Fusha e minuar e përgjimeve dhe e shkeljes së privatësisë

Postuar në 24 Maj, 2016 04:46

Pas përballjes me “Apple” për dekodimin e një iPhone, Byroja Federale Amerikane e Hetimit – FBI – përfshihet në një tjetër rast kritik për privatësinë e përdoruesve të internetit. CNN njofton se Byroja i ka kërkuar një prej zhvilluesve të softuerit Tor – që të dalë në gjyq për të dëshmuar në kuadër të një hetimi kriminal për veprimtari hakeruese. Isis Agora Levecruft , emri i personit, është larguar drejt Gjermanisë, menjeherë sapo agjentët federalë kanë trokitur në derën e shtëpisë së saj. “U shqetësova se do të më pyesnin për diçka që dëmton njerëz të pafajshëm  dhe më ndalon mua që t’ua bëj me dijë atë që po ndodh”, deklaroi ajo në një intervistë për CNN(http://money.cnn.com/2016/05/17/technology/tor-developer-fbi/index.html?iid=hp-stack-dom).

Nga ana tjetër, agjentë federalë i kanë thënë televizionit amerikan, se personit në fjalë, i është kërkuar që të ndihmojë në një çështje me të cilën, sipas FBI-së, “ajo ka lidhje”. Ndihma që i kërkohet në këtë rast është zbulimi i vendndodhjes së përdoursve të hetuar, të cilën “Tor” e realizon më së miri. Softi është ndër më të përdorurit në botë dhe ka si synim anonimatin online, shmangien e identifikimit të vendndodhjes së përdoruesit, shmangien e analizës së trafikut, pra gjurmimin dhe shërben më tej edhe si instrument për të zhvilluar mjete të reja komunikimi të sigurta.

Në faqen online të “Tor”, thuhet se edhe gazetarët e përdorin atë kur flasin me sinjalizues apo informatorë që kanë gjëra delikate. Është pra një nga garancitë që agjencitë qeveritare të mos fusin hundët në emër të alibisë së përjetshme që quhet: siguria kombëtare.

Kërkesa e FBI-së në këtë rast do të minonte sigurinë edhe të këtij mjeti me një mënyrë që duket se provon se përpjekjet për ta thyer në rrugë informatike kanë dështuar.

Një rast i çarjes së “Tor” është konstatuar në vitin 2012, me një bashkëpunëtor të revistës “Foreign Policy”, një aktivist maroken që propagandon kundër qeverisë së vendit të tij. Në një shkrim të prillit 2016, revista shkruan se thyerja ndodhi përmes një e-maili, i titullluar si dhënie informacioni konfidencial, klikimi i të cilit hapi rrugën e infektimit të kompjuterit me një virus shumë të sofistikuar që zbulonte të gjitha të dhënat. Pas këtij operacioni qëndronte e mirënjohura “Hacking Team” e drejtuar nga italiani, David Vincenzetti, që konsiderohet se ka krijuar një nga kompanitë më të suksesshme të atyre që thirren si “mercenarët e epokës dixhitale”(http://foreignpolicy.com/2016/04/26/fear-this-man-cyber-warfare-hacking-team-david-vincenzetti/).

Për kujtesë “Hacking Team” u përfol edhe në mediat shqiptare para disa muajsh, si një nga kompanitë që do t’i ofronte qeverisë shqiptare mundësi përgjimi, që operojnë në formën e sipërpërmendur(http://shqiptarja.com/news.php?IDNotizia=304448).

Ky sqarim ka rëndësi pasi lidhet me faktin se bota e internetit shtron disa specifika të vetat për privatësinë, të drejtat dhe raportin me ligjin. “Hacking Team” prodhon softe përgjimi dhe kjo nuk ka asgjë të keqe, pasi teorikisht do të jetë gjykata që vendos nëse kjo duhet të bëhet apo jo.

Ky është problem në të gjithë botën. Në rastin e sjellë në fillim të shkrimit, çështja ka shkuar në mbrojtje ligjore, teksa e ëma e Lovecruft iu drejtua një avokati të specializuar për ligjet e survejimit dhe tekonlogjisë. Avokati sugjeroi takim mes klientes dhe agjentëve në prezencë të tij, por agjentët refuzuan duke kërkuar takim direkt.

Sipas Lovecruft ajo që kërkohet, madje në mënyrë agresive, është ndihma për të thyer mbrojtjen  e “Tor”, e për të gjetur mandej vendndodhjen e dikujt që FBI e kërkon me ngulm. Por ky do të ishte fundi i programit dhe shkelje privatësie për mijëra prodorues. Nga ana tjetër nuk ka asnjë shkelje ligji nga Lovecruft, por pavarësisht kësaj, FBI, njësoj si në rastin e “Apple” do të marrë atë që kërkon. Këtu jemi ende në fazën e hetimit dhe FBI-ja synon të përmbushë objektivat e vet me mjete jo shumë ortodokse që krijojnë premisa për të hyrë lirisht në zonën e mbrojtur Teknikisht të privatësisë. Pra në vijën e kuqe të të drejtave.

Edhe në një rast të janarit të këtij viti, kur Byroja asgjësoi një rrjet pedofilësh që zinte fill në Hollandë, e bëri këtë jo duke thyer Tor, por duke përgjuar dhe duke kapur administratorin e rrjetit social që ushtronte këtë aktivitet në flagrancë dhe duke arritur të merrte të dhënat për hyrje.

Tor pra mbetet ende në fuqi dhe ky është problemi për agjencitë e ligjit. Duket si një problem shumë teknik, por ka implikime esenciale për të drejtat, gjykimi i të cilave është në tagrin e gjykatës.

Kur këto përballje të acaruara ndodhin në SHBA, është e lehtë të imagjinohet se çfarë aventure e rrezikshme është loja me përgjimet që do të bëjë qeveria shqiptare, e cila së fundmi hodhi idenë e detyrimit të ISP-ve që të japin adresat e përdoruesve. Pa sqaruar se çfarë do të thotë kjo, thjesht me një amendim në ligj dhe në kushtet kur shumica e njerëzve që përdorin internetin në Shqipëri nuk e kanë idenë se kush e ruan privatësinë e tyre. Dhe sesa autoritetet ligjzbatuese janë në gjendje të njohin atë informacion që kërkojnë, ta menaxhojnë atë apo të kuptojnë sesa fushë delikate është kjo.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.