FMN: Nevojë urgjente për të ristrukturuar Tatimet, po rishfaqen borxhet ndaj biznesit
FMN njoftoi përmbylljen e misionit të radhës në Shqipëri. Në një konferencë për shtyp përfaqësuesja e FMN-së në Tiranë Anita Tuladhar përmendi si shqetësuese dy probleme, akumulin e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe mosreformimin e Drejtorisë së Tatimeve.
"Rishfaqja e detyrimeve të prapambetura në qeverisjen qendrore, kryesisht në projektet e investimeve publike, paraqet një sfidë kryesore. Po ashtu, ka pasur vonesa në miratimin e planit të ristrukturimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve"- thuhet në deklaratën e FMN-së.
Jo vetëm që nuk do të ketë ulje taksash por FMN kërkon që të zgjerohet baza tatimore dhe të vendoset taksa e pronës. "Performanca e dobët e taksave vendore thekson se sa urgjente është vendosja e tatimit mbi pronën bazuar në vlerën e saj. Për të siguruar një konsolidim të vazhdueshëm fiskal, do të jenë me rëndësi përpjekjet për zgjerimin e bazës tatimore si edhe forcimi i administratës tatimore. Po kështu, qeveria duhet të rrisë përpjekjet për të parandaluar grumbullimin e detyrimeve të reja të prapambetura dhe për të përmirësuar planifikimin dhe zbatimin e investimeve"- theksohet më tej. Ekipi i Fondit pret që rimëkëmbja ekonomike të forcohet, duke parashikuar që, për vitin 2016, rritja e PBB-së të arrijë në 3,4 për qind, mbështetur nga një fluks i madh investimesh të huaja të drejtpërdrejta në sektorin energjitik (TAP) dhe rritje graduale e kërkesës së brendshme, ndërkohë që politika monetare vijon të jetë lehtësuese.
Add new comment