“Nuk ka kthim prapa. Reforma do të zbatohet dhe BE-ja do të jetë shumë strikte në kërkesat e saj”
Ambasadorja e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, ka deklaruar sot nga Kukësi, ku ndodhej për një takim në Bashkinë e këtij qyteti, se reforma në drejtësi do të vihet në zbatim në mënyrë shumë rigoroze. Sipas saj, BE-ja do të jetë shumë strikte në monitorimin e këtij procesi.
“Reforma do implementohet, kjo nuk ka diskutim. Këtë e duan njerëzit dhe s’mund ta shpërfillin politikanët. Veç kësaj sistemi i monitorimit ndërkombëtar është i tillë. Sa më shumë t’i afrohet Shqipëria BE aq më të rrepta janë kërkesat. Kjo është reforma me e madhe që mund të ndërmarrë Shqipëria ndonjëherë. Nuk ka kthim prapa. Ju premtoj se BE ka për të qenë shumë strikte në kërkesat dhe implementimin e reformës”, tha ambasadorja Vlahutin. Ky është një mesazh që shkon për politikën, një pjesë të saj dhe praktikën e zvarritjes apo shpërdorimit të shumë shanseve. Mbetet për t’u parë sa do të ndiqet kjo politikë, por një gjë është e qartë: të paktën SHBA janë investuar shumë seriozisht në këtë proces, që ka krijuar pritmërinë për një drejtësi më funksionale, por edhe për disa koka turku.
Add new comment