Ilir Meta, i munguari i apelit të ambasadorit Lu
Romana Vlahutin dhe Donald Lu, janë padyshim dy ndër ambasadorët më aktivë në Shqipëri. Por krahas këtij roli po del në sipërfaqe edhe një preferencë, një anim i lehtë, i cili në ditët e fundit të diuskutimit për ndryshimet kushtetuese, u evidentua si pjesëmarrje e hapur në lojërat e politikës shqiptare.
Ambasadorja e Delegacionit të BE-së, Vlahutin, që zbuloi se ka qenë edhe analiste politike, shpalli dje në një intervistë televizive miqtë dhe armiqtë e reformës në drejtësi. Duke hyrë kështu në diskrecionin e politikës dhe institucioneve shqiptare, por edhe në një garë virtuale të dashamirësisë ndaj vendit tonë.
Kolegu i saj, Donald Lu, i ambasadës amerikane, është shfaqur më i drejtpërdrejtë, por në fjalën e mbajtur sot me rastin e festimeve për kalimin e reformës në drejtësi, ka përcjellë edhe ai një mesazh për armikun konstant ndaj përpjekjes së tij. Në prezencë të kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe deputetëve, Lu ka shmangu në apelin e fjalës së tij, kreun e LSI-së, Ilir Metën. “I nderuar Kryeministër Rama, Z. Xhafaj, Z. Bylykbashi, të dashur miq!
Fitore e kujt ishte votimi i të premtes së kaluar? Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë në Tiranë. Ishte fitore e udhëheqësve të partive politike? E medias? E komunitetit ndërkombëtar? Apo individualisht e deputetëve?
Unë e di se kush e meriton nderimin. Dhe i takon një grupi njerëzish që nuk janë sonte këtu. U takon miqve tuaj, fqinjëve tuaj dhe anëtarëve të familjeve tuaja. I takon popullit shqiptar”, tha ndër të tjera Lu. Meta ishte aty numri një për nga protokolli e megjithatë, ambasadori amerikan, ka folur duke zgjedhur të mos i drejtohet atij. Natyrisht e ka bërë këtë në prezencë të dëshmitarëve, por edhe duke shtuar më tej dozën e qëndrimeve preferenciale. Sa vlerë ka Lu në fushën politike shqiptare? Koha do ta provojë, por për të ngulitur idenë se kreu i LSI-së është i papëlqyer prej selisë së tij diplomatike, ka jo pak. Sidomos pas lajmeve këmbëngulëse për shmangien që i ka bërë atij disa herë, Victoria Nuland. Detaje që padyshim ndihmojnë për të përgjuar qetësinë apo acarimin e këtyre kohëve.
Add new comment