Soji i Koneve dhe Kulove dhe dëshmia e një gruaje

Postuar në 02 Maj, 2016 17:32

Dy akademikët e kërcënuar, rektori Mynyri Koni dhe ish-rektori Dhori Kule, e ndihmuan shumë Emiljano Shullazin, kur për ta thënë me një fjalë popullore “hoqën bythën mënjanë” dhe bënë të paditurin gjatë dëshmive në Prokurori (lexo këtu). Një rektor që krijoi aq shumë zhurmë, në Prokurori deklaroi se nuk e njihte atë apo ata që e kishin kërcënuar duke lënë në baltë atë pikë morali publik që i shkoi nga pas në një ngjarje të rëndë. Por Konet dhe Kulot, të tillë nga sjellja, venë e vinë në këtë vend, ndërkohë që kurajo do kërkuar gjetkë. Kështu Top-Channel raporton se ndaj Emiljano Shullazit ka një dëshmi nga një qytetare femër, e cila akuzon se ai dhe të tjerë i kanë marrë një pasuri prej 1 milionë euro.

Duket se festa e parakohshme e lirimit mund t’u prishet shpejt nga një dëshmi e paparashikuar. Një grua duket se ka rënduar pozitën e 38-vjeçarit të përfolur kohët e fundit.  Një burim konfidencial i tha Top Channel se pas ofertave të organit të akuzës ndaj disa biznesmenëve që dyshohet se janë gjobitur, një grua biznesmene është paraqitur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe ka dëshmuar kundër Emiliano Shullazit dhe Gilmando Danit. “Më kanë marrë një pasuri timen në Tiranë me vlerë 1 milionë euro”, ka thënë gruaja dhe kjo pasuri ka kaluar në pronësi të Gilmando Danit.  Për disa orë gruaja është marrë në pyetje nga zyrtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërkohë që është urdhëruar sekuetsrimi i dokumentave në hipotekë dhe në gjykatë, në mënyrë që të verifikohet me prova denoncimi i 50-vjeçares.  Identiteti i saj mbahet super sekret për shkak të sigurisë së jetës dhe faktit se tashmë vetëm kjo akuzë mund të jetë siguria e burgut për grupin “Shullazi”. Prokuroria nuk pranon të japë asnjë version zyrtar për këtë çështje për shkak të sekretit hetimor”, raporton TCh(http://top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=325587#k1).  

Duke i besuar plotësisht këtij raportimi, mund të shtohet se kjo është një dëshmi e cila ka nevojë sot për një deklaratë mbështetëse nga politika; nga kryeministri i pari, qoftë edhe nga Plloça ku nuk e di as vetë pse ka shkuar. Nga ministri i Brendshëm, që duhet të bëjë thirrje inkurajuese që qytetarët të denoncojnë në Polici, apo edhe nga kryetari i Kuvendit, kaq i interesuar për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi. Kjo për vetë përmasën që ka marrë çështja në fjalë dhe për vetë përfoljen që politika i ka bërë lidhjeve të supozuara të Shullazit me segmente të politikës. Ka nevojë për një mesazh qoftë edhe formalisht, pasi siç shkruan TCh “sot, të dalësh kundër Emiliano Shullazit nuk ka nevojë të jesh zyrtarisht as burrë, as rektor universiteti dhe as politikan. Mjafton një dëshmi në prokurori”.

Mbetet vetëm të shihet nëse shumëkush që përflitet se ka patur probleme të ngjashme do të drejtohet apo jo në Prokurori, ku ka tashmë një dosje që do të duhet të trajtohet. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.