të zgjojë komtarizëm!
– Sidomos! Se ndërgjegja komtare flen, flen, e flen, duhet një katërdhetedysh…
– Psss! – e shutitnë folsin e pagdhendun, i cili ishte postaxhia e revistës.
Në fund të fundit, u përpilue program për një revistë ideale.
Dy pllakat të mbinatyrshme u ngjitën nëpër shtylla të qytetit, e disa prej tyne ua mbyllnë dritoret shtëpiave përdhecke dhe njerzët përmbrenda mbetën në terr…
Në një rrugë, kah përditë kalojshin katër mica, tre njerëz dhe ndoj gjel me pulë, n’at rrugë një viç u ndalue përpara pllakatës së kuqe e brinat i mbërtheu në shtyllë. Si shifet, ishte farefis me torot e Spanjës.
– Luftë! Luftë! – bërtisnin njerzit tue u mbledhë para një pllakate në rrugë kryesore. (Nga shkaku i Luftës Italo-Abisine, popullin e kish rrmbye psihoza luftarake). Mezi u gjet një gjysmë njeriu, gjysmë zotni që ta këndojë me za: Revistë ideale! – Uf, me halle, – ia priti një grue bubikofe dhe vazhdoi rrugën me hap ushtarak.
Mbasi populli nuk dinte të lexojë, revista ngeli pa u shitë.
E për botimin e numrit të dytë, nuk kishte të holla.
– Të kërkojmë subvencion! – vendosën redaktorët”.
Teksti i mësipërm nuk ka nevojë për koment.
* * *
Gjatë një vizite në Paris ku isha ftuar për një veprimtari për librat e mi, ndalova edhe në aeroportin e Romës. Befas te këndi ku shiteshin librat në aeroport pashë dhe romanin më të ri të Umberto Eco-s “Numero zero”.
Ditë më vonë lexova me kërshëri këtë roman.
M’u duk i çuditshëm dhe më kujtoi subjektin e Migjenit. Natyrisht që nuk ka asnjë lidhje midis Migjenit dhe Eco-s.
Migjeni nuk e ka njohur Eco-n, as Eco Migjenin. Por habitërisht, në romanin e Eco-s trajtimi kryesor subjektor lidhet me çështjen e lirisë së mediave.
Personazhi kryesor i librit merret me debate për lirinë ose jolirinë e mediave. Në këtë rrafsh debati shtjellohet në formën e një projekti. Disa duan të krijojnë një gazetë krejtësisht të pavarur të quajtur “Domani” – “Nesër”. Të gjitha përsiatjet janë shpesh apokaliptike dhe kriticizmi politik është më i ashpër se kurrë te ky roman i Eco-s sesa në librat e tij të tjerë. Natyrisht që “Domani” – “Nesër” vetëm u perceptua si ëndërr utopike dhe madhështore, por nuk u sendërtua dot asnjëherë.
Kritiku i njohur italian Gianmaria Tammaro, te “Repubblica”, 2 shkurt 2015, shkroi mbi romanin e Eco-s: E bëri! Umberto Eco i mori në lojë të gjithë, pa asnjë dallim; e ka bërë me finesë duke maskuar lojën, talljen në një roman dhe ngacmon me një tjetër moral!
Ai i sjell të gjitha ambiciet e tij nën emrin ‘Numri zero’.
Libri i tij i ri së shumti nuk ka lidhje me veprat e tij të mëparshme, veç një gjëje: është ai që e shkroi!
Është e njëjta ironi galopante, i njëjti kujdes, edhe për gjërat që peshojnë shumë pak, detalet, e njëjta dashuri për ambientet, që e bën të gjithëpranishëm, por dhe turbullues. Por nuk flitet për një roman historik si i stilit të “Emri i trëndafilit” e as “Varrezat e Pragës”. Është një pantomimë e gjatë, shumë e gjatë: si një gazetë funksionon e si (disa) gazetarë arsyetojnë.
Jemi në 1992-shin, midis skandaleve të Duarve të Pastra dhe tragjizmit të mafias. Protagonistët tanë, pak heronj e më shumë njerëz, janë gazetarët; një botues anonim, pronar hotelesh, televizionesh lokale dhe i disa revistave (ju kujtohet ndonjëri?), vendos të shtypë ‘këmbët’ e të fuqishmëve të salloneve duke vënë nën redaktim një gazetë ‘Nesër’, një të përditshme ku njerëzit, ato që do të lexojnë do jenë e mundshmja që zhvillohet në lajmet dhe jo me kronikat e përditshme.
Emrat, këtu s’kushtojnë asgjë. Është gazetari i cili kurrë nuk është lëkundur, është gazetari që është ekspert komplotesh, është gazetari që acaron punët dhe në fund është ai që në gjithë jetën e tij ka bërë shkrimtarin-fantazmë.
Tamam mbi këto figura ndalon Eco dhe kjo është dhe historia, ajo që e lejon Eco-n të veprojë fuqiplotë mbi të, mbi historinë e Italisë, duke shkuar deri në pasluftën e Dytë Botërore e duke ndërtuar një version alternativ të ngjarjeve me Musolinin që nuk ka vdekur, por që ka mbijetuar dhe ka shkuar në Argjentinë.
Flitet për Piaga Borghese si tentativë ekstreme për të rimarrë fuqinë; për Gladion organizator paraushtarak i financuar nga CIA e që është asi nën mëngë i aleatëve nëse do të fitonin komunistët në Itali.
Faktet konfondohen me llafet. Supersticioziteti i një budallallëku bëhet zëdhënës, zëri tregues, mbajtësi i një historie që ka veprime dramatike dhe spiunazh. (Ka vrasje, arratisje, zhvillime të papritura në një libër që është si një ditar, si një rrëfyes.)
Në fund Eco e përmbledh gjithçka dhe dënon ashpër ata që bëjnë gazetarinë; një mënyrë që, do apo nuk do, reziston dhe ka një të ardhme. Ata të makinës së hedhjes së baltës, të historive të krijuara ad hoc, të fakteve të pavërtetuara, të burimeve të pafaktuara dhe shkrimeve që janë shkruar një herë më parë. (Ka një pasazh që akuzon banalizmin e kopjimit në të cilin Eco ripërdor një paragraf të tërë të Wikipedia-s.)
Flitet për Licio Gelli, mjeshtrin e merituar të Loggia P2, dhe për referimet kundrejt disa shkronjëtarëve të përditshëm që përplasen në internet dhe ngatërrojnë tonet dhe kundërtonet. Kjo është më se evidente. Të vësh në lojë kur je brenda vetë lojës.
Por është një gjë tjetër që Eco vë në funksionim: përdor vitet ’90 si metaforë perfekte për kohën që po jetojmë. Janë simptoma të pamohueshme të një sëmundjeje shumë të rëndë, asaj që i jep vlerësimin “të mirë” dhe për një “normale” asaj që nuk është.
Anormaliteti, ilegaliteti, rreziqet, komplotet, bombat që shpërthejnë nga sulmi i kuq kur në realitet ishte komanduar nga të zinjtë, një politikë fluturake e që gjithmonë ka heshtur.
Gazetat, nga ato që do të gënjenin, duke marrë rolin e hetuesit, po dështojnë. Tërhiqen në hije duke preferuar të ulin kokën para dorës së pronarit. (Shih “Të gjithë ata të Presidentit”, historia sensacionale, e vërtetë, e Washington Post dhe Watergate.)
Vetëm 200 faqe; pak janë për standardin e profesorit për të dhënë një leksion para lexuesit. Për të nxjerrë lajme pak të verifikuara, për të qëndruar i ngulitur për atë çka lexon.
Gazetaria, sigurisht, ka ndryshuar ndër kohëra. Në librin e Eco-s ndihet akoma aroma e letrës së shtypur; por dhe përkujdesi për atë që duhet të mos ndryshojë. Që është interneti apo tipografia e një të përditshmeje të trashë. “Nesër”, gazeta që protagonistët tanë kërkojnë të bëjnë, nuk do të shkojë kurrë në shtyp. Trembur nga frika, nga iniciativa, sindroma e të parit, nga komplotizmi që në fund merr fluturim të plotë. Kush ka thënë të vërtetën, dhe ai që krijoi historinë e Gladios që historizon kthimin paradoksal të Musolinit, gjendet i vdekur. Nuk dihet përse dhe si. Drejtori i “Nesër” mbërthehet nga frika dhe mbyll gjithçka; ai që tregon histori, shkrimtari-fantazmë të cilit i është dhënë detyra për të shkruar një libër për t’i bërë jehonë atij që i dha punën, trembet dhe zhduket me një redaktore tjetër. Jeton duke vrojtuar derisa nuk e kupton ironinë e hollë të ngjarjeve dhe e kthen Italinë si një vend të Botës së Tretë, por që gjithçka ia pohon vetëm vetes (tragjizmin, tratativat midis fuqive të mëdha dhe fuqive të errëta, mafia dhe masoneria). Përfundimisht i lodhur. Eco insiston, e bën pa nxitim, dhe në fund vendos: Kujt i tremben akoma në Itali?
Nuk ka shumë muaj që Umberto Eco ka vdekur. Sidoqoftë, rrëfimtaria e tij për një organ shtypi të lirë që u ëndërrua të botohej, por nuk u botua kurrë, por mbeti vetëm në numrin zero si dhe parabola migjeniane, kanë një aktualitet ulëritës.
Gazetat lindin dhe vdesin me të njëjtën lehtësi që hapen dhe mbyllen sytë në një mëngjes. Jetëgjatësia e tyre varet nga numri i kopjeve të shitura, nga mirëqenia, pozicioni elegant i botuesit, por edhe atyre të fuqishmëve.
Historia, faktet? Këto mund t’i marrësh në Wikipedia, ku gjithçka grumbullohet, por që në fund të fundit, të paktën nuk janë edhe aq keq. Po liria konvencionale është një parodi e sigurt dhe ngjethëse.
Gazeta Shqiptare
Add new comment