Orban sërish në vëmendje: "Clinton është goja, Soros, zëri. Synojnë të sjellin 1 milionë myslimanë në Europë"
Victor Orban, kryeministri hungarez ka ardhur sërish në qendër të vëmendjes së mediave. Kësaj radhe për shkak të disa reagimeve të tij ndaj kandidates për presidente në SHBA, Hillary Clinton, ish-presidentit Bill Clinton dhe financierit të njohur me origjinë hungareze, George Soros. Gjatë një interviste, dhënë për radion publike të Hunagrisë, Orban, iu bashkua kritikave të politikanit polak, Jaroslaë Kaczynski, sipas të cilit “Clinton duhet të konsultohet me një doktor”. Orban, por edhe ministri përgjegjës për zyrën e tij, Janos Lazar, deklaroi në një konferencë për shtyp, se pas qëndrimeve të Clinton dhe Soros, është ideja e Barack Obamës, që imigrantët duhet të vendosen në Europë. Sipas Lazar, Soros do të nisë veprimet kundër qeverisë së Orban së shpejti, pasi e cilëosn atë si armikun më të rrezikshëm politik në Europë. Lidhur me këto deklarime, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka deklaruar se “nuk jam i sigurtë nëse ia vle t’u përgjigjesh”.
Acarimi i Orban dhe liderit polak, Kaczysnski me Clinton, erdhi pas deklaratave të Bill Clinton, në një takim me përfaqësues të diasporës hungaro-amerikane në Neë Jersey, ku ai tha se: “Polonia dhe Hungaria – dy vende që nuk do të ishin të lira po të mos ishte për SHBA-të dhe për Luftën e Ftohtë, tani kanë vendosu se demokracia krijon shumë telashe. Ata pëlqejnë diktatura të tipit të Putin”. Më tej Clinton e krahasoi Orban me Donald Trump, duke paralajmëruar kështu kufizimin e hapësirës së lirisë dhe demokracisë në Perëndim(http://hungarianfreepress.com/2016/05/26/hungarian-americans-agree-with-president-clinton-orban-is-a-putin-clone/).
Një arsye që sillet nga Orban si shkak për përplasjet, por që duket më shumë si alibi e një populisti, është çështja e imigrantëve. Kryeministri hungarez ka deklaruar se pas Partisë Demokratike në SHBA, duhet parë George Soros, që sipas Orban, ka kërkuar që Europa të pranojë të paktën 1 milionë imigrantë myslimanë, por Hungaria ia ka prishur këto plane. “Goja është Clintoni, zëri është George Soros”, duke shtuar më tutje se forca politike e opozitës hungareze qëndron më poshtë se ajo e OJQ-ve të financuara nga financieri i njohur. Imigracioni sipas tij nuk mund të jetë vetëm një çështje humanitare, por edhe një çështje sigurie. “Asnjë nuk do që t’i japë çelësat e shtëpisë së vet, një të huaji”, shtoi ai. Por sa i sinqertë është kryeministri hungarez:?
Sipas kreut të koalicionit opozitar, Ferenc Gyurcsány, cilësimet e Orban për Soros janë thjesht shenja mosmirënjohjeje, në mos pas tyre janë interesa ruse. Ai ka shtuar se Orban i detyrohet Soros për bursën e studimit në Angli, njësoj si zyrtarë të tjerë të partisë në pushtet, Fidesz, si p.sh József Szájer, Zsolt Németh dhe zëdhënësi i qeverisë Zoltán Kovács(http://budapesttimes.hu/2016/05/28/orban-lazar-scorn-clinton-soros/).
Orban ka folur shpesh edhe për identitetin kristian të Europës, duke apeluar në një nacionalizëm me bazë fetare. Po sa e besueshme është kjo, kur vetëm sot, Papa Franccesku, në takim me fëmijë të imigrantëve në Kalabri, ka deklaruar se “Imigrantët nuk janë rreziku. Ata janë në rrezik”(http://www.avvenire.it/Chiesa/Pagine/papa-accoglie-500-bambini.aspx).
Add new comment