Ndarja e re territoriale nuk jep efekt në rritjen e të ardhurave
Ndarja e re territoriale administrative nuk është shoqëruar me përmirësim të administrimit fiskal, ashtu siç ishin edhe pritshmëritë. Të ardhurat nga pushteti vendor rezultojnë me një mosrealizim prej 1.2 miliardë lekësh për 7 mujorin e këtij viti.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në periudhën janar-gusht, nga pushteti vendor janë mbledhur 9.1 miliardë lekë, nga 10.3 miliardë që ishte planifikimi, me një realizim të planit prej vetëm 88%. Me mosrealizim rezultojnë edhe të ardhurat nga renta minerare raporton Ora News.
Për periudhën 7 mujore, në buxhetin e shtetit rezultoi një sufiçit prej 18 miliardë lekësh, i krijuar jo vetëm nga rritja e të ardhurave, por edhe tkurrja e shpenzimeve. Investimet publike për këtë periudhë rezultuan me një mosrealizim prej 5 miliardë lekësh.
Të dhëna këto të pritshme pasi ndarja territoriale nuk u shoqërua me asnjë program rajonal zhvillimi bazuar në tipologjinë prodhuese të çdo rajoni, por u hartua me idenë për të ulur shpenzimet burokratike, duke reduktuar njësitë vendore. Pra në thelb nuk u konceptua si një reformë ekonomike, por si një vizatim mbi hartë për të kursyer disa para.
Add new comment