Toleranca franceze
Mbrëmë në qytetin Nice të Francës, ashtu si në shumë qytete të tjera franceze, po festohej me rastin e festës kombëtare të 14 Korrikut, dhe si gjithmonë rreth orës 11 të mbrëmjes organizohet një spektakël fishekzjaresh.
Një festim i tillë më kujton shpesh Vitin e Ri në Shqipëri, ku njerëzit e çdo lloj moshe apo kategorie sociale dalin në shesh për të admiruar fishekzjarret. E njëjta gjë ndodh edhe në Francë, por mbrëmja e Nice–s u transformua në dramë.
Që prej Charlie Hébdo (7 janar 2015), Parisit (13 nëntor 2015), dhe së fundmi Nicë-s (14 korrik 2016), Franca ndodhet në gjendje të jashtzakonshme rreziku dhe përballë një sfide sigurie kombëtare si arsye e terrorizmit të jashtëm, i mundësuar dhe shkaktuar nga njerëz të brendshëm, qytetarë me origjinë të huaj, por të lindur në tokë franceze dhe të rritur po me kulturën e këtij vendi, pra me nënshtetësi franceze.
Përtej dhimbjes së shkaktuar nga aktet barbare, natyrshëm mund të ketë apo lindë një ndjenjë tradhëtie. Me të drejtë, qytetarët mund të ndihen të tradhëtuar dhe të zhgënjyer. Ndërsa në të njëjtën kohë, radikalizmi fetar dhe ekstremizmi politik « hedhin valle », bëhen akoma dhe më të fuqishëm duke krijuar një hendek në mesin e shoqërisë franceze – frankofone.
Pas këtyre ngjarjeve të tmerrshme, lind pyetja nëse Franca (Republikë laike) është antitolerante ndaj qytetarëve të saj, francezë apo të huaj ?
Francën popullore, urbane e rurale, të cilën e njoh në brendësi prej 11 vitesh, përtej klishesë administrative ku përballemi besoj si në çdo vend të botës, mund të them pa frikë se është një ndër kombet më tolerante, më demokratike në botë.
Në Francë, qytetarët janë të lirë të shprehen, të mendojnë, të manifestojnë sa herë të duan. Përtej mundësisë ekonomike, ushqehen, vishen, argëtohen sipas dëshirës së tyre. Martohen apo bashkëjetojnë mes gjinive të kundërta apo të njëjta, mes rracave, origjinave, moshave të ndryshme. Pra, Kombi i të Drejtave të Njeriut u mundëson një liri maksimale qytetarëve të saj, liri që rrallë e hasim në shtete të tjera.
Por çdo e mirë e ka një kufi dhe që të përfitosh nga të mirat, liritë e një shteti, nevojitet gjithashtu të integrohesh. Nuk mund të jetosh në Francë duke imponuar kulturën e vendit tënd apo origjinës tënde, mund ta përdorësh atë si pjesë komplementuese, por jo imponuese.
Shpeshherë, ne të huajt ankohemi kur jetojmë në vende tolerante si Franca për « mungesë » lirie, por shpesh u bëj këtë pyetje miqve të mi të huaj : - Do e bëje apo do e thuaje një gjë të tillë në shtetin tënd ? Dhe këtu merr fund biseda sepse përgjigjja është jo.
Franca, sipas meje, është komb tolerant si me qytetarët e saj po ashtu edhe me të huajt. Fatkeqësisht, po e paguan shtrenjt çmimin e tolerancës, të cilës mesa duket i ka sosur limiti.
Franca po tradhëtohet nga nënshtetasit e saj me origjinë të huaj !
Add new comment