Shënim: Berisha, një karrem njësoj si ai në vitin 1997

Postuar në 08 Maj, 2016 18:35

Dy ditët e fundit në disa media është ngritur shqetësimi se një nen i reformës në Drejtësi që flet për hetimin e zyrtarëve të lartë krijon mundësi që ish-ministra të qeverisë së Sali Berishës t’i ikin gjykimit nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë dhe e Apelit.

Kjo tezë ka nisur të qarkullojë duke e vendosur në kontesktin e kërcënimit të Sali Berishës me armatosjen dhe krahasimin me 14 shtatorin e vitit 1998. Më tej, këto kërcënime janë analizuar si mjet negociimi për të rregulluar diçka tek e drejta e hetimit në kuadër të reformës në drejtësi, e cila i heq Prokurorisë aktuale ekskluzivitetin për disa çështje siç është hetimi i zyrtarëve të lartë.

Që po negociohet për të arritur një marrëveshje kjo është shumë e qartë. Disa arrestime të fundit, rrjedhja e informacioneve delikate për përfshirje të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit në marrëdhënie me persona “nën hetim intensiv”, hapja e çështjes së Emiljano Shullazit, dhënia nga opozita dhe sidomos Berisha e një roli Prokurorisë, i ndarë nga ai i Policisë në ndalimin e disa personave, hetimi i çështjes CEZ, akuzat e përditshme ndaj ministrit të Shëndetësisë, çështja e mandatit të Koço Kokëdhimës, kundërvënia ndaj shkeljeve ligjore të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, projekti i stadiumit kombëtar, etj.,- të gjitha këto pra, përpos se janë tema që çdo opozitë do t’i kishte bërë axhendë të vetën, janë njëkohësisht edhe instrumente presioni ndaj shumicës. Instrumente që synojnë të korrigjojnë një draft që presupozohet problematik dhe që mund të hapë rrugën për arrestime të nivelit të lartë nesër.

Këtij shqetësimi që “mbiu” ashtu “papritur” pas muajsh e muajsh diskutimi për reformën, i ka dalë sot ballë një nga bashkëpunëtorët e kreut të PS-së, deputeti Erjon Braçe. Përmes një statusi në Facebook, Braçe garanton se nuk ka marrëveshje me Berishën: “Po lexoj nje fluks shume te madh mesazhesh, lidhur me nje shqetesim te perhapur mbi egzistencen e nje neni ne projektin e reformes ne drejtesi qe amniston ministrat e Berishes. Rrini te qete! Nuk negociojme me kerkend amnisti, pavaresisht ne jane ish pushtetare apo pushtetare aktuale, ne cilindo nivel te pushtetit! Zero! Te gjithe te barabarte para ligjit, pa asnje perjashtim! Ta kerkoj kush te doje. Kjo nuk ndodh! Ne kete vend, pushteti fashist i Sali Berishes ka kryer krime te perbinshme qe kerkush me pare, nuk i ka kryer! Diktatura e konkuron vetem”, shkruan Braçe.

I cili rendit ndër krimet ato që janë bërë libreti i akuzës ndaj Sali Berishës:  “Krimi shteteror i Gerdecit,  pushkatimi publik ne 21 janar, vjedhja e llahtarshme ne Rreshen-Kalimash-Kukes-Morine, privatizimi rrenues i ARMO, Albpetrol, 4 hidrocentrale, portit te Durresit dhe kantjereve ne te, rafinerise se Cerrikut, privatizmi i OSSH dhe vendimet favorizuese per monopolin e krijuar etj..Nuk amnistohen kurrë. Une e kuptoj se Berisha e Basha vonojne e presojne per pazar!! Por, pazar nuk ka. Ta harrojnë. Para drejtësisë cilido që ka shkelur ligjin”, shkruan deputeti socialist, i futur në listat e kandidatëve në vitin 2013, vetëm falë ndërhyrjes së Koço Kokëdhimës. http://www.gazetatema.net/ëeb/2016/05/08/rrini-te-qete-nuk-ka-amnisti-per-berishen-dhe-familjen-e-tij/.

Këtij paragrafi prej jakobini nuk ke çfarë t’i shtosh, as t’i heqësh gjë. Ndonëse zotëria është deputet, jo prokuror, as gjykatës. Kjo duhet nënvizuar pasi jo rrallë përfaqësues të mazhorancës e përdorin si alibi tezën se “qeveria nuk gjykon”. Z. Braçe nuk sqaron se çfarë ka kërkuar Berisha dhe Basha për negociim dhe cilat janë mekanizmat që mazhoranca e drejtësisë virtuoze ka ndërmend të shtjerë në punë në mënyrë që “sistemi të mos korruptojë më njerëzit”? Nga ana tjetër, përcaktimit të deputetit socialist se “Nuk negociojme me kerkend amnisti, pavaresisht ne jane ish pushtetare apo pushtetare aktuale, ne cilindo nivel te pushtetit...” mund t’i vihet përballë përvoja jonë si qytetarë të këtij vendi dhe si viktima të mashtrimeve që burojnë nga përbetime si këto.

Nuk është hera e parë që Sali Berisha vjen në vështrim si një lloj krimineli me imunitet të blinduar. Por nuk është hera e parë as edhe kur Robin Hudë si Erjon Braçe bëjnë be e rrufe se do vënë drejtësi. Në vitin 1997, pasi socialistëve u ngeli në dorë pushteti i një konflikti absurd, deklaruan se Berisha do të çohej në burg. U ngritën askohe komisione hetimore për Fajdet, për ngjarjet e vitit 1997, u arrestuan edhe gjashtë zyrtarë të pushtetit të PD-së në vitet 1992-1997. Finalja? Asgjë. Zero. Për qytetarët kuptohet, pasi për politikën këto nisma realizuan Mbylljen e Dosjeve në funksion dhe në emër të pazarit. Ndoshta kanë kaluar shumë vite dhe kanë ndodhur shumë ngjarje, të cilat e kthyen në standard dhe normë bashkëjetesën me të ligën dhe mashtrimin politik. Por ky rast, njësoj si 14 shtatori që sot Berisha e tund publikisht si kërcënim, na mësojnë, dhe duhet të na kujtojnë që atyre që betohen për drejtësi, pa na treguar sesi, pa na shpjeguar se Kush përveç ambasadave, do ta ushtrojë këtë, nuk i duhet besuar Asnjëherë më. Ose kemi të drejtën të jemi dyshues radikalë.

Z. Braçe është një nga dy personat që i rrahën shpatullat Sali Berishës ditën e shpërthimit të Gërdecit, që sot një zv.ministër socialist e ka zyrtarizuar si Aksident Teknologjik. Njësoj si për 21 janarin Grada e sotme firmos se përdorimi i armëve u bë në rrethana objektivedhe ligjore. Kush do të vendosë drejtësi dhe kush e ka tagrin: Ligji, apo retorika politike që turbullon mendjet?

Le të na shpjegojë z. Braçe, se përse për akuzat e rënda që ka hedhur së fundmi Sali Berisha, që nga kërcënimi i rektorit Mynyr Koni, e më pas, Ministria e Brendshme, apo ministri, nuk kanë bërë asnjë Përgënjeshtrim të vetëm?

Pse ministri i Shëndetësisë nuk ka reaguar qoftë edhe njëherë për akuzat për konçesionet, për të cilat ka edhe hetim penal?

Dhe në fund: pse asnjëherë të vetme, Erjon Braçe, apo edhe PS-ja nuk ka bërë një deklaratë Distancuese nga akuzat për korrupsion ndaj zyratëve të vet? Duke lehtësuar rrugën e hetimit?

Kaq oshënare është kjo qeveri, saqë çdo gjë që i adresohet asaj është vetëm baltë? Këtu nuk po përmendim partnerin e z. Braçe në qeveri, Ilir Metën dhe as atë që ndodh pas tij, pasi këto na i ka thënë deputeti socialist vetë.

Duke parë këtë zhurmë, këtë lëkundje dhe pasiguri që kreu i mazhorancës, Edi Rama, ka dëshmuar në këto muaj, është legjitime të nxjerrësh konkluzionin se nga të dyja palët po negociohet. Jo vetëm nga Sali Berisha. I cili negociatën po e ndërton me fakte të rënda të aktualitetit, përballë kundërshtarëve që luajnë me “krimet e tij” që i mbarështojnë në “serën e propagandës”.  Por edhe nga socialistët, kryeministri, Ilir Meta, deputetë të ndryshëm, të cilët janë të zhytyr të gjithë në një klimë të përgjithshme korrupsioni. Ta reduktosh Reformën në Drejtësi tek emri i Sali Berishës dhe familjarëve të tij, është në fakt të konsumosh negociimin më kriminal dhe më të pabessë ndaj shoqërisë. Pasi shet një akt ndalimi të Berishës si çmim të një suksesi që mandej “duhet shpërblyer në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”. Në asnjë mënyrë, vota e vitit 2017 nuk duhet të falet për një arrestim eventual të Berishës, pasi qeverisja e këtyre katër viteve është vlera e vërtetë elektorale. Kush e harron këtë e ka ngrënë karremin edhe njëherë. Njësoj si në vitin 1997.

 

 

 

 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.