Anashkalim dhe shkelje e ligjit si standard – që nga restaurimi i kryeministrisë e deri te busti i Clinton në Sarandë

Postuar në 17 Maj, 2016 18:25

Një media lokale e Sarandës, “sarandaweb.net”, raporton se Këshilli Bashkiak i këtij qyteti ka miratuar – me propozim – të kryetares së bashkisë, Floriana Koka – vendosjen e një busti të Hillary Clinton, në bulevardin kryesor të qytetit. Meqenëse koha dhe nervi për të debatuar për monumentet që ngremë, një formë e ngurtësuar e kujtesës së të ardhmes, nuk ekziston, mbetet që vëmendja të transferohet te prcedurat dhe transparenca. Ja si po procedohet për bustin e Clinton, sipas “sarandaweb.net”:

"Vendimi u mor pas propozimit të kryetares së Bashkisë së Sarandës Floriana Koka në nderim të mbështetjes së saj për shqiptarët. Busti është vepër e skulptorit Idriz Balani. Këshilltarët bashkiakë të qytetit në skajin më jugor shqiptar vlerësuan kontributin e zonjës Hillari Klinton për çështjen shqiptare dhe miratuan njëzëri propozimin. Por ajo qe ben pershtypje eshte fakti se kemi te bejme me nje vendim te paracaktuar. Ne rastin qe keshilli bashkiak mori vendimin per vendosjen e nje statuje, pas ketij vendimi duhet te kishte dhe konsultime me specialiste te fushes se cfare busti duhet te vendesoj, bust prej bronzi, mermeri apo ne cfare materiali qe i pershtatej dhe vendit ku do te vendosej. Dhe normalisht duhet te shpallej nje gare permes nje konkursi ku do te ftoheshin skulptoret per te paraqitur projektet e tyre. Ne rastin konkret kemi faktin e kryer, ku mungon transparenca per proceduren e ndjekur per blerjen e nje busti te parapergatitur. Nje handikap tjeter ne kete vendimmarrje eshte edhe fakti se busti i Hillari Klinton do te vendoset ne Sheshin Tereza, te ciles i mungon ende statuja. Mos ndoshta ne nxitim e siper per t`i gjetur vendin nje busti po behemi edhe pak qesharak?”(lexo këtu).

Është një “lajm” që nuk duhet të kapërcente Qafën e Gjashtës, hyrja e këtij qyteti që ka emërtesat e rrugëve, apo edhe të stadiumit, nga më qesharaket në Republikë. Por lajmi fiton profil tjetër kur pikërisht për këto arsye që përmenden në shkrim, pra të procedurave, ai ngjan si dy pika uji, me atë që na dhuroi para disa kohësh, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.  Këtu: http://www.respublica.al/2016/05/17/busti-i-papa-françeskut-–-të-premten-u-miratua-në-këshillin-bashkiak-sot-u-vendos, mund të lexohet sesi u veprua për vendosjen e bustit të Papa Françeskut, përmes një vendimi të marrë të premten dhe formalizimit të tij të martën.

Ecim më pas në kohë dhe do të konstatojmë se këto shkelje procedurash, që provojnë se koncepti që dominon për shtetin, nuk i afrohet as protokollit të mbledhjeve ilegale në Kasollen e Galigatit, janë në gjenezë të kësaj qeverisjeje. Kujtojmë see ndërhyrjet restauruese në interierin dhe moblimin e kryeministrisë, u bë siç na tha kryeministri “me ndihmën e disa miqve”.

Tani që kanë kaluar tre vjet e kusur, e dinë të gjithë kush janë miqtë, në kuptimin e kategorisë dhe sesi ata në të vërtetë, janë vetëm Miq të karriges dhe asnjëherë filantropë, nga ata për të cilët na foli së fundmi, Shën Llazari i Rilindjes, Artan Lame i rikthyer. Duke besuar te raportimi i faqes së sipërcituar, mund të shohim përsëritjen e një modeli që e anashkalon ligjin, që e shpërfill atë, që e trajton hapësirën publike si private, ca më keq, partiake, përherë në kërkim të dukjes së ndonjë pune që edhe kur është e mirë, dëmtohet nga kjo sjellje.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.