Liberalizimi i përgjimeve, një lojë e rrezikshme me të drejtat e të gjithëve

Postuar në 07 Maj, 2016 01:06

Qeveria aktuale po hedh disa hapa të dyshimtë dhe pa e sqaruar publikun, përmes të cilave hapësira e lirisë dhe të drejtave do të ngushtohet duke rrezikuar të jetë peng i arbitraritetit. E bën më shqetësuese situatën mungesa e argumentimit të vërtetë për nevojën e ndryshimeve ligjore  që prekin privatësinë, mbrojtja e së cilës nuk mund të kuptohet pas funksionimin e gjykatave, si dhe mungesa e provua e kapaciteteve për të realizuar synimet që shpallen. Çfarë po ndodh dhe çfarë po synohet?

***

Nisma më e fundit me protagonist ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, ajo për vendosjen e bashkëpunimit më intensiv me operatorët celularë për përgjimin e bisedave dhe komunikimeve telefonike, njoftuar sot, është kambana e alarmit, të cilën opozita duhet ta bëjë betejë të vetën.

Gjatë një takimi me Grupet e Interesit – PA QYTETARËT – ministri Tahiri ndër të tjera tha: “Edhe në kuadër të rekomandimeve të Bashkimit Europian, edhe në kuadër të analizave të vazhdueshme të Policisë së Shtetit nga njëra anë, Prokurorisë nga ana tjetër  dhe të gjitha agjencive ligjzbatuese në tërësi,  kemi konstatuar domosdoshmërinë për të ndryshuar disa ligje, të cilat do të mundësonin Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese të bënin hetime më të shpejta dhe më efektive në kohë... Në takimin me operatorët telefonikë, u ra dakord që do të mundësojnë një akses më të drejtpërdrejt të Prokurorisë, të Policisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, por mbi të gjitha dhe një marrëdhënie shumë më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për çështje të caktuara që prekin komunikimet elektronike”, raporton Agjencia telegrafike Shqiptare, fjalën e ministrit.

Le të vihet këtu re se ministri dhe qeveria pas tij vlerëson si grupe interesi operatorët celularë, ndërkohë që interesi është direkt publik.

 Operatorët celularë në tregun shqiptar operojnë prej 15 vitesh a diçka më tepër. Në të gjithë këtë periudhë, vëmendja ndaj tyre ka qenë minimale dhe e përqendruar te tarifat. Por në asnjë rast të vetëm ndaj tyre nuk është bërë një audit, apo kontroll për administrimin e të dhënave, ndonëse ka një ligj për këtë. Nuk ka asgjë të zbardhur se çfarë bëhet me komunikimet e shqiptarëve që paguajnë për shërbimet që marrin.

Kohët e fundit ka patur disa raste kur kompani private komunikojnë me qytetarë duke zbuluar jo vetëm disponimin e numrit, por edhe të të dhënave. Ky është një rast shumë i mirë për të hetuar se nga rrjedhin këto të dhëna dhe përse një shtet i tërë mban gojën të kyçur ndaj operatorëve celularë?

Një pyetje shkon edhe për operatorët që si askund në botë tregojnë gatishmëri për të shitur të dhënat e klientëve.  Një sjellje prej kolonizatorësh që buron vetëm nga pozitat oligopol dhe nga mbyllja e plotë e tregut, edhe për shërbime dytësore të cilat kanë nga pas një histori shumë të errët korrupsioni dhe që asnjëherë nuk është hapur.

Analiza e sigurisë

Një pikë me rëndësi është nënvizimi i ministrit për analizën e sigurisë që sipas tij e kërkon marrjen e masave të këtilla: “Në kuadër të analizave të vazhdueshme të Policisë së Shtetit nga njëra anë, Prokurorisë nga ana tjetër  dhe të gjitha agjencive ligjzbatuese në tërësi,  kemi konstatuar domosdoshmërinë për të ndryshuar disa ligje, të cilat do të mundësonin Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese të bënin hetime më të shpejta dhe më efektive në kohë”, tha ai. Por a është kështu vallë? A  ka vërtet kaq shumë hetime dhe vëllim pune, saqë hetimet efektive janë penguar? Nuk po zëmë në gojë atë që shohim, por po referojmë një institucion që ka raportime nga agjencitë e sigurisë, Presidentin. Në arsyetimin e tij për dekretimin e kthimit për rishqyrtim të ligjit “Për masat shtesë të sigurisë publike”, apo ndryshe ligji i kamerave, Presidenti i Republikës ndër të tjera thekson: “Në rastin konkret, referuar dokumenteve parlamentare nuk del e qartë se përse masat e deritanishme nuk kanë sjellë rezultate dhe përse pikërisht përdorimi i masave shtesë të sigurisë do të luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e sigurisë publike, zhdukjen e paligjshmërisë dhe informalitetit”( http://president.al/?p=32860).

I thjeshtuar, ky parashtrim i Presidentit, do të ishte: Çfarë e ka penguar Sajmir Tahirin dhe Ministrinë e tij që të zbardhë vrasje të bujshme bizensmenësh, të përparojë në çështjet e zhdukjes së personave, të ketë kontroll për sistemin TIMS, që të mos largohen njerëz pa lënë gjurmë dhe të ndryshojë sjelljen e policisë në raport me qytetarin? Çfarë e pengon Sajmir Tahirin dhe Ministrinë e tij, që të mos lejojë rrjedhjen e videove që janë material hetimor, që të mos lejojë shkeljen e të drejtave kur arrestimet apo ndalimet e personave, mbi të cilët vepron Prezumimi i Pafajësisë, i shoqëron me filmime që i bën publike në media? Pa marrë një përgjigje për shqetësime si këto çdokush ka të drejtë të alarmohet dhe të pyesë:  Kujt do t’ia besojmë ne të dhënat tona dhe pse duhet të kemi besim që me to nuk do të abuzohet?  

Kapacitetet teknike

Para dy viteve, kryeministri aktual, do të fyente një komb të tërë kur deklaroi se “përgjimet nga shërbimi sekret gjerman nuk janë problem, pasi ne jemi miq”. Duke e dhënë dinjitetin e vet me konçesion, kryeministri zbuloi paralelisht edhe konceptin që ka mbi të dhënat dhe privatësinë, nga shkelja e të cilave ka vuajtur kaq shumë në politikë. Dhe ky moment na sjell në një tjetër zhvillim të sotshëm që lidhet me disa ndryshime në ligjin “Për Komunikimet elektronike”.

Përmes këtyre ndryshimevw autorizohet Policia, Prokuroria dhe SHISH që të kërkojnë nga sipërmarrësimit dhe ofruesit e shërbimeve të komunikimit elektronik, brenda 24 orëve – ose IP-në e një Pajtimtari, ose të anasjelltën. Në të kundërt, kur vlerësohet se kjo cenon hetimet, sipërmarrësi vihet përpara përgjegjësisë penale. “Të dhënat u vihen në dispozicion personave të autorizuar nga Prokurori i Përgjithshëm, Drejtuesit e Shërbimeve Informative, Drejtori i Policisë së Shtetit nëpërmjet dhënies së aksesit të drejtpërdrejtë në skedarë apo pjesë të tyre, ose ngritjes së platformave elektronike”, thuhet në ndryshimet e bëra(http://www.punetebrendshme.gov.al/files/documents_files/Projekt-ligji_'Për_Komunikimet_Elektronike'_i_ndryshuar.pdf). 

Ndryshimi është shumë serioz: Policia dhe SHISH si organe ekzekutive që deri më sot operojnë në procesin survejues pas një mandati nga Prokuroria apo Gjykata, marrin atributin që të aksesojnë direkt një të dhënë e cila është pjesë e një kontrate. Por duke qenë se shteti e ka përherë këtë të drejtë, pra të kërkojë të dhëna, nuk dihet pse shkurtohet hallka kufizuese proceduriale, në kurriz të të të drejtave të qytetarit:  Apo siç u shpreh ministri: “...për të bërë ç’është e mundur që hetimet proaktive kundër krimit të organizuar, korrupsionit në veçanti dhe terrorizmit të zhvillohen në kohë, me rezultate të qëndrueshme dhe pa pengesa burokratike të cilitdo lloji”?!

Pyetja më e rëndësishme këtu është: a ka kapacitete për të menaxhuar këto detyra që sanksionohen nga ndryshimet ligjore? A është e mundur të realizohet një gjë e tillë teknikisht për IP-të?

Në ditët në vijim, ResPublica do të sjellë shkrime të posaçme për këtë, por po mjaftohemi të risjellim këtu atë që deklaronte Kosta Beluri, prokuror i hetimit të çështjes së serverit të tatimeve: “Prokuroria e Tiranës po zhvillon hetime për atë që konsiderohet ‘serveri i Tatimeve’, ku ka dyshime se është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në të dhënat tatimore. Hetimi për këtë rast është bllokuar, për faktin se, për shkak të mungesës së teknologjisë dhe kapaciteteve, Policia Shkencore fillimisht nuk arriti të konkludonte mbi faktin nëse ka pasur ose jo ndërhyrje. Në vijim, prokuroria është në pritje të disa përgjigjeve të tjera për rastin...”( http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2015/06/24/prokuroria-mbyll-hetimet-per-serverin-e-tatimeve-prishja-e-sistemit-per-disa-jave-nga-mbingarkesa/).

Miq që na duan aq shumë saqë na spiunojnë

Ministri i Brendshëm deklaroi sot në takim se “U ra dakord që do të mundësojnë një akses më të drejtpërdrejt të Prokurorisë, të Policisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, por mbi të gjitha dhe një marrëdhënie shumë më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për çështje të caktuara që prekin komunikimet elektronike”( http://www.ata.gov.al/tahiri-dhe-cako-me-operatoret-telefonike-per-hetime-proaktive-kunder-krimit-te-organizuar/).

Përgjigjen e të gjitha pyetjeve me karakter teknik, ato që qeveria shqiptare as që i merr në konsideratë, e jep ndoshta ky paragraf. Pas të cilit qëndron me siguri Donald Lu dhe ambasada e BE-së në Tiranë. Nisma vjen paralelisht me nisma të ngjashme në Europë, por që në asnjë rast të vetëm nuk kanë realizuar këtë lloj tregëtie të dhënash në rrafsh nacional. Përkundrazi, mes SHBA-së dhe BE-së u nënshkrua marrëveshja për mbrojtje të posaçme të të dhënave të punonjësve apo kompanive europiane në SHBA, bashkë me propozimin për krijimin e një Komisioneri të Posaçëm.

Ministri sot ka bërë qokën e radhës duke hapur një spirale të rrezikshme pas të cilës shteti shqiptar do të jetë vetëm ushtari. Asgjë më shumë. Kjo është fakteqësi dhe kërcënon sigurinë, pasi aksesi në të dhëna është ushtrim i drejtpërdrejtë i një axhende politike nga jashtë që jo përherë konvenon. Por mbi të gjitha skandali më i madh qëndron tek lehtësia me të cilën një qeveri e votuar nga qytetarë shqiptarë i vë shkelmin çdo të drejte vetëm e vetëm që të fërkohet edhe njëherë në këpucën e një të madhi. Ndaj do të ishte shumë më interes të shihej nëse opozita, kjo që është, do të përpiqet apo jo, që të paktën të iniciojë debat, apo të bëjë transparencë për një çështje kaq të ndjeshme. 

Comments

Submitted by I hetuari (not verified) on

Saje qorri thjesht po i jep vlere ligjore asaj qe ai ben sot tere kohes. Eksperti i juaj teknik di me shume per kete. E ka vuajtur ne kurriz qe nga janari deri me fund te marsit.

Nqs nuk ke bythe mos e aprovo komentin.

Submitted by Veshi (not verified) on

Pyeten djalin e policit, se ku te punon babi, dhe ai u pergjigj :
Tek VESHI POLICISE.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.