Pse opozita kritikohet nga gjithkush

Postuar në 02 Maj, 2016 10:24
Fitim Zekthi

Zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2010 në SHBA prodhuan një rezultat elektoral, që nuk ishte njohur që prej vitit 1928. Partia Demokrate e presidentit Obama humbi thellë në dhomën e përfaqësuesve, humbi shumicën e senatorëve në garë (senati përtërihet me vetëm 1/3-ën çdo 2 vjet), humbi shumicën e guvernatorëve dhe shumicën e bashkive dhe këshillave në të gjithë vendin. George Will, një nga mendjet më të mprehta të shtypit amerikan, shkruante se presidenti kishte me vete të gjithë median, gazetat e mëdha, televizionet, agjencitë, studio filmash etj., jo vetëm në SHBA, por në të gjithë botën dhe humbi.

Dy vitet e drejtimit të presidentit nuk kishin ndihmuar aspak ekonominë amerikane të dilte nga kriza, të krijonte vende pune, të ulte borxhin, të rriste investimet, të ngrinte eksportet etj. dhe kjo ishte arsyeja e humbjes së thellë. George Will shkroi në Washington Post se mund të kesh të gjithë botën me vete, të bësh propagandë pa fund, por në qoftë se nuk të ecën puna, do të humbësh. Në Shqipëri kryeministri Rama ka me vete të gjitha mediat e rëndësishme (për arsye të ndryshme nga Obama padyshim). Ekonomia është në vështirësi të mëdha, nuk ka asnjë të dhënë për krijim vendesh të reja pune apo rritje premtuese të investimeve private, rendi publik sulmohet deri edhe nga zyrtarë të lartë apo deputetë, njerëz të botës së krimit kanë akses në para, licenca, tenderë dhe vendimmarrje publike. Një gjendje pakrahasimisht më e rëndë dhe ndërkohë shumica në qeveri flet se do të fitojë thellë, madje edhe më thellë se tri vite më parë. Ajo e përdor edhe si kërcënim faktin që do të fitojë thellë.

Slavoj Zhizhek, një filozof i njohur slloven, shkruante disa kohë më parë mbi çfarë do të bënte ai në qoftë se do t’i duhej të sundonte një vend. Ai thotë se së pari, do të gjente armiq. Duke iu referuar librit “Havana Bay” të shkrimtarit Martin Kruz, ku një amerikan e gjen veten papritur në qendër të një komploti kundër Fidel Kastros, Zhizhek thotë se ai do të bënte pikërisht këtë gjë. Do të vetorganizonte komplote, do të etiketonte, emërtonte komplot dhe armik herë pas here dikë. Kjo do t’i jepte mundësinë të hiqte, arrestonte apo likuidonte kë të donte dhe do të tregonte se sa i pamposhtur ishte ai. Në Shqipërinë e komunizmit, kjo taktikë ka marrë jetën e qindra njerëzve. Kjo gjë sot është e pamundur, por forma të zbehta me përmbajtje të njëjtë mund të gjenden. Ben Blushi për shembull, u cilësua si një njeri që kërkon të dëmtojë partinë dhe ta nxjerrë atë në opozitë.

Një tjetër gjë që do të bënte Zhizhek me qëllim që të sundonte ishte rrënimi i jetës së njerëzve, duke iu shkatërruar atyre burimet dhe energjitë. Ai thotë se do të bënte atë që bëri faraoni Keops me ndërtimin e piramidës së madhe. Me ndërtimin e piramidës, faraoni i drobiste në punë të gjithë njerëzit, i rraskapiste nga lodhja dhe pangrënia dhe iu servirte piramidën si vepër të madhe epokale, e cila meritonte të merrte edhe pikën e fundit të gjakut. Ndërtimi i piramidës e kishte futur vendin në një gjendje të jashtëzakonshme, e cila e lejonte faraonin të sulmonte për çdo dështim, për çdo të ashtuquajturin sabotim, këdo. Pra, mobilizimi i energjive të njerëzve në çështje të tilla, apo vepra të mëdha, rraskapitja e tyre, ulja e standardit të jetës, rritja e varfërisë është një masë e mirë për të sunduar, sipas Zhizhek. Me anë të kësaj fajësohen armiqtë për çdo dështim, gjenden sabotatorët dhe mbahen njerëzit në një gjendje pa mundësi për të kuptuar të vërtetën.

Pikërisht kjo gjë po ndodh në Shqipëri me projektet e mëdha të rilindjes, ku thuajse të gjitha paratë për investime po shkojnë për shatërvanë dhe sheshe qytetesh, ku aksionet kundër informalitetit po mbysin biznesin e vogël, ku mbi 60% e atyre që janë burgosur për mospagim të energjisë elektrike janë familjarë të varfër dhe me ndihmë ekonomike etj. E gjithë kjo është piramida për të cilën flet Zhizhek. Sabotatori i saj është opozita dhe ata pak njerëz të shoqërisë civile, që kundërshtojnë këto projekte. Gjuha e thellë antiopozitare që gjendet në ligjërimin e drejtuesve të qeverisë, por edhe në media, buron pikërisht nga fakti se “piramida” po ndërtohet. Kjo është arsyeja e vetme pse qeveria akuzon opozitën dhe kundërshtarët, për dështimet dhe thotë se do të fitojë thellë. Ndër pak kritikat që mund të quhen të sinqerta ndaj opozitës, janë edhe ato për inate personale, pasi të paktën ato nuk vijnë nga piramida.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.