Dyshimet për përgjime të paligjshme nga policia, Çako fut në lojë italianët
Policia është nën presionin e prokurorisë për të zbardhur përgjegjësinë e saj në instalimin e një pajisjeje përgjuese në zyrat e saj. Dy ditë pas nisjes së hetimeve, prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e pajisjes përgjuese të paautorizuar, që është instaluar në zyrat e Policisë së Shtetit. Gazeta "Mapo" raporton se dy oficerë të Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë janë paraqitur në zyrat e policisë mëngjesin e djeshëm, me vendimin e sekuestrimit në dorë. Ata mësohet se kanë kërkuar takim me titullarin, drejtorin e Përgjithshëm të Policisë. Por nga stafi i tij, hetuesit janë njoftuar se kreu i policisë dhe zëvendësi i tij ndodhen në një aktivitet në Akademinë e Sigurisë.
Kështu që oficerëve të prokurorisë ju është dashur të presin për rreth 5 orë për të marrë kontakt me kreun e Policisë së Shtetit, Haki Çako. Ata e kanë njohur kryepolicin me urdhrin e sekuestros së pajisjes përgjuese, që sipas SHISH ndodhet në zyrat e policisë, por Çako ka deklaruar se kjo pajisje nuk është nën administrimin e policisë shqiptare.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka pranuar se ekziston një pajisje e tillë, por që administrohet nga partnerët italianë të misionit "Interforza", të cilët e përdorin atë për trajnimin e policisë shqiptare. Pas këtij shpjegimi të kreut të policisë, hetuesit e prokurorisë kanë mbajtur një procesverbal me thëniet e z. Çako. Sipas informacionit të SHISH, dërguar Presidentit të Republikës dhe Prokurorit të Përgjithshëm, pajisja është shumë e sofistikuar dhe është instaluar në zyrat e Policisë së Shtetit.Duke qenë se kjo pajisje nuk ka qenë e autorizuar nga Prokurori dhe as e regjistruar në regjistrat përkatës, është urdhëruar nisja e hetimeve. Hetimi është regjistruar tre ditë në parë në njësinë “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës fillimisht me objekt “shpërdorim detyre” dhe pa autor.
Tashmë pritet të identifikohen personat që administrojnë këtë pajisje, që sipas Shërbimit Informativ mund të jetë përdorur edhe për përgjime të paligjshme. Për këtë çështje, komentoi dy ditë më parë dhe Presidenti i Republikës, i cili tha se autoritetet duhet të hetojnë rastet, për të provuar vërtetësinë e kësaj pajisjeje përgjuese të paautorizuar.
Add new comment