94 vota të sigurta për reformën në drejtësi?

Postuar në 18 Korrik, 2016 21:13

Në fjalimin që mbajti Rama pas takimit të tij me Metën e Bashës, theksoi me forcë tri herë se është i bindur që më 21 korrik do të arrihet konsensusi i të paktën 2/3 të deputetëve të Kuvendit (94), për të votuar një reformë në drejtësi të pranueshme për partnerët euroamerikanë. Duke ditur se PS-ja dhe aleatët e saj të vegjël mund të mos kenë në Kuvend as 71 vota, i bie që në llogaritë e Ramës të jenë edhe 20 votat e Metës, i cili i kërkoi dje Ramës t’ia lërë vendin një kryeministri teknik.

A e ka pranuar në heshtje Rama kërkesën e Metës?  Apo ky i fundit është tërhequr nga kërkesa e tij?

Sido që të jetë e sido që të ndodhë, Rama në fjalimin e vet përdori një artileri të rëndë retorike, për të përgatitur terrenin e zgjedhjeve të ardhshme (të kohshme apo të parakohshme qofshin). Ata që do të votojnë për reformën të enjten, ai i quajti patriotë pro-euroamerikanë që duan një të ardhme më të mirë të shqiptarëve. Ndërsa ata që nuk do të votojnë për reformën, ai i quajti anti-euroamerikanë që duan të mbrojnë klikën e korruptuar në sistemin e drejtësisë.

Për Ramën është më mirë të flasë rreth kësaj teme në zgjedhjet e ardhshme, se sa për kilometrat e pakta të rrugëve të reja, për 300 mijë vendet e reja të punës që nuk u materializuan kurrë, etj. etj. etj.

e.z.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.