Kundër rrymës: Anëtarësia partiake, partitë politike dhe shoqëria në Shqipëri
Gara elektorale në Shqipëri, shoqërohet pashmangshmërisht me garën e anëtarësimeve frenetike në partitë politike. Turma të rinjsh plot entuziazëm filmohen sa nga njeri cep i vendit në tjetrin, teksa marrin kartën e anëtarësisë, indikator ky i besimit të patundur te partia për një të ardhme të ndritur dhe shpresëplotë. Në zgjedhjet e fundit, sipas të dhënave të deklaruara nga partitë politike, Partia Socialiste kishte rreth 73,000 anëtarë, Partia Demokratike rreth 100,000 anëtarë dhe Lëvizja Socialiste për Integrim rreth 31,000. Teksa shifrat e deklaruara nga partitë politike merren përgjithësisht me rezervë, për shkak se krerët e partive tentojnë të deklarojnë shifra që janë më të larta se sa realet për të treguar se kanë mbështetje të gjerë e për pasojë legjitimitet, shifrat e deklaruara janë megjithatë pranë të vërtetës.
Natyrshëm lind pyetja: A është shenjë e mirë kjo e anëtarësimeve të larta në partitë politike shqiptare? Nëse vendosim t’iu besojmë shifrave, partitë politike shqiptare kanë rreth 12% të elektoratit të anëtarësuar në radhët e tyre, shifër kjo shumë më e lartë se ajo e vendeve të Evropës Perëndimore apo edhe e vendeve postkomuniste. Të jenë vallë më të lidhura me shoqërinë partitë politike shqiptare se sa simotrat e tyre në Perëndim?
Vitet e fundit, anëtarësia në partitë politike në vendet e Evropës Perëndimore ka përjetuar një erozion aq të madh, sa natyrshëm lind pyetja: A është anëtarësia partiake ende e rëndësishme për sistemin politik në Evropë? Studimet tregojnë se përgjithësisht partitë politike në Evropë arrijnë të anëtarësojnë vetëm 4.7% të elektoratit, shifër kjo ndjeshëm më e ulët sesa në rastin e partive politike shqiptare. Ndërkaq, shkalla e organizimit në vendet postkomuniste është ndjeshmërisht më e ulët sesa në vendet e tjera në Evropë: pothuaj të gjitha demokracitë postkomuniste janë nën mesataren Evropiane, duke pasur një ankorim partiak në elektorat që vërtitet në vlerat e 2-2.5%, gjë që e nxjerr Shqipërinë jashtë grupit të vendeve me të cilët ndan të shkuarën komuniste.
Përgjithësisht, numri i anëtarësisë tregon lidhjet e partisë me elektoratin: sa më të larta shifrat e anëtarësisë, aq më e fortë lidhja e partisë me elektoratin. Në këtë kontekst, arsyeja se pse vendet postkomuniste kanë një lidhje kaq të dobët me elektoratin, ka të bëjë me mungesën e ndarjeve të qarta tradicionale në shoqëri (sistemi komunist i sheshoi të gjitha dasitë klasore, duke e bërë të pamundur identifikimin e grupeve të ndryshme në shoqëri). Megjithatë, si demokracitë e reja ashtu edhe ato të vjetra kanë të njëjtin trend: shifrat e anëtarësisë zvogëlohen nga njëri vit në tjetrin. Arsyeja për këtë rënie ka të bëjë me krizën aktuale të besimit që qytetarët kanë ndaj partive politike. Në vendet postkomuniste, pas entuziazmit të parë për demokracinë, shumë qytetarë u larguan prej politikës edhe për shkak të trashëgimisë komuniste që la një ‘shije të hidhur’ për pjesëmarrjen në politikë dhe vullnetarizmin.
Atëherë, pse Shqipëria qëndron veç vendeve të tjera? Pse të rinjtë rendin të anëtarësohen në partitë politike? Tradicionalisht, anëtarësia ka shërbyer si një ‘pishinë’ burimesh njerëzore për të plotësuar vendet vakante në hierarkinë partiake. Po kështu, anëtarësia, përmes kuotizacionit, ka shërbyer edhe si një burim financiar për aktivitetin partiak. Së fundmi, anëtarësia ka shërbyer edhe si një ‘zinxhir transmisioni’ për të shpërndarë mesazhin e partisë: prej qëndresës në cepat më të largët të vendit. Në një analizë sipërfaqësore, lehtësisht mund të vihet re se anëtarësia e partive politike shqiptare ka reshtur së kryeri dy funksionet e fundit: të ardhurat e partisë nga anëtarësia janë ose zero ose afër zeros dhe televizioni, facebook dhe twitter kanë zëvendësuar rolin e gazetës partiake, duke e bërë të panevojshëm rolin e anëtarësisë në shpërndarjen e lajmit.
Sërish pyetja: Pse rendim pas partive politike kur nuk kemi besim dhe kur nuk na përfaqësojnë? Si ia dalin partitë politike shqiptare ta integrojnë elektoratin në shifra kaq të larta? Në mungesë të atashimeve programatike dhe besimit, i vetmi faktor që shtyn të rinjtë të rreshtohen politikisht është se partitë politike shqiptare janë klienteliste dhe si të tilla ato shpërblejnë me vende pune vetëm mbështetësit e tyre. Andaj, shkëlqimi i partive politike shqiptare nuk është gjë tjetër, veçse mjerimi i demokracisë shqiptare.
*pedagoge, UET
"Mapo"
Add new comment