Eqerem Çabej, kalorësi i gjuhës
Para disa vitesh ripashë në Arkivin e Muzeut Historik Kombëtar një fotografi të rrallë të Eqrem Çabej 16 vjeçar, duke u takuar me senatorin francez dhe shqiptarofilin e madh Justin Godart. Djaloshi Çabej ishte zgjedhur si një nga nxënësit më të shkëlqyer të Gjirokastrës për ta mikëpritur Godartin.
Plaku madhështor nuk ka ditur asgjë se çdo të bëhej më vonë për Shqipërinë ky djalosh. Mbetet një enigmë përgjithnjë procesi i kujtesave tek sejcili. Një takim i rastësishëm, një fiksim i rastësishëm në celuloid ringjall një botë të tërë. Godarti i dashuruar më Shqipërinë nuk e mësoi kurrë të vërtetën, që ne dimë tashmë. Ai nuk kishte se si ta dinte se 16 vjeçari para tij qe shumë më i madh nga vetë ai nga të gjitha pikëpamjet, ai nuk mund ta dinte se po tokte duart me një shqiptar, i cili do të kishte veskun dhe monumentalitetin e njërit prej intelektualëve më të mëdhenj të Evropës, e Princit kryesor e më të plotfuqishëm të Gjuhës Shqipe.
Gjithnjë më ka dyzuar e më ka tronditur ky takim, sikur qe i rregulluar nga disa koordinata dhe forca misterioze, që vetëm historia i di. Përtej këtij sekreti, të mbuluar me velin e rastësisë, ne shqiptarët përpiqemi të rrëzojmë muret apo portat e mbyllura, që na pengojnë shikimin, për të parë atë që akoma dhe sot nuk e shohim plotësisht tek njeriu e dijetari, i quajtur Eqrem Çabej, kartvizitë kjo e jashtëzakonshme, e artë dhe fuqisjellëse e vetë kombit shqiptar në planetin tonë të trazuar dhe të çuditshëm. Në këto përsiatje më mori befas në telefon që nga Parisi shoqja ime e vjetër, Brikena, e bija e vetme e Çabejt. Kemi vite që bashkëbisedojmë në telefon, madje gjatë. Sidomos bisedat më të habitshme unë i kam bërë me Shyreten, gruan shumë të ditur dhe njeriun e mrekullueshëm, më të afërmen intime të Çabejt, por e lënë paksa, në hije, për shkak të famës së të shoqit. Biseda që bëra me Brikenën dhe Shyreten lidhej në substancë në simpoziumin ndërkombëtar, që do të bëhet në Gjirokastër për 95 vjetorin e Çabejt. Sesi m’u duk ahere ky 95 vjetor! Ndjej gjithnjë një lloj bezdisjeje dhe rraskapitje nga nocioni i kohës, ndonëse besoj tek simbolet biblike të kalimshmërisë së vetë kohës. Si në një strukturë prustiane, një fuqi e padukshme dhe e pandalshme më rikthen tek të gjithë takimet e mia tek Eqrem Çabej, dëgjoj zërin e ligjërimeve të tij universitare, bisedat, modestinë e tij të pashembëllt, si dhe letrat midis nesh në vite.
Gjithnjë mbaj në studion tim një fotografi, që i kam bërë vetë Çabejt, në kabinetin e tij mes librave si dhe një relief bronxi të portretit të tij. I kam mbajtur gjithnjë dhe do t’i mbaj deri sa të vdes ndonëse e urrej për vdekje idolatrinë, sepse vetë Çabej e pluhurizon dhe e hedh tej çdo lloj idolatrie.
Kam qenë dhe kam parë me vemendje shtëpinë e tij të vjetër dhe me stemë heraldike në Gjirokastër, kam shkruar që kjo shtëpi muzeore do të qe një mrekulli për brezat.
Vajzat e Lasgush Poradecit më zbuluan gjithashtu një diçka të papritur. Ato ruajnë një pasaportë të Republikës Shqiptare të Eqrem Çabejt dhënë në Gjirokastër më 12.07.1925. Këtë pasaportë Çabejt ia kishte dhuruar Lasgushi. Në njërën faqe të saj, dy vjet më vonë më 1927 në Graz të Austrisë, Lasgushi ka skicuar me laps një portret të Eqremit, portretin e tij të ri, në profil duke mbajtur në dorën e djathtë cingaren e ndezur. Kjo relike tashmë është e gjithëpushtetshme për muzeumologjinë shqiptare. Kjo skicë me laps është parathënëse, Çabej në atë kohë ishte 21 vjeç, ndoshta Lasgushi qe i pari, që parandjeu atë, që nuk e kuptoi dot edhe eruditi plak francez Godart.
Libri i akademikut Shaban Demiraj për Eqrem Çabejn është një lloj pengu, Demiraj e ka shkruar saktë, por gjithsesi jeta e vërtetë e Eqremit, nuk mund të përcaktohet plotësisht ndërmjet dy përmasave të biografisë vetiake dhe bibliografisë së pashembullt. Sa shumë gjëra kanë humbur, sa dashuri dhe sa meditime e heshtje, sa biseda dhe sa pezm i ndrydhur në vetvete, sa madhështi morale dhe ndërgjegje absolutisht të kthjellët, të cilat së bashku do të krijonin atë botë virtuale, që do të na paraqiste magjishëm kryepersonazhi ynë virtual. Duke mos besuar te një klonim i ri i Çabejt, unë mendoj se ai qe plotësisht i vetëmjaftueshëm, besoj gjithashtu se ai pati dy jetë, jetën për të tjerët dhe jetën për vete. Dhe të dyja së bashku qenë një kryejetë, absolutisht e rrallë në histori.
Eqrem Çabej i vjen kombit shqiptar e kulturës së tij njëherë në 2000 vjet, dhe për më tepër e ndoshta për një lloj kërnacërie të vetë kombit, ai nuk mund të përsëdytet. Janë qesharake dhe absurde fantazmagoritë e klonimit për këtë rast. Nuk dua ta mitizoj Çabejn, por e di që ai në këtë 95 vjetor, është i vetmi njeri që hesht, ndërsa gjithë të tjerët, përpiqen të spikatin kush e kush të flasë sa më shumë dhe të afishohet mënçurisht sa më tepër si Çabejan. Vetë Çabej, në pas-jetën e tij (nuk dua ta përdor fjalën vdekje) i di mirë miqësitë e tij intime, e kam fjalën për miqësitë e vërteta, ai nuk i ka duruar shtirakët dhe miqtë e vonë, ose më saktë të vonuar përjetësisht. Shumë mirë është që flitet për të tashmë, por ai nuk është i thjeshtë për të folur për të. Çabej është në substancën e kombit shqiptar. Ai është atomizuar në këtë substancë si rrallë kush. Tek ai nuk ekziston shkëlqimi i sipërfaqeve, sepse ai është gjeniu i thellësive.
Në këtë 95 vjetor shpirti i Çabejt, rivjen në Gjirokastrën që po vdes nga brenda, në këtë kryedjep të qytetërimit shqiptar, që po i rrënohen kështjellat me rrasa guri. Por shpirti i Çabejt është i pamposhtshëm, ky shpirt e ka pavdekësuar Gjirokastrën, e kjo është e pamohueshme, as nga rrënimet fizike të kohërave, as nga pakujdesitë tona të marrëzishme dhe as nga kiçkultura, një nga format më të rrezikshme të injorancës në kohën tonë.
Njerëzit e mëdhenj të kombit shqiptar krijojnë një bashkësi të vdekurish të pavdekshëm. Ata të gjithë e bënë ata që duhet të bënin, sepse vetëm kështu mund të kapërceheshin kohërat, sepse vetëm kështu hijet e vdekura mund të kthehen në ide të gjalla, sepse vetëm kështu muzgjet e historisë mund të rindriçohen me agime të reja, sepse vetëm kështu mbijetesa nuk është thjesht një truk apo një fjalë e zbrazët, apo një utopi e trishtueshme. Në këtë bashkësi Çabeu ka vendin e tij, njeriut që bëri më shumë nga të gjithë në fushën e shkencës. Kombi shqiptar krijoi figura të mëdha arketipale të artit në të gjithë rrafshet, të shtetformimit dhe të lirisë konceptuale dhe juridike, të zhvillimit dhe të betejave të pabesueshme për të mbijetuar. Por mendoj se i ka munguar figura më arketipale e shkencës. Deri tek Çabej ne patëm figura dijetarësh që ju përkushtuan shkencës, që e adhuruan shkencën, sepse pa shkencë nuk ka as komb dhe as qytetërim shqiptar. Këta parardhës të nderuar më në fund gjetën të Zgjedhurin e tyre, përfaqësuesin emblematik. Çabej u bë shkencëtari më i madh shqiptar i të gjithë kohërave dhe kjo emblemë do të prarojë përfundimisht derisa të ekzistojë jeta në kujtesën tonë. Çabej e kuptoi si askush se ta duash atdheun është virtut. Por kjo gjë është e pamjaftueshme. Një dashuri pa dituri është e brishtë dhe mund të tjetërsohet. Një dashuri me dituri të thellë dhe të shumëanshme është titanike, e pathërmueshme. Ç’forca të brendshme kanë vepruar tek ky njeri? Djalosh tepër i ri ai përshëndeti mbi varrin e Bajo Topullit, sikur po bënte një apel. Por Shqipërinë e tij nuk do t’ja zbulonte Gjirokastra, çuditërisht do t’ja zbulonte më shumë Qëndra Universitare e Grazit, ku ai u formesua dhe gjithashtu u përmbajtësua. Parket e fatit i lëvizin fijet e tyre ashtu siç duan ato vetë, tek Çabeu ata lëvizën dejet e nervat që e mbajën gjallë dhe të pavdekshëm gjithçka jo ato të një njeriu të vetëm por të një kombi të tërë, madje edhe të vetë njerëzimit.
Opusi Çabejan ka tashmë si Tabela e Mendelejevit simbolet përbërëse të kombit e gjuhës së tij. Çabej ju kushtua gjuhës shqipe për të kuptuar sekretet e saj, herë-herë të vrazhda, gati okulte, por gjithsesi të mrekullueshme. Çabej u bë në të gjitha kuptimet grifoni mbrojtës i gjuhës shqipe, ai qe ëngjëlli këmbëzbathur onufrian, që mbron gjithpushtetshmërinë e gjuhës shqipe, që ajo të mos vdesë. Kjo ka një semantikë të re të ndërlikuar, por dhe tepër të saktë në epokën e sotme globale të një antibabilonizmi të gjuhëve, kur flitet për të vetmen gjuhë të njerëzimit, për bilinguizmin si status të ri të etnive të gjuhëve të planetit, shpesh kjo një betejë sekrete dhe e fshehtë, ku mundet që shumë gjuhë dhe kultura edhe të humbasin. Por në këtë vizion nuk ka asgjë fataliste dhe unë besoj se një apokalips gjuhësor i shqipes, nuk do të ndodhë asnjëherë. Pse? Sepse në këtë botë lindi dhe jetoi për fatin tonë të madh dhe të mirë edhe Eqrem Çabej.
Optika shkencore e Çabej karakterizohet nga një akribi dhe ndershmëri shembëllore. Ai u morr me ilirologjinë, por pati një përparësi të madhe mbi ilirologët e huaj, sepse zotëronte absolutisht krejt ndryshe dhe më thellë se ata çelësin e shqipes. Ai u bë prijëtar i albanologjisë shqiptare dhe kryemjeshtri i argumentimeve substanciale për gjenezën e gjuhës shqipe. Askush si ai nuk ka bërë për albanologjinë ato struktura mendore, që sot na duken të palëkundshme si monumentet e vërteta. Askush si ai nuk e njohu gjuhën shqipe, që nga Buzuku e deri në shek.XX jo thjesht si një realitet gjuhësor të gjallë apo një sistem të mëvehtshëm të ligjërimeve, por edhe si një histori e skajshme dhe e çuditëshme dhe tepër të motshme të qytetërimit gjuhësor të shqipes. Askush si Çabej nuk u përpoq të lidhte fijet e këputura në histori të kohërave, të origjinës së gjuhës dhe të kombit, për të kapërcyer atë që latinët e quanin “Horroi vaqui” (d.m.th. “Frika nga boshllëku”). Askush si ai nuk e njohu historinë kulturore të Shqipërisë”. Studimet e tij për folklorin, për Eposin e veriut, për mitologjinë, për demonologjinë popullore, janë jo thjesht një prapavijë e studimeve gjuhësore por janë thelbi i këtyre studimeve. Çabej qe një njohës i shkëlqyer i letërsisë shqipe dhe asaj botërore. Ai e paratha që më 1929 fatin e një poeti të madh në essenë, që shkroi për Lasgush Poradecin. Studimet e tij për Naim Frashërin, për De Radën, klasifikimet e tij për romantizmin shqiptar etj., janë ato të një kritiku dhe të një esteti të madh. Arsimi i lartë universitar ka në themele diturinë e tij, nuk mund të krijohej Akademia e Shkencave po të mos ekzistonte Çabej. Ai qe Mësues i Popullit, i respektuar në Shqipëri dhe për më tepër në shkencën evropiane dhe botërore ai ishte dhe mbeti referenca më e lartë, më e suksesshme, më e besueshme, më autoritare. Dhe të mendosh jetën e tij të thjeshtë atje në kabinetin e tij të librave, më shpesh i rrethuar nga moskuptimet, mes diletantizmit delirant, mes niveleve mesatare, absolutisht larg tij edhe të kolegëve të nderuar që gjithsesi edhe e deshën, edhe e admiruan, pa mundur dot të ngriheshin në lartësinë e tij. Gjithsesi mund të thuhet që ai qe i vetmuar edhe në këtë pikëpamje. Kryevepra e tij qe Fjalori Etimologjik i Shqipes. Ai e ndjeu dhe e kuptoi se historia e brendshme e fjalëve shqipe është shpesh në miniaturë vet historia e shqiptarëve. Ai u nis të krijonte etimologjinë e vërtetë të shqipes larg etimologjive false, që edhe sot janë të pafundme. Për Çabejn, fjala përcaktohet nga përmbushja e tri kushteve kryesore: krahasimi etimologjik, duhet të pajtohej me analogjinë fonetike dhe me rregullat që zotërojnë në këtë, duhet të hyjë në strukturën morfologjike, sidomos në atë të fjalëformimit, të gjejë pra forma të tjera, që t’i përgjigjen mirë nga kjo anë fjalës që merret në shqyrtim, duhet së fundi që etimologjia të jetë e kënaqshme dhe e besueshme nga pikëpamja e kuptimit. Çabej u prir në diktimin e burimit të fjalëve, qoftë ky brenda gjuhës dhe qoftë jashtë saj. Ai krijoi konceptin e studimit të përhapjes territoriale të fjalëve, gjeografizimin e fjalëve. Ai e pa shqipen si një proces në zhvillim, ku duhen njohur e respektuar ligjet fonetike të saj. Për Çabejn ekuacionet gjuhësore duhet të kishin një saktësi si ekuacionet matematikore, por ai gjithsesi nuk e shikon gjuhën si matematikë, sepse fjalën mbartin emocione dhe ndijime, struktura e gjuhës nuk është si ajo e mineraleve, por si e qënieve të gjalla. Ka relikte gjuhësore të fosilizuar, që ndoshta asnjëherë nuk do të japin guackat e tyre. Ai vërtetoi se toponomastika e periudhës ilire është përcjellë tek shqiptarët e sotëm sipas ndryshimeve të drejtuara nga ligjet fonetike. Në këtë kuptim ai bëri për tezën e autoktonisë së shqiptarëve më shumë se sa të tjerët, sepse ai njihte dhe respektonte dyshimin shkencor, ai nuk është një apologjist i gjuhës shqipe, ai është zbërthyes i gjuhës shqipe, ai nuk tmerrohej nga huazimet e gjuhëve të tjera në igjuhën shqipe; ai shpjegonte ndërmjet tyre hyrjet dhe daljet, mbetjet e qytetërimeve të mëdha të kontinentit, të qytetërimeve greko-romake, bizantine, veneciane dhe osmane, sllave, etj. Ai rindërtoi kështu me anë të argumenteve mendorë situata e vdekura përgjithnjë të shqipes. Ai u dha shqiptarëve dhe botës një histori të shqipes krejt ndryshe, duke ravizuar kështu në mënyrë monumentale etnogjenezën e qytetërimit shqiptar, ku gjuha shqipe është jo vetëm shpirti, por edhe materje e gjallë. Në një shkrim polemik të hershëm të tij më 1929, ai i turret skotës mediokre të pseudofilologëve,duke hedhur tej fantazmagoritë gjuhësore. Duhet kohë, shumë kohë për të kuptuar se ç’betejë të vështirë dhe të rëndë ka fituar Çabej në këtë rrafsh. Logjika e tij shkencore është ajo e respektimit të shoqërisë dhe aspak e nacionalizmit të sëmurë që dikton një madhështi perverse dhe të kotë. Ai respektoi parim se nga e njohura mund të shkohet te e panjohura por gjithnjë brenda logjikës shkencore. Është shumë e rëndësishme të citoj këtu një paralajmërim të Çabejt ndaj prijeve të disa arkeologëve të rinj për të tejkaluar dhe atë që s’mundesh. Çabej që më 1962 i kundërvihet prirjes së disa arkeologëve, që i tejkalojnë edhe të dhënat prehistorike për të bërë lidhje të shkurtëra të protoilirëve me pellazgët, kur nuk mund të thuhet se është gjetur qeramikë pellazge prehistorike, kur lëvizjet e popujve në histori kanë qenë të vazhdueshme, kur ata që quhen protoilirë ose preilirë ende ka nevojë të saktësohen për të arritur te ilirët e vërtetë e pastaj më vonë te arbërit, shqiptarët.
Së fundi një meritë e veçantë e Çabejt është ajo e gjuhës letrare shqipe. Ka shumë që ende dhe sot debatojnë dhe janë kundër gjuhës letrare dhe ata që u morrën me gjuhën letrare i kanë mbiquajtur si talebanë të shqipes. Ata nuk kanë kuptuar zhvillimin e gjuhës dhe janë përjashtuar nga ky zhvillim.
Eshtë pikërisht Çabej, ai që ka shkruar këto rrjeshta lapidare: “Zhvillimi i gjuhëve karakterizohet nga një proces i dyfishtë: nga një anë thjeshtimi i sistemit gramatikor, thjeshtim progresiv, nga ana tjetër pasurimi i elementëve të leksikut. Pasuria gramatikore nuk është shenjë kulture. Pasuria gramatikore, pasuria e formave të gramatikës është shenjë e gjendjeve primitive të gjuhëve”. Situatat dialektore janë paradhoma e gjuhës letrare, kurse gjuha letrare është mbi to dhe s’mund të ketë më rikthim mbrapsht. Amen!
Shqiptarja.com
Add new comment