Lajmi shumë i dyshimtë i shitjes së Ujësjellësit të Tiranës
Sot “Top-Channel” raportoi një lajm që duket si pa rëndësi. Ujësjellësi i Tiranës do të privatizohet. Madje televizioni në fjalë ka komunikuar me burime në Bashkinë e Tiranës, të cilat konfirmojnë ofertat e mbërritura. Emrat e kompanive që kanë prezantuar ofertën nuk bëhen publike dhe që këtu nis ai rituali i përhershëm i abuzimit me pasurinë publike.
Pse xhanëm u dashkan mbajtur sekret ofertuesit për blerjen e një kompanie në të cilën ka pjesëmarrje shteti dhe privati? Ujësjëllësi nuk hyn tek “operacionet e zeza” të shtetit, nuk është as veprimtari klandestine, por është një shoqëri që faturon për çdo muaj qytetarët.
Arsyeja e ofertave të mbërritura është edhe më fyese sesa fshehtësia me të cilën administrohen emrat e kompanive.
“Burime pranë Bashkisë së Tiranës konfirmojnë ofertat e mbërritura. Kjo, sipas tyre, falë perfomancës pozitive të 6 muajve të fundit të ujësjellës-kanalizimeve investimeve të bëra në përmirësimin e rrjetit si dhe në rritjen e arkëtimeve nga qyetarët”.
Është më së paku një argumentim i paqëndrueshëm.
Së pari, para disa muajsh qeveria shpalli atë që e quajti reforma e ujit, e ngjashme me atë të energjisë. Ndaj çdo kompani që do të kishte dëshirë të blinte një shoqëri të tillë, do të priste stabilizimin e legjislacionit.
Së dyti ky pohim kalon nga një e vërtetë që synon të tallë qytetarët: është e vërtetë që janë rritur të ardhurat , por kësja i duhet shtuar analiza sesa këto të ardhura reflektojnë vërtet një menaxhim më të mirë, përmbi efektin që sjell zgjerimi territorial i Bashkisë.
Së treti: cilat janë investime e mëdha që janë bërë, apo përmirësimi në furnizimin me ujë, kur gjatë muajit korrik, kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj kërkonte kursim të ujit dhe paralajmëronte marrje masash për lavazhet? Dhe në fund edhe sikur të pranojmë se është kështu, mund të pyesim se cili është kuptimi i praktikës së investimeve me para publike, e mandej privatzimit? A mos vallë privatët duhet të dëshmojnë gatishmëri për të investuar për një shërbim thuajse monopol?
Të gjitha këto pyetje që burojnë nga paragrafi i mësipërm përmbysen befas nga pargrafi pasues që na thotë se:
“Të njëjtat burime pohojnë se këto oferta po merren në konsideratë nga Bashkia e Tiranës, pasi sipas tyre, bashkia vetëm do të përfitonte nga shitja e një kompanie, e cila për vite me radhë ka rezultuar me humbje për shkak të ndërhyrjeve të paligjshme në rrjet nga qytetarë apo biznese, të cilët vidhnin ujin e pijshëm për të vaditur tokat ose për lavazhe”.
Çka do të thotë se sistemi është në gjendje jo të mirë dhe se ai është prekur nga moszbatimi i ligjeve në fuqi apo edhe nga probleme të sigurisë. Të kthehemi pak në kohë e të kujtojmë si hyri kompania çeke CEZ në tregun shqiptar. Ajo bleu operatorin e shpërndarjes, por hasi shumë shpejt në probleme të ngjashme, si lidhje të paligjshme në masë, ndërhyrje, mospagesa etj.. CEZ mandej ia mori dorën Shqipërisë: autorizoi kompani për mbledhjen e borxheve, mes të cilave edhe ajo e Kastriot Ismailajt që u përfol shumë. Në finale, kërkesave për ndërhyrje, qeveria e Sali Berishës iu përgjigj me shurdhëri, pasi në mes hynin aspektet elektorale.
Ky është një shembull që çdo kompani do të trembte shumë, pasi është vetë qeveria që nuk ofron garanci për të zgjidhur probleme si ndërhyrjet e paligjshme. Cila kompani do të merrte përsipër rreziqe të tilla?
Burimet nga Bashkia janë kujdesur që të nënvizojnë se “investitorët e huaj që janë vetëofruar për blerjen e UKT janë kompani serioze që operojnë në fushën e ujësjellësit, si dhe kanë shprehur dëshirën për të investuar edhe më shumë në përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Tiranës dhe në përmirësimin e mëtejshëm të rrjetit ekzistues të ujësjellës-kanalizimeve”.
A mund të besohet një njoftim i tillë? A mund të besohet ky ndërtim logjik, ku nga një fjali në tjetrën, ujësjellësi njëherë është histori suksesi, njëherë vuan nga lidhje të paligjshme, njëherë ka dalë me humbje, e njëherë tjetër na shfaqet si ambicie e kompanive serioze?
Natyrisht që jo. Sikundër nuk dihet nëse do të kemi shitje, apo dhënie me konçesion. Pa folur për atë problemi tjetër që është “harruar”: Si do të reflektohet në çmim ky kalim? Apo do të operohet me praktikën e CEZ-it, një kompani që operonte në shitjen fundore me çmime të caktuara nga një ent shtetëror?
Add new comment