Qeveria e “ministrave turkoshakë” dhe “drejtorëve që të nxjerrin bojën”: “Punë ka. Profesionistë jo”
Sot është hapur në Tiranë “Panairi i Punës” për vitin 2016, i cili i ofron qeverisë një moto si argument të arritjeve të veta: “Në Shqipëri ka punë. Duhen profesionistë”. Nuk është një gjë e re që Panairi i Punës, organizuar nën kujdesin e kësaj qeverie të hapet dhe dominohet nga fryma optimiste në mos entuziaste për Shqipërinë që ofron mundësi reale. Ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, nuk diti të thoshte asgjë më shumë sesa lajmin e dalë boje tanimë se “ne reformuam Zyrat e Punës”. Këto zyra vijojnë të ofrojnë të njëjtin shërbim, atë të informimit të qytetarëve duke patur në dispozicion një bazë të dhënash për kërkesat e biznesit për punë. Çka nuk ka dhënë rezultate në rritjen reale të të punësuarve përmes kësaj mënyre, që i jep rol qeverisë në lehtësimin dhe ndërmjetësimin e problemeve të punëkërkuesve. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në Panair, deklaroi se oferta për punë në Shqipëri është reale, por ka një problem kualifikimi: “55% e punëkërkuesve janë pa profesion”, tha ai, ndërkohë që 40% e kërkesave për punë nga biznesi janë për teknikë dhe specialistë. Në tërësi u dha një shifër: në Panair ofrohen 8000 vende pune(në Tiranë), të cilat shumëkush mund të shkojë e të interesohet.
Sa qëndron ky pretendim i qeverisë shqiptare?
Vështirë të thuhet, por çështja mund të merret në vështrim kritik nisur nga dy pikëvështrime: politik e juridik.
Në planin politik qeveria ka vështirësi për t’u mbrojtur pasi ka disa tregues që bien ndesh me pretendime të tilla. Së pari është emigrimi masiv që në vitin 2015 çoi në largimin e 100 mijë shqiptarëve. Është e vërtetë se u ndoq rruga e azilkërkimit, por ndërhyrja energjike e qeverisë gjermane për ta orientuar azilkërkimin në emigrim të organizuar ekonomik, flet se azilkërkuesit ishin në fakt Punë- kërkues. Dhe ndërkohë që pala gjermane nënshkroi kontrata për të marrë në rrugë legale punëtorë shqiptarë – Të Kualifikuar – kjo aq më shumë flet se njerëz të kualifikuar ka, por me sa duket Nuk Ka Punë.
Ja një shembull që flet për këtë gjë: “Ja se si qeveria jonë në bashkëpunim me qeverinë gjermane po çel fazën e punësimeve legale në Gjermani, pasi kemi kaluar reformën e arsimit profesional duke adoptuar modelin gjerman si edhe kemi shtruar rrugën e këtij bashkëpunimi afatgjatë. Sot kjo fazë e re u çel me 250 të rejat e të rinjtë e parë që do të studiojnë këtu, në Tiranë, me mbështetjen e Akademisë së famshme gjermane Dekra, për të marrë akreditimin e nevojshëm që njihet nga punëdhënësit gjermanë për punëkërkuesit e huaj”, shkruan kryeministri Rama në një status në Facebook më 5 tetor 2015.
Natyrisht nuk mund të kërkohet që një njeri i kualifikuar të vendoset në kushte oferte mes tregut shqiptar dhe atij gjerman, por kërkesa e të dytit, provon se kualifkimi ezkziston dhe se investimi në të, duhet patjetër të shoqërohet me Politika Punësimi, por edhe në përputhje me Kërkesën.
Aspekti i dytë është ai ligjor. Kur kryeministri flet se nuk ka njerëz të kualifikuar, ai me siguri duhet të ofrojë garanci që tregu i punës së kualifikuar të jetë i Legalizuar. Pra edhe zanate si hidraulik, elektriçist, apo marangoz, sa për të përmendur tre, duhet të jetë i dokumentuar dhe kualifikimi të jetë i licencuar. A ndodh kjo në Shqipëri sot që flasim? Me gjasë jo.
Sot shumëkush, për punë të ndryshme në shtëpi thërret një “usta” çfarëdo dhe askush nuk merr vesh se çfarë ndodhi. Nëse gjermanët marrin njerëz që i trajnojnë vetë, kjo do të thotë se ata i pajisin ata me një certifikatë profesionale që është Dokument dhe në finale një standard për të hyrë në treg. Si e realizon këtë qeveria, kur sot që flasim po diskutohen shkelje të mëdha nga biznesi, të cilat Financa i ka shumë të vështira që t’i kufizojë? Të mos shkojmë më tutje, por le të na japë një përgjigje kryeministri për një kategori që nuk i honeps dot, por që është i detyruar t’i trajtojë në optikën e një tregu pune: gazetarët. Si është realiteti në këtë fushë? Nuk besojmë se ka ndonjë enigmë në përgjigje.
Qeveria aktuale e plotëson këtë pretendim për mungesë profesionistësh edhe me vakancën prej 1000 vendesh pune në administratë. Kjo është fyerje e madhe sikur vetëm të shikosh se kë promovon vetë zotëria p.sh në Tatime, apo dikur në Dogana, pa folur për “drejtorët që na kanë nxjerrë bojën”, siç është shprehur vetë(http://www.gazetadita.al/berisha-publikon-videon-e-plote-per-ramen-ne-cd...), apo për “turkoshakët ministra”(http://www.mapo.al/2015/09/rama-terbohet-me-ministrat-turkoshake-ambasad...), siç sërish përkufizon po vetë.
Rastet kur ministri të ndryshme u kapën në flagrancën e padijes së drejtuesve të tyre në prezantimin e nismave të ndryshme ligjore, ishin disa vetëm në vitin 2015. Kjo është përzgjedhja e cila ka vendosur një standard që i mban larg profesionistët, ata pak që janë.
Të flasësh me nota optimiste, në mos, të mburresh se punë ka, por nuk ka profesionistë, do të duhej që të paktën, që qeveria të argumentonte se këto vende pune i ka krijuar vetë. Por njësoj si në rastin kur formalizimi i të punësuarve përmes listimit në skemën e sigurimeve shoqërore, u shit si shtim i vendeve të punës, edhe tani, me gjasë(pa pretenduar saktësi), ky 8000-sh është asgjë më shumë sesa zbardhja e një baze të dhënash ekzistuese e cila prezantohet si një ofertë që nuk gjen përgjigje në treg. Kjo është të tallesh dhe më keq: të fshihesh duke folur në mes të ditës.
Add new comment