Utopia e mikut dhe e armikut, ose Tjetri brenda nesh

Postuar në 27 Qershor, 2016 13:18
Ilir Yzeiri

Nëse ka një fushë në të cilën shqiptarët nuk dinë të orientohen, nuk dinë të ndërtojnë sjelljen e tyre si komb, nuk dinë të përshtaten me qëndrimet e përfaqësuesve të tyre, pra që nuk e nuk pa fund, kjo është marrëdhënia me të tjerët, me të huajt ose, thënë ndryshe, në historinë e gjatë të shtetit shqiptar nuk kemi një institucion të lakmueshëm të diplomacisë shqiptare. Figura më e madhe historike e shqiptarëve, Gjergj Kastrioti dhe shteti i tij ndërtuan për herë të parë aleancat që ata besonin se do ta ndihmonin shtetin e shqiptarëve të mbetej në anën e Perëndimit dhe në aleancën e krishterë.

Mirëpo, shekujt që erdhën më pas ishin fatalë për ne, sepse vendi u zhyt me dhunë në hapësirën e një perandorie të paanë dhe humbi aty brenda gjithë atë që kishte ndërtuar më parë. Në këtë periudhë është vështirë të flasësh për utopinë e miqve apo të armiqve. Institucionet e vetme që ruajtën dhe dokumentuan këtë utopi ishin traditat orale të folklorit dhe mitet. Nëse i lexon me kujdes ato vëren se shqiptarët janë ende në periudhën fisnore dhe në atë paraetnike, sepse marrëdhëniet me tjetrin, me mikun sidomos, ndërtohen me anë të pjesëmarrjes dhe të shpërndarjes së të mirës. Madje, në mitin shqiptar miku dhe armiku janë dy kategori të ndara prerazi.

Mik është ai që ka respektuar territorin, nderin dhe zakonet, armik shpallet ai që nuk i ka respektuar ato dhe madje është shtyrë më tej, mund t’i ketë vënë në rrezik dhe ka dashur t’i përvetësojë. Është mjaft interesante të shohësh se në këtë dichotomi të mitit shqiptar nuk përfshihet urrejtja për tjetrin e ndryshëm nga ana fetare, nga ana e ngjyrës apo e seksit. Kjo e ka përcaktuar shqiptarin si një natyrë të hapur dhe lehtësisht të manipulueshëm. Natyrisht mund të vazhdonim gjatë në këtë vijë, por kështu do të kapërcenim kufijtë e një shkrimi të tillë, ndaj është mirë të kalojmë në periudhën etnike, ku kuptimi i shqiptarit për mikun, armikun dhe aleancat ndryshon.

Është me shumë rëndësi të përmendet këtu se Rilindja shqiptare dhe diplomacia shqiptare që nisi të krijohej në këtë rast, ishte shumë e qartë dhe e orientuar drejt Perëndimit. Mirëpo, Perëndimi apo Europa nuk drejtoheshin ashtu si sot nga diplomacia e respektimit të të drejtave të njeriut dhe nga paqja. Jemi në kohën kur Europa më së shumti frymëzohej nga nacionalizmi dhe konservatorizmi, jemi në fazën e krijimit të shteteve kombe dhe në këtë rast, siç e dimë të gjithë, ndarja ose kufiri me tjetrin ishte muri fetar dhe ai kulturor. Nga kjo pikëpamje është mirë të sillet në vështrim se, diplomacia shqiptare apo aleancat shqiptare të krijimit të shtetit, ndonëse ishin të orientuara drejt, nuk prodhuan suksesin e pritshëm.

Shqiptarët dhe vendi i tyre u gjendën të rrethuar e të kryqëzuar nga fqinj që nuk e pranonin ekzistencën e tyre. Natyrisht, periudha romantike dhe ajo etnike u mbyll, por dëmi që iu bë shqiptarëve ishte i pallogaritshëm. E gjithë kjo ndodhi përveç të tjerash, sepse Europa e periudhës romantike nuk ishte Europa e sotme, sepse forcat konservatore dhe krahu nacionalist i saj e kishin të vështirë ta pranonin Shqipërinë si pjesë të saj. Diplomacia shqiptare u orientua drejt në periudhën e Mbretërisë dhe Ahmet Zogu është shtetari shqiptar më me peshë që përcaktoi orientimin perëndimor të shqiptarëve.

Ndërsa, pikërisht atëherë kur Europa braktisi politikën e saj konservatore dhe të ndarjes, pikërisht atëherë kur ajo krijoi botën e re dhe fytyrën e re të Europës, ne u gjendëm në krahun e gabuar. Dukë hedhur në zjarr e duke bërë shkrumb e hi sakrificën e mijëra shqiptarëve që u vranë në luftërat për liri të mesit të shekullit të kaluar, komunistët dhe Enver Hoxha u hodhën në kampin e Lindjes ideologjike dhe e vonuan për gati gjysmë shekulli integrimin tonë në familjen europiane. Ndërsa ajo që po ndodh në këta njëzetë e ca vjet tranzicion meriton të vështrohet në disa anë. Për fat të keq ne nuk kishim një klasë politike të aftë dhe të përgatitur që ta drejtonte vendin me shpejtësi e ta përfshinte në grupin e familjes europiane.

Pas rënies së komunizmit pushtetin e mori ish-borgjezia komuniste që u nda për arsye, në rastin më të mirë të frymëzimit intelektual, në vazhduese të komunistëve dhe në kundërshtuese ose në mallkim të tyre. Paradoksi ishte se një ish-komunist i devotshëm u bë lideri i antikomunizmit dhe një ish-komunist liberal tipik borgjez si Fatos Nanon u bë vazhdues i komunistëve të konvertuar. Nga ana tjetër, hapësira publike u mbush me lloj-lloj ligjërimesh banale nacional-romantike dhe shqiptarët, në mënyrë të pavetëdijshme, përsëritnin teksin joshës të nacional-romantizmit komunist që e shihte atdheun si projektim në fantazmën e flamurit apo të shenjave paraetnike. U ringjallën përsëri karikaturat e mitit të shqiptarit që e shpall veten qendër e botës dhe që përdor ndaj tjetrit të ndryshëm prej tij, por sidomos ndaj tjetrit që ai e ka arkivuar si armik të lindur, gjuhën e plumbit apo të përjashtimit.

Mirëpo këtu është për t’u vënë re një dukuri paradoksale. Shqiptarët i përdorin mitet tani jo për të luftuar me tekste folklorike të huajt apo fqinjët, por për t’u vrarë mes vetes, për të përçarë e për t’u eliminuar ideologjikisht. Kuptimi i shqiptarit të vërtetë, në shumicën e rasteve, është bërë miti etnik i flamurit apo ngjyra kuq e zi. Ndërsa cilësitë moderne të utopisë së shtetit si ekonomia, drejtësia, ligji, shpërndarja e drejtë e pasurisë, humanizmi dhe mëshira nuk perceptohen nga shqiptarët si themele të një shoqërie të shëndoshë. Dhe, nëse do të analizojmë atë që po ndodh sot me daljen e Anglisë nga Bashkimi Europian, ndoshta është mirë të kujtojmë se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë të favorizuar apo të pëlqyer nga politikanët konservatorë e nacionalistë europianë.

Nëse në Europë po rritet fryma e kësaj politike kjo nuk është shenjë e mirë për ne. Në këtë kuptim, ne sot duhet të jemi në alarm, sepse fati ynë politik nuk është si më parë. Në gjithë historinë tonë ne kemi pasur vetëm një aleat të qëndrueshëm që janë SHBA-të, pastaj gjithë aleancat e tjera kanë qenë të diktuara nga koniunktura historike. Shqiptarët sot në Kosovë e në Shqipëri duhet ta dinë se dalja e Britanisë nga Bashkimi Europain është një shenjë jo e mirë për ne dhe duhet të ndërgjegjësohen se në emër të Europës që duam, ata duhet të sakrifikojnë. Mirëpo, kur sheh se në Shqipëri dhe në Kosovë klasa politike prodhon vetëm skandale dhe korrupsion, trishtimi është një ngushëllim mediokër. Natyrisht, falimentimi i shteteve nuk ndodh si në periudhën romantike me armë dhe me të vrarë, megjithëse as për këtë nuk e vë dot dorën në zjarr njeri. Falimentimi mund të ndodhë kur një shtet nuk di të ndërtojë marrëdhënie me ata që i konsideron aleatë ose me ata që, në mitologjinë shqiptare, thirreshin miq e armiq.

 

"Shqip" 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.