Zbulohen në Teheran vepra të panjohura të filozofit ibn Adi, i shkollës së kristianizmit siriak
Janë zbuluar në një medrese në Teheran të Iranit rreth 20 vepra të panjohura të filozofit Yahya ibn Adi. Lajmi është bërë i njohur nga American Philosophical Association sipas të cilit kërkimi që çoi në zbulim i drejtua nga Rob Wisnovsky i McGil University.
Ibn Adi është një filozof kristian i shkollës siriake, i cili lindi në Tikrit të Irakut në vitin 893 e.s., asokohe qendër e kristianizmit siriak(ortodoks lindor) dhe njihet si përçues i veprave të Aristotelit që rihyri në Europë më vonë me ndërmjetësinë e filozofëve më të njohur si Averroe dhe Avicenna.
Ai vdiq në Bagdad në vitin 974 dhe ishte shumë i njohur në atë kohë. Mësues dhe studiues i logjikës, por i njohur edhe për shpjegimet e tij për dogmën e Trinisë duke u nisur nga kategori të propozuara nga Aristoteli. Këto janë dëshmi se Bagdadi i këtyre kohëve ishte një qendër e diskutimit filozofik e teologjik, ndaj edhe punimet ibn Adi kanë interes historik.
Ai ka lënë edhe një kritikë mbi mendimin teologjik islamik mbi ekzistencën e Zotit. Diçka krejt e paimagjinueshme në Bagdadin e sotshëm, e pse jo edhe në pjesë të Europës ku nuk po fryjnë erëra të mira.
Add new comment