“Një reformë e zbatuar me hile nuk do të funksionojë”
Reforma në drejtësi është shitur për opinionin si një pikë kthese, fund i tranzicionit, apo edhe shpëtim i Shqipërisë nga kthetrat e korrupsionit. Me këto fjalë ka folur pak a shumë edhe aktori kryesor i saj, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Por Lu është diplomat dhe si i tillë ai bën zëdhënien e politikës, që shpesh anashkalon çështje teknike që rrugës rezultojnë vendimtare. Gazeta “Shekulli” i ka marrë një intervistë për këtë problem juristes amerikane, Kathleen Imholz, e cila është njohëse e Shqipërisë dhe problemeve institucionale të saj. Në komentet e vet, Imholz shpreh atë që i fshihet qytetarëve përmes propagandës dhe zhurmës: Drejtësia nuk importohet, ajo aktualizohet kur vullneti i shoqërisë e kërkon atë. Sot flitet për reformë dhe sillen shifra statistikore në mbështetje të saj. Por çështja është nëse shoqëria kërkon rrëzimin e kësaj kaste, apo drejtësi, pasi nuk shihet gjëkund një dritë në fund të tunelit, një rast që të shërbejë si ilustrim për ndryshime esenciale. Më poshtë disa nga përgjigjet e Imholz, që do të duhet të ishin pjesë e debatit për reformën kohë më parë:
Zonja Imholz, sa e plotë është reforma në drejtësi në aspektin ligjor dhe a ka diçka që duhet të ishte bërë ndryshe?
Reforma në vetvete nuk u jep drejtësi qytetarëve, por tani qeveria me të gjitha institucionet e reja dhe të vjetra duhet të marrin masat për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, që për mua është thelbi. Në qoftë se drejtësia me reformën e re nuk do të arrihet dhe do të vazhdojë t’i zvarritë shqiptarët nga njëri gjyq në tjetrin, shqiptarët nuk do të gëzohen. Them që pa miratimin e paketës kushtetuese hapat të tjerë nuk mund të bëhen. Problemi është se gjërat e thjeshta janë më të mira, por gjërat e thjeshta kërkojnë shumë kohë.
Opozita u kap pas “Vetting”-ut dhe sovranitetit para se ndryshimet kushtetuese të miratoheshin në Kuvend. Sa shkelej aty sovraniteti?
Nuk i kam studiuar të gjitha variantet që ishin propozuar, por theksoj se procesi i “Vetting”-ut dhe i kontrollit të magjistratëve është shumë i vështirë. Shpresoj që partitë janë të kënaqura tani që nuk ka shkelje sovraniteti, por kjo nuk do të thotë që procesi është i lehtë, sepse ju e dini se sa e vështirë është që të sigurosh të dhëna për fshehjen e pasurisë dhe abuzimeve të tjera. Ky është problemi. Ka një tendencë që të huajt që punojnë në Shqipëri, unë nuk jam një nga ata, mendojnë se dinë më shumë se sa shqiptarët për korrupsionin në vend, por unë mendoj se shqiptarët dinë më tepër sepse e njohin vendin e tyre. Unë personalisht, edhe pse vëzhgoj shumë gjyqe nuk mund të them ky gjyqtar është i korruptuar, ky është i paaftë. Ka shumë rëndësi si realizohet procesi në të vërtetë. Fakti që ndërkombëtarët kanë një rol në vetvete, nuk shkel sovranitetin dhe besoj që ndryshimet e fundit i lënë shqiptarët siç duhet të jenë.
Z. Imholz a është “Vetting”- ut një praktikë e zakonshme ndërkombëtare?
Është bërë në Ukrainë, në Gjeorgji. Është një rast shumë i interesant, me ribashkimin e Gjermanisë në vitet 1990, ku gjermanët bënë një proces pastrimi. Ata krijuan ekipe me 3 anëtarë për të kryer procesin e “Vetting”-ut. D.m.th përvoja ka. Kam folur me një profesor gjerman që mori pjesë në atë proces në vitet ‘90 dhe më tha se në fund të fundit ndërkombëtarët nuk kishin kohë të mjaftueshme për të kontrolluar me imtësi një njeri, profesionalizimin, pasurinë, të ardhurat dhe çdo gjë që ai ka bërë. Procese të ngjashme kanë ndodhur edhe në vend të tjera, por nuk mund të pohoj për rezultatet. Kam disa dyshime për rezultatet në të ardhmen sepse procesi nuk është i lehtë dhe është i gjatë. Vullneti i njerëzve në Shqipëri ka më shumë rëndësi se sa të huajt dhe gjithçka do të varet prej tyre.
Pra ju thoni që koha prej 5 vitesh që i është dhënë Operacionit Ndërkombëtar të Kontrollit është e shkurtër?
Nuk janë shumë pak, por nuk mund të bëhet kurrë. Tani jemi çerek shekulli pas komunizmit, si është e mundur që ju të trajtoni krimet e komunizmit kur shumica e njerëzve kanë vdekur ose janë në pension. Është e njëjta gjë edhe me “Vetting”-un, por në qoftë se brenda 5 viteve bëhen disa shembuj ndëshkimi, si gjyqtarë dhe prokurorë që kanë bërë gjëra të pista kjo do t’i japë kurajë sistemit, por procesi nuk ka një fund. Është e vështirë të flasësh për rezultate në të ardhmen, pasi Shqipëria është një vend i vogël dhe me lidhje shumë. Në këtë drejtim më tepër punë duhet të bëhet me edukimin.
Si mendoni ju, a është e drejtë që politika vazhdimisht ka sulmuar njerëzit e drejtësisë si shkaktar të korruptimit të sistemit?
Problemi është se korrupsioni është futur në të gjitha celulat e shoqërisë. Unë jam juriste, e vlerësoj drejtësinë dhe dua që prokurorët dhe gjyqtarët të jenë sa më të ndershëm. Por problem nuk është vetëm gjyqësori. P.sh problem nuk është vetëm gjyqtari, por është edhe zyra e regjistrimit të pasurive dhe shkarkimi i gjyqtarit në një rast abuzimi nuk do të bëjë asgjë, sepse zyra e regjistrimit që nuk ka bërë punën e saj do të mbetet me të njëjtët njerëz. Fakti që korrupsioni është i gjithanshëm, nuk do të thotë që nuk duhet të fillohet diku. Si juriste, më vjen keq që gjyqtarët janë vënë në shënjestër, por është momenti që duhet të fillohet nga diku.
Sa mundësi ka që kjo reformë të largojë ndikimin e politikës nga sistemin e drejtësisë?
Siç e dimë të gjithë Shqipëria është një vend shumë i politizuar. Shikoni se çfarë ka thënë ish-kryetari i opozitës kundër ekspertëve të reformës në drejtësi, Sokol Sadushit dhe Sokol Berberit, dy njerëz me shumë përvojë dhe pa role politike, por ai i akuzoi ata si politikë. D.m.th. është shumë e vështirë në Shqipëri të ndahen situatat nga politika. Por politika nuk prek vetëm gjyqësorin, por edhe arsimin dhe shumë sfera të tjera.
Si mendoni ju z. Imholz, sa shpresë ka që kjo reformë të zbatohet në të ardhmen?
Shpresoj të zbatohet jo me përpikëri, sepse përpikëria është një gjë komuniste, por të zbatohet me “common sense”, pra me vullnet të mirë. Kjo është më e rëndë- sishme. Kam besim tek populli shqiptar në përgjithësi, sepse atë që e quaj “common sense” unë e shoh më tepër tek populli sesa te politika dhe ekspertët në vend. D.m.th populli shqiptar ka një sens drejtësie dhe në qoftë se reforma zbatohet me drejtësi ata do ta kuptojnë, por nëse zbatohet me hile siç mund të pritet, prapë populli do ta dijë. Pra sfida është që ata duhet të bindin popullin që diçka do të bëhet për ata. Kjo çështje është shumë aktuale edhe në Amerikë. Kemi disa sfida të tilla, jo vetëm me korrupsionin por edhe me situata të tjera.
Add new comment