Liderët...

Postuar në 11 Maj, 2016 16:06

Dy ditët e fundit, lajmet për pjesëmarrjen e ambasadorëve Donald Lu e Romana Vlahutin në mbledhjet e Grupeve Parlamentare të PS-së e LSI-së, nuk i kanë lënë shqiptarët pa argëtimin e zakonshëm që karagjozët e politikës ofrojnë falas. Përveç diskutimit se pjesëmarrja e ambasadorëve në këto mbledhje është shumë fyese dhe lidhet me sovranitetin – i cili nuk mund të kuptohet pa dinjitetin – interes përbën sjellja e atyre që i quajnë, apo vetëquhen Liderë. Impotenca e tyre që doli lakuriq, si atuja e vetme që kanë në politikë. Kështu, pas ikjes së ambasadorëve nga mbledhja e Grupit të PS-së, kryeministri i vendit, lideri, shkëlqesia e tij Edi Rama, i bërtiti deputetes Mimoza Hafizi. Një histori kjo që bën me turp edhe skenaristët e filmave të animuar që zakonisht i lejojnë vetes një marzh të madh humori.

Në krahun tjetër, parodia arrin kulmin. Lideri Historik, i cili gjithsesi mbeti në vend të dytë, njëherë pas Gjermanisë në zhvillimin e Shqipërisë, e njëherë pas Skënderbeut si lider në renditjen informale të komentuesve të ndryshëm anonimë në internet, i bëri bisht mbledhjes dhe iku. Sali Berisha nuk u paraqit në mbledhjen e Grupit, mungesë e cila përmes një njoftimi zyrtar u arsyetua me faktin se “ai i takon shpesh ambasadorët”. Kjo është e vërtetë. I takon dhe i mban mend, ndaj edhe për ta thënë me një gjuhë të qartë: I zbret kalit me vrap.

Mungesa e Berishës në mbledhje la Lulzim Bashën si lider të mbledhjes, gjithnjë në proteksionin e ndonjë të huaji, tashmë jo në mënyrë implicite, por hapur. Duket se Basha ishte aty si njeriu i Lusë, pavarësisht zërave për dinjitet që vijnë nga veshtullorë politikë që në karrierën e tyre kanë gëlltitur çdo gjë. Pa patur nevojë të (s)kuqen.

Në pritje të mbledhjes së tretë, atë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, pra të prezencës së Lu-Vlahutin aty, ka lajme. Tipike për LSI-në. Sot u bë e fitur se u arrestua një persona në Sarandë si i lidhur me trafikun ndërkombëtar të drogës, e që ishte “nga radhët e LSI-së”. Po kështu, ministri i kësaj partie, Haxhinasto, ndodhet në mes të një skandali që implikon vdekjen e dy personave në një aksident në Kavajë.  Përveç qetësisë dhe dashurisë së Metës, asgjë nuk të bën të kesh besim në atë parti. Ndaj do duhet pritur se çfarë do thotë Lu dhe Vlahutin, gjithnjë nëse kanë kurajo që të çajnë sovranitetin e LSI-së dhe dinjitetin e Ilir Metës.

Situata pra është e mjerë edhe me standarded e Edi Ramës apo të Ilir Metës e Sali Berishës. 20 vite karrierë politike dhe batërdi me paranë publike, nuk mjaftuan që t’i piqte këta sa për të marrë një vendim pa kujdestarinë e atyre prej të cilëve janë ende aty ku janë. Edhe në humbje mundet që të kishte diçka më shumë seriozitet, apo dinjitet, pasi po flasim për tre nga njerëzit më të pasur në Shqipëri.  Dhe kur je i pasur, dinjiteti në sjellje është detyrim i sërës ku bën pjesë.

Sheh këtë paradë veshtullorësh politikë që ulërasin sa kanë kokë dhe nuk di njeriu çfarë të mendojë më për institucionet dhe Parlamentin, aty ku e vetmja përmbajtje që ka mbetur është kurthi ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe pabesia në qeverisje. Sheh këtë paradë “liderësh të Ballkanit” dhe ngjan e pabesueshme sesa kollaj këta e gëlltisin çorbën që ua gatuajnë të tjerët. Sesa shpejt e puthin çdo dorë që u drejtohet, me prerogativën e “homos politicus” si alibi. Pasi alibia është qëllimi dhe taktika, asgjë tjetër.

Situata është groteske, pasi poshtërimi  që po u bëhet sot këtyre nga diplomatë të huaj,  duket se  ofron të vetim shans që të hidhet një hap për krijimin e kuadri korrigjues dhe ndëshkues në Shqipëri. Por kjo konfirmon edhe sesa të paaftë kemi qenë të gjithë që të realizojmë rotacionin e elitave politike. Sesa pak vlen vota jonë dhe sesa pa iniciativë jemi si shoqëri. Ndaj kjo që po ndodh vërtet që është një sinjal rrënues për karrierat e disa njerëzve që tani janë vetëm Kukulla, por edhe për shoqërinë në tërësi, e cila e ka dorëzuar çdo vendimmarrje te shpresa e një protektorati.  I cili së fundmi , ironikisht, po dëshmohet si zëri i vetëm pro interesit publik të shqiptarëve. 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.