25 vjet parlament, bilance e reflektime

Postuar në 23 Prill, 2016 11:51
Afrim Krasniqi

Rreth 25 vjet më parë nisi jeta parlamentare pluraliste. Me një ndalesë të brishtë 3-4 vjeçare në vitet ’20 shqiptarët nuk kishin provuar përgjatë 9 dekadash një periudhë tjetër demokratike. Kur lexon sot debatet e para politike të viteve 1991-1993 lehtësisht dallohet tipari i përbashkët i mazhorancës dhe opozitës së kohës: përpjekja për të mësuar se çfarë është demokracia e pluralizmi, sesi të përshtaten me realiteti e ri dhe sesi të krijojnë një sistem të ri për të cilin aspirojnë, lexojnë, por nuk e njohin. Me dhjetëra detaje të vogla e dëshmojnë këtë. Për shembull, kur propozohet kryeprokurori e zëvendësi i tij nuk ka ndarje majtas e djathtas, por deputetët e PD-PS të Tiranës (që duan prokurorin) dhe deputetët e PD-PS të Durrësit (që duan zv/prokurorin). Nuk dinin shumë, por bënë shumë: kushtetutë të re, ligje të reja, krijuan institucione dhe shtruan bazat për një demokraci premtuese.



Pas 26 vitesh bilanci i jetës parlamentare është shumë më i brishtë sesa mund të imagjinohej edhe në mendjet më pesimiste të viteve ’90-’92. Sot shqiptarët i njohin më mirë konceptet e demokracisë, ka media të shumëllojshme, ka rezistencë qytetare ndaj politikave të gabuara, ka shoqëri civile dhe hapje ndaj botës perëndimore, ka qytetarë më të informuar dhe pronësi private, ka lëvizje të lirë dhe siguri strategjike në KE, NATO dhe drejt BE-së, ka rritje të rolit parlamentar në politikat rajonale dhe shkëmbime më të shumta me institucionet partnere. Defekti i këtyre arritjeve është se realizimi i tyre ka marrë dy herë më shumë kohë dhe energji sesa në vendet e tjera ish komuniste, dhe se janë minimumi i mundshëm në listën e gjatë të pritshmërive maksimale.



Në aspektin kushtetues parlamenti nuk është më institucioni kryesor i politikës, ndryshimet kushtetuese 2008 kanë përmbysur konceptin e kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin, sistemi me lista të mbyllura i ka bërë deputetët jo përfaqësues dhe vendimmarrjen jo produkt qytetar, distanca midis pakicës së pasur politike dhe shumicës së varfër qytetare ka minuar besimin publik tek demokracia dhe vlerat e saj. Mbështetja publike ndaj parlamentit është 12-15% ndaj 80-85% që ishte në vitet 1991-1993. Në lexim politik të gjitha krizat politike janë shkaktuar direkt apo indirekt në parlament, ndërkohë që asnjë krizë nuk është zgjidhur në parlament, asnjë mocion mosbesimi nuk ka dhënë sukses, asnjë ligj nuk i ka shpëtuar rishikimit të vazhdueshëm.



Nga disa dhjetëra profesorë e akademikë të viteve të para të pluralizmit, pas 26 vitesh identitet dominues në parlament është bërë dekriminalizimi dhe cilësia e papranueshme e përfaqësimit parlamentar. Në total më shumë se 38% e deputetëve hynë në politikë 30-34 vjeç për tu larguar nga politika 34-38 vjeç, kryesisht për shkak se karriera e tyre ndërpritet apriori nga partia ose se nuk arritën të mësohen të bëjnë politikë. Vetëm 10-15% e deputetëve kanë mbijetuar, edhe ata, në tërësinë e tyre, më shumë falë aftësisë për tu gjendur pranë liderit politik në kohën e duhur sesa falë aftësisë profesionale dhe produktit politik për shoqërinë. I gjithë tranzicioni është ndarë midis dy mazhorancave, të cilat, vijojnë të akuzojnë njëra tjetrën apriori për të gjitha dështimet dhe përgjegjësitë. Liderit politikë themelues të pluralizmit u bënë edhe figurat dominuese penguese të zgjerimit të demokracisë, duke personalizuar pushtetin, duke refuzuar zgjedhjet e lira e konkurruese, duke krijuar sisteme korruptive drejtimi dhe duke e shndërruar pluralizmin politik në garë interesash ekonomike.



Kur lexon statutet e partive 1990-1992 nuk mund të mos konstatohet neni revolucionar, sipas të cilit, kryetarët do të kishin vetëm dy mandate dhe se vendimmarrjet do ishin transparente dhe konkurruese. Pas 1993 tek e djathta dhe pas 1996 tek e majta, këto klauzola statusore u hoqën, dhe me kalimin e kohës, partitë u identifikuan me liderin e tyre, zgjedhjet brenda tyre u dominuan nga emërimet e praktikat fiktive, mandatet u bënë gjithnjë e më të papërcaktuara, kurse vetë sistemi i ri, në vend të institucioneve të forta e funksionale të demokracisë krijoi individë të fortë që kontrollojnë me rotacion institucionet. Në rrethana të tilla nuk ka më garanci dhe fatet e vendit, përfshirë fatet e të drejtave, të pronësisë, të vendimmarrjes dhe të përfaqësimit, varen kryesisht nga humori dhe interesi i liderëve të veçantë. Në këtë mënyrë nga premtimi i 26 viteve më parë për demokraci perëndimore, kemi ndërtuar e po aplikojmë në mënyrë konsensuale dhe gjithëpartiake modelin oriental Erdogan, sipas të cilit, koha, vendimet, vullneti dhe zgjedhjet personalizohen me emrin e liderit.



Në analizën mbi 25 vitet pluralizëm i ftuari i nderit në Tiranë, presidenti i Buntestag-ut gjerman, Lammert, citoi një mësim thelbësor për sprovën e demokracisë: të menduarit si demokrat, respektin ndaj tjetrit, detyrimin për koalicion dhe gadishmërinë në çdo kohë për bisedime e kompromis. Janë fjalë të zakonshme të fjalorit demokratik, të cilat në kontestim shqiptar duken shumëfish fjalë të huaja dhe jashtë fjalorit tonë politik. Teza dominuese e tranzicionit, - “kundërshtarin e dua për ta mundur” cituar nga një figure dominuese tranzicioni më 1993 në një fushatë lokale në Fier, shpreh gjithçka kuptojmë e mendojmë mbi demokracinë: deformimin si koncept dhe si formim politik.



Gjermanët e kanë të tyren këshillën se nuk mund të ketë demokraci pa demokratë, - pa qytetarë të lirë të aftë të kuptojnë e mbrojnë të drejtat e tyre dhe pa politikanë vendimmarrës që nuk mund të shndërrohen në asnjë rast në mekanizma pengues të progresit dhe sistemit të vlerave e meritës. Shqipëria e nisi tranzicionin drejt demokracisë pa pasur demokratë në sheshe dhe as në tribuna, eksperimentoi me demokracinë pa pasur vizionarë e mendje demokratike në zyra, kuvend, media e seli partish, dhe sot, mbylli çerekshekullin e parë në formën më zhgënjyese: me modelin e të enjteve parlamentare që e kanë shndërruar “tempullin e demokracisë” në një pazar rrogozhine dhe ligjërim rrugësh, prej të cilit ushqehet edhe konflikti permanent politik në institucione e në rrugë, - si dhe me mbetjen e Shqipërisë në vendin e fundit në të gjitha listat e procesit integrues, progresit ekonomik, besueshmërisë dhe potencialit për ndryshim.



Ky nuk është lajmi më negativ, - lajmi më i keq është se për shkak të rrethit vicioz që politika ka krijuar dhe imponuar, zgjidhja, dalja nga tuneli i tranzicionit, shihet vetëm tek partitë dhe vetëm në parlament. Asnjë forcë tjetër qytetare jashtë parlamentit nuk ka ende potencial imponues për ndryshim. Nëse në fillim të viteve 90 ishin elitat e reja liberale, rinia dhe studentët që u bënë katalizator e garant të ndryshimit, pas 25 vitesh të tre këta elementë mungojnë, - dhe pakica në krye të partive politike kryesore janë e mbeten burimi i vetëm i pushtetit politik, ekonomik, social, kulturor e institucional.



Dëmi më i madh nuk është natyra eksperimentale dhe abuzuese e politikës, por lehtësia me të cilën sistemi abuziv ruhet e mbijeton, mungesa totale e sensit të përgjegjësisë publike, si dhe mësimi i gabuar që po u japim fëmijëve, duke e identifikuar këtë përvojë negative si model demokracie. Kjo është edhe arsyeja se 25 vjet parlament pluralist nuk do të thotë se kemi 25 vjet demokraci, përkundrazi, - demokracia që aspiruam, pritëm dhe premtuam, nëse nuk kemi ende forcë e vullnet të reagojmë, në rastin më të mirë do të dojë edhe po kaq vite të tjera.

 

"Shekulli"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.