Mejdani humbet qetësinë: “Me këtë poshtërsi politike-mediatike nuk ecet më tej”

Postuar në 04 Gusht, 2016 13:37

Ish-presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani, ka reaguar sot përmes një postimi në rrjetet sociale ndaj atyre që i ka quajtur sulme dhe shpifje ndaj tij dhe familjes së tij, konkretisht djalit të vet, Denion Mejdani. Në postim vihet re nervozizmi i ish-presidentit, i përfolur së fundmi si kandidat për kryeministër i një qeverie teknike, nervozizëm i cili nuk ndihmon as skemën politike në fjalë por as figurën e Mejdanit, i trajtuar zakonisht me njëfarë respekti. Reagimi i tij është riprodhuar nga të gjitha mediat dhe mes të tjerave ai shprehet se:

“Nuk kisha ndërmend të reagoja, siç dhe nuk kam reaguar deri tani ndaj një paturpësie të tillë, sepse kam bindjen, por dhe kam besuar e besoj se nuk ia vlen të harxhosh qoftë dhe një mili-kalori për çoroditjet apo pisllëqet e këtyre shëmtirave të turpshme të tranzicionit shqiptar. Veçse po më rezulton se ky lloj shëmtim-frymëzimi ka ardhur, jo vetëm sot por dhe më parë, nga sipër, me direktiva të KQ-së së sotme! Kot nuk thotë populli që “peshku qelbet nga koka”.

Dhe kjo është një e keqe shumë e madhe! Ky është kulmi i poshtërisë njerëzore në një sistem të ashtuquajtur demokratik, aq më keq për të imituar në sjelljen drejtuese ndaj njerëzve gjarprin që “ecën dhe fshin gjurmët me bisht”. Prandaj dhe reagova, sepse me këtë lloj “poshtërsie politike-mediatike” nuk mund të ecet më tej. Madje, më keq, as emancipimi shoqëror, as demokracia funksionale! Ajo duhet goditur e shkulur në rrënjë, “në kokë e në bisht”. Madje, sa më shpejt, aq më mirë! Dhe, kjo shkulje rrënje, heqje koke e bishti, është sa civile, po aq dhe politike-patriotike, dhe për këtë secili mund e duhet të japë kontributin e tij qytetar…”.

Comments

Submitted by Albi_I (not verified) on

Gjynah qe Xhepi u perfshi ne kete debat, nuk duhet tu ishte pergjigjur por te mbante profilin qe ka ruajtur tere keto vite. Fatkeqesisht kunder ketyre duhet te jesh burre i denje por edhe politikan i madh. Ne lufte me median e pushtetit duhet te dish kur e cfare te flasesh.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.