Dekriminalizimi, Prokuroria merret në mënyrë të posaçme me PS-në. Radha i vjen Artur Bushit në Krujë. Flamur Noka? “Do kërkojmë materiale shtesë”
Prokuroria ka nisur hetimin për Elvis Roshin, kryebashkiak i Kavajës. Ndonëse çështja e tij ka fituar përmasë të ekzagjeruar politike për shkak të mbrojtjes që po i jep qeveria, janë edhe raste të tjera për të cilat organi i akuzës është vënë në lëvizje. Kështu ajo i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve verifikimin paraprak të formularit të vetëdeklarimit për dekriminalizimin, dorëzuar nga kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi. “Në bazë të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, verifikimi paraprak kryhet nga institucioni që i administron formularët, që në rastin konkret është KQZ-ja. Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme i drejtohet këtij institucioni për të kryer verifikimin fillestar. Pas këtij verifikimi, materiali duhet t’i përcillet Prokurorisë, e cila do të vijojë procedurat e saj, sipas përcaktimeve ligjore”, njofton organi i akuzës.
Më tej, ky institucion ka vlerësuar se pretendimet e Partisë Socialiste për ish-ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, nuk përbëjnë prova. “Kallëzimi është shoqëruar me një material, i cili nuk mund të konsiderohet provë dhe është i paqartë. Për këtë arsye, Prokuroria do të kërkojë materiale shtesë në strukturat e specializuara, për të vlerësuar nëse ka vend ose jo për hetim të mëtejshëm”, thuhet në njoftim.
Add new comment