Veliaj kërcënon aktivistët me “përballje me drejtësinë” për mbështetjen e romëve
Përpjekjet e aktivistëve në ndihmë të familjeve të zonës së Bregut të Lumit që po përballen me rrezikun e shembjes së shtëpive dhe barakave të tyre modeste pa dëmshpërblim nga ana e Bashkisë së Tiranës duket se e kanë shqetësuar kryebashkiakun Erion Veliaj, aq sa ky i fundit i ka kërcënuar aktivistët me “përballje me drejtësinë” pasi i ka akuzuar se po i shkaktojnë bllokim të punimeve.
Në një deklaratë për shtyp të shpërndarë nga Bashkia ditën e hënë, Veliaj akuzoi aktivistët mes të tjerash se nxjerrin rroga të majme në kurriz të romëve dhe se i manipulojnë ato për arsye përfitimi.
“Cilado organizatë apo shoqatë, avokat i cili faturon rrogën e tij të majme në kurriz të këtij komuniteti duke i manipuluar ata, duke i kërkuar të vazhdojë të bëjë qëndresë brenda në shtratin e lumit, do të përballet me drejtësinë”, deklaroi Veliaj, pasi plani i tij fillestar për të shembur shtëpitë e banorëve në qershor të këtij viti duket se mbeti pezull për shkak të protestave të aktivistëve dhe banorëve, të cilët kërkojnë një strehim dinjitoz gjetkë para shembjes së shtëpive të tyre modeste.
Veliaj është ankuar herë pas here ndaj organizatave dhe aktivistëve të cilat i akuzon mes të tjerave për “abuzim me fondet” dhe pengim të punës së tij për “pastrimin e qytetit”, por kësaj here, ai duket se shkoi më tutje kur sugjeroi se aktivistët do të përndiqen dhe përballen me drejtësinë në rast se vijojnë rezistencën.
“Jam i vendosur që kushdo që ndërpret këtë projekt, që shpëton Tiranën nga përmbytja dhe kryesisht komunitetin rom nga mizerja ku jeton sot në Bregun e Lumit dhe që e pengon këtë projekt për të garantuar rrogën e tij të majme, do të përballet me drejtësinë, do ta procedojmë për neglizhencë dhe për bllokimin e një projekti, i cili nesër mund të jetë shkaktar në humbje të jetës së njerëzve”, deklaroi Veliaj, i cili para se të hynte në politikë në vitin 2008, pati bërë karrierë si aktivist i shoqërisë civile.
Por disa aktivistë me të cilët foli BIRN, e hodhën poshtë kërcënimin e Veliajt si fjalë boshe.
“I konsiderojmë këto deklarata të Bashkisë si presione kundrejt shoqërisë civile për shkak të përpjekjeve të saj për të mbështetur grupet dhe komunitetet në nevojë,” deklaroi Vasilika Laçi nga Civil Rights Defenders, një organizatë ndërkombëtare me seli qendrore në Suedi që lufton për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Duhen pyetur me detaje drejtuesit e Bashkisë: Për çfarë do të akuzohen “përpara drejtësisë” zërat kritikë? Për mosrënie dakord me Bashkinë? Duket e padrejtë që fuqia që ka Bashkia për ta tejçuar qëndrimin e vet në media shpesh përdoret për të eklipsuar qëndrimet e zërave kritikë,” shtoi Laçi.
Aktivistja Romina Sefa i tha BIRN se sfidat me të cilat përballet komuniteti rom kërkojnë bashkëpunim nga të gjithë aktorët, por kryetari i nuk han arsye në këtë drejtim.
“Bashkëpunimi i të gjithë aktorëve të shoqërisë është pikërisht çelësi që mund të shmangë situatën e rënduar të këtij komuniteti. Ndërkohë ajo çfarë Veliaj thotë duket shumë kontradiktore,” tha Sefa.
“Ne ndoshta harrojmë se Lali Eri është supermeni dhe do të bëjë çdo gjë vetë, por nuk duhet të harrojmë se këmbëngulja e disa të tjerëve bëri të mundur që të ofroheshin ato mundësi për banorët e Bregut të Lumit, se të ishte për ata, (bashkinë) kushedi se ku do të përfundonin,” shtoi ajo.
Dorian Matlija, avokat i të drejtave të njeriut i cili ka punuar mes të tjerash për çështje të tilla si Gërdeci dhe vrasjet e 21 janarit, e konsideron absurd kërcënimin e Veliajt ndaj aktivistëve. Sipas tij, organizatat joqeveritare janë angazhuar për të mbrojtur të drejtat e komunitetit rom dhe shkaku kryesor për këtë angazhim është se familjeve të prekura nuk i është njohur e drejta për dëmshpërblim për banesat e tyre.
“Bashkia nuk u ka kthyer përgjigje këtyre organizatave dhe i vetmi reagim që pritet është të dërgohen çështjet në gjyq. Pra rezistenca e vetme që po bën komuniteti rom është të përballë Bashkinë me drejtësinë. Këtu qëndron edhe absurdi, sepse Bashkia po kërcënon me përballje me drejtësinë këdo që kërcënon Bashkinë me përballje me drejtësinë,” tha Matlija.
Aktivistët e Organizatës Politike, një grup rinor i të majtës që është angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lëshuan një deklaratë ku dënuan kërcënimet e Veliajt dhe theksuan se ata “nuk i tremben presionit të Bashkisë në emër të drejtësisë”.
“Nëpërmjet politikave të saj, si në rastin e strehimit e komunitetit rom dhe egjiptian, të shitësve ambulantë apo mbledhësve të materialeve të riciklueshme, Bashkia e Tiranës po kriminilizon të varfrit dhe komunitetet më të margjinalizuara të shoqërisë, duke i përjashtuar e duke ia pamundësuar gjithnjë e më shumë ndërtimin e një jete me dinjitet si të barabartë”, vijon më tej deklarata.
Plani i Bashkisë së Tiranës për rehabilitimin e Bregut të Lumit nisi shumë vite më parë dhe qëndroi i bllokuar për shumë kohë për shkak të mosmarrëveshjeve politike. Deri në vitin 2011, kur bashkia e Tiranës drejtohej nga kryeministri aktual Edi Rama, projekti u bllokua nga qeveria e djathtë ndërsa pas vitin 2013 deri në vitin e kaluar, projekti u bllokua nga qeveria e majtë për shkak se kryebashkiak qe Lulzim Basha, sot, kryetar i opozitës.
Aktualisht Bashkia e Tiranës drejtohet nga e njëjta forcë politike që kontrollon qeverinë dhe nuk ka bllokim politik, por projekti është përballur me protesta të vazhdueshme të qytetarëve romë dhe jo romë për shembje të padrejtë, pa dëmshpërblim ose me dëmshpërblim ndjeshëm poshtë vlerës së tregut të shtëpive të tyre.
Grupime të ndryshme aktivistësh janë përpjekur në disa raste të organizojnë rezistencë nga banorët për të ushtruar presion mbi qeverinë dhe bashkinë për respektimin e parimit kushtetues të “dëmshpërblimit të drejtë” në rastin e shembjes së shtëpive me dokumente pronësie si dhe për respektimin e parimeve të Kartës Europiane të të Drejtave të Njeriut për trajtim dinjitoz në rastet e përzënieve me dhunë të qytetarëve. Aktivistët e angazhuar në rastin e Bregut të Lumit përfshijnë një numër të rinjsh romë, disa shoqata si dhe një grupim të rinjsh të majtë të njohur si “Organizata Politike”. Paralelisht me ta, Avokati i Popullit Igli Totozani është angazhuar në organizimin e takimeve koordinuese mes shoqatave dhe aktivistëve.
Në qershorin e shkuar, pas protestave të banorëve, aktivistëve dhe Avokatit të Popullit, Bashkia e Tiranës pranoi të hyjë në bisedime ku premtoi mes të tjerash, dhënien e një ish-baze ushtarake pranë Ali Demit në Tiranë për familjet që do të shpërngulen nga Bregu i Lumit. Sipas aktivistëve, Bashkia premtoi gjithashtu se nuk do të ushtrojë presion dhe dhunë ndaj familjarëve si dhe se nuk do ta zbatojë politikën e saj të deritanishme të ekstradimit të romëve që nuk kanë regjistrim banese në Tiranë, politikë që e ka zbatuar në disa raste të tjera.
Por në deklaratën e së hënës, Veliaj ritheksoi edhe një herë se oferta e tij për familjet mbetet ajo që ka qenë para fillimit të negociatave.
“Bashkia e Tiranës u ka ofruar dy mundësi strehimi familjeve që jetojnë duke rrezikuar jetën e tyre dhe të fëmijëve në shtratin e lumit: bonusin e qerasë ose strehimin në Qendrën Tranzitore të Emergjencave,” thuhet në deklaratën e Bashkisë, ndërkohë që Qendra Tranzitore e Emergjencave, një ish-bazë ushtarake pranë Shish Tufinës në Tiranë, nuk përbën realisht ofertë për shkak se aktualisht nuk ka asnjë mjedis të lirë. Rreth 12 familje, shtëpitë e të cilave u përmbytën nga Lumi i Tiranës në janar të këtij viti, u dërguan në një mjedis pranë Qendrës Tranzitore të Emergjencave ku u vendosën të jetojnë në rulota të vegjël me kushte minimale, ku përfshihen vetëm dy banjo për të gjithë komunitetin me disa dhjetëra banorë.
Kjo nuk është hera e parë që bashkia përplaset me qytetarët dhe aktivistët mbi respektimin e standardeve ligjore dhe kushtetuese në rastet e shembjes së banesave.
Bashkia e Tiranës ia doli të shembë disa dhjetëra shtëpi pranë ish-Stacionit të Trenit në Tiranë, banorët e të cilave u kthyen efektivisht të pastrehë për shkak se legjislacioni aktual i dëmshpërblimit në rastet e shpronësimit për interes publik mbart çmime deri gjashtë herë më të ulëta se sa çmimet e pronave të patundëshme dhe se ky legjislacion dukshëm nuk plotëson kriterin kushtetues për “një shpërblim të drejtë”. Pronarët e banesave të shembura u dëmshpërblyen përkundrejt çmimeve prej rreth 20 mijë lekësh për metër katror, ndërkohë që në zonën ku ata banonin, çmimet e apartamenteve variojnë në 800 apo 1 mijë euro për metër katror.
Por ndryshe nga dhuna e përdorur në rastin e Stacionit të Trenit, në rastin e Bregut të Lumit, për momentin bashkia nuk ka ndërhyrë me forcë pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme se do ta bëjë diçka të tillë.
Bashkia e Tiranës është kritikuar vazhdimisht gjatë vitit të fundit nga aktivistë vendës dhe institucione ndërkombëtare për keqtrajtim të njerëzve të varfër, veçanërisht romëve. Tetorin e kaluar, organizata ndërkombëtare e mbrojtjes së të drejtave të njeriut Amnesty International kritikoibashkinë për përzënien me dhunë të romëve që kishin ngritur kasolle në brigjet e liqenit artificial në Tiranë, duke argumentuar se këto familje kishin nevojë për strehim dhe jo për përzënie me dhunë ndërsa Këshilli i Europës e kritikoi Shqipërinë për disa raste të shembjeve të banesave në shkurt të këtij viti.
"BIRN"
Add new comment