SHELL nis shpimin e pusit Shpiragu 3 në Berat, qeveria e kënaqur me kontratën
Kompania SHELL nisi shpimin e pusit të ri, Shpiragu-3 në Berat i cili do të realizohet me sondën e instaluar të kompanisë kineze Hi Long. Pusi do të jetë i thellë dhe për shkak të komplikacioneve gjeologjike që paraqet zona, do të zgjasë më shumë se një vit (437 ditë) dhe kostoja e tij është parashikuar të shkojë rreth 72 milion USD.
SHELL është në fazën e kërkimit të naftës në blloqet 2 dhe 3. Në përfundim të shpimit dhe testimit të pusit, kompania deklaroi, në datë 4 Nëntor 2013, se ka bërë një zbulim në pusin Shpiragu-2. Ky pus dha naftë me cilësi shumë të mira fizike dhe një debit 800-1300 fuçi/ditë ndërsa 45,000-50,000 m3/ditë gas shoqërues dhe përmbajtje të ulët H2S.
SHELL, gjithashtu ka realizuar edhe shpimin e pusit Molishti-1, i cili dha informacion në lidhje me zhvillimin strukturor të brezit të Beratit si dhe rriti perspektivën e zonës, përsa i përket naftëgazmbajtjes më në jug të Shpiragut-2. Punimet sizmike të kryera në këto blloqe dhe interpretimi i tyre gjeologjik kanë hedhur dritë dhe e kanë shtuar perspektivën e zonës edhe më në jug të pusit të Molishtit. Sipas Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, investimet e kryera deri tani në kuadër të kësaj marrëveshje hidrokarbure arrijnë në rreth 270 milion USD. Në kuadër të këtij Plani, kompania do të shpojë disa puse, ku një ndër ta është edhe shpimi i pusit Shpiragu-3.
Qeveria duket e kënaqur nga kontrata e re me Shell. Ministri Gjiknuri tha se kompania ka pranuar kushte të reja shumë më të mira se kontratat e mëparshme. “Duke aplikuar filozofinë tonë që të garantojmë disa të drejta më të mira për shtetin, pra që pasuritë hidrokarbure të shkojnë dhe të ndahen në mënyrë shumë të drejtë. Dua ta falenderoj për bashkëpunimin që na bën të mundur të vëmë për herë të parë një tavan për shpenzimet, duke krijuar garanci që qeveria shqiptare dhe shteti shqiptar të marrë të ardhura që në fuqinë e parë të naftës dhe jo siç ka ndodhur deri tani, që kalonin shumë vite dhe përveç rentës shteti shqiptar merrte shumë pak”-deklaroi Gjiknuri.
Add new comment