Islami krijoi Europën dhe po e bën sërish këtë gjë…*
Islami e ka përkufizuar në mënyrë thelbësore Europën. Dhe Islami po e ripërkufzon atë sërish.Për shekuj me radhë, në antikitetin e hershëm dhe të mesëm, Europë do të thoshte bota që qarkonte Mesdheun, apo “Mare Nostrum”(Deti Ynë), emri me të cilin e bënë të famshëm romakët. Përfshinte edhe Afrikën e Veriut. Në të vërtetë, në fillim të shekullit V e.s, kur Shën Augustini jetone në atë që është sot Algjeria, Afrika e Veriut ishte qendër e Kristianizmit shumë më tepër sesa Italia apo Greqia. Por përparimi i shpejtë i Islamit përgjatë Afrikës së Veriut në shekujt VII-VIII, virtualisht e zhduku prej aty Kristianizmin, duke e ndarë Mesdheun në dy qytetërime, me “Detin e Mesëm” që shërbente si kufi i fortifikuar më tepër sesa si forcë bashkuese. Qysh atëherë, e gjithë historia europiane, ka qenë siç ka vëzhguar filozofi spanjoll José Ortega y Gasset “një emigracion i madh drejt Veriut”.
Pas ndarjes së Perandorisë Romake, migrimi nga veriu i popullsive gjermanike(gotë, vandalë, frankë dhe lombardë) çoi në adoptimin e rudimenteve të Qytetërimit Perëndimor, ndërkohë që trashëgimia klasike e Greqisë dhe Romës u zbulua shumë më vonë. Do të duheshin edhe shumë shekuj që sistemi shtetëror modern europian të zhvillohej. Megjithëse ngadalë, feudalizmi, konsensusi i jep-merr i të cilit hodhi bazat e individualizmit, larg nga absolutizmi, i hapi rrugë krijimit të perandorive moderne dhe me kalimin e kohës, nacionalizmit dhe demokracisë. Përgjatë kësaj kohe, liri të reja, të fituara, mundësuan ngritjen e Ilumizmit. Në total, “Perëndimi” u krijua në Europën Veriore(ndonëse në një mënyrë shumë të avashtë dhe të ndërlikuar) kryesisht pasi Islami e ndau botën mesdhetare.
Por Islami ndikoi shumë më tepër sesa të përkufizonte Europën gjoegrafikisht. Denys Hay, një historian britanik, ka shpjeguar në një libër të shkëlqyer, ndonëse jo shumë të njohur, të publikuar në vitin 1957: “Europa: Lindja e një ideje”, se uniteti europian nisi me konceptin e(thjeshtuar nga Kënga e Rolandit) një Kristanizmi në “kundërvënie të pashmangshme” ndaj Islamit – koncpet që kulminoi me Kryqëzatat.
Studiuesi Edward Said e çoi më tej këtë pikëpamje, duke shkruar në librin e tij të vitit 1978, “Orientalizmi”, se Islami e ka përkufizuar kulturalisht Europën, duke i treguar kësaj të fundit se kundër kujt ishte.Me fjalë të tjera, identiteti bazik i Europës, u ndërtua në masë të konsiderueshme mbi një sens superioriteti ndaj botës myslimane arabe në periferinë e vet. Imperializmi konfirmoi shprehjen finale të këtij evolucioni: Europa e hershme moderne, që zë fill me Napoleonin, pushtoi Lindjen e Mesme, më pas dërgoi studiues dhe diplomatë që të studionin Qytetërimin Islam, duke e klasifikuar atë si diçka të bukur, tërheqëse dhe – më e rëndësishmja – inferiore.
Në erën postkoloniale, sensi i epërsisë kulturore të Europës, u përforcua nga shtetet e reja policore të Afrikës së Veriut dhe të Levantit. Përballë këtyre diktaturave që i mbanin njerëzit e tyre të burgosur brenda kufijve të sigurtë – kufij të përcaktuar artificialisht nga agjentët kolonialë europianë – europianët mund t'u jepnin arabëve leksione rreth të drejtave të njeriut pa u shqetësuar për mundësinë e eksperimenteve të rrëmujshëm me demokracinë të cilët mund të prodhonin valë domthenëse migrimi. Pikërisht pse arabëve u mungonin të drejtat e njeriut, europianët u ndjenë edhe njëherë superiorë dhe të sigurtë prej tyre.
Islami aktualisht po ndihmon për të zhbërë atë për krijimin e së cilës dikur kontribuoi. Një gjeografi klasike po e riafirmon veten, teksa forcat e terrorizmit dhe të migrimit njerëzor e ribashkojnë basenin mesdhetar, përfshirë Afrikën e Veriut dhe Levantin, me Europën. Sigurisht që kontinenti ka përthithur edhe grupe të tjera më parë. Në fakt Europa është prekur në mënyrë dramatike nga shpërthime demografike nga Lindja. Në shekujt e Mesjetës, një numër i madh sllavësh dhe magjarësh migruan drejt Europës Qendrore dhe Lindore nga thellësitë e Eurazisë. Por këta popuj adoptuan Kristianizmin dhe më vonë formuan entitete politiko-shtetërore, nga Polonia në Veri në Bullgari në Jug; entitete që u treguan të afta, ndonëse në mënyrë të përgjakshme, të përshtateshin brenda sistemit shtetëror në evoluim të Europës. Sa për punëtorët e mirëpritur algjerianë që emigruan në Fraqncë dhe turqve apo kurdëve që emigruan në Gjermani gjatë Luftës së Ftohtë, ata përfaqësojnë një grup parardhësish më të përmbajtur sesa emigrantët e valës së tanishme.
Sot, qindra mijëra myslimanë, që nuk kanë dëshirë të jenë kristianë po depërtojnë në shtetet europiane, ekonomikisht në stanjacion, duke kërcënuar që të minojnë paqen e brishtë sociale. Ndonëse elitat europiane kanë përdorur për dekada një retorikë idealizuese për të mohuar forcën e religjionit dhe të etnisë, janë po këto që qëndrojnë në themel të kohezionit të brendshëm të shteteve europiane.
Ndërkohë, migrimi i ri, i nxitur nga lufta dhe kolapsi shtetëror, po e fshin dallimin mes qendrave imperiale dhe ish-kolonive të tyre. Orientalizmi, përmes të cilit një kulturë përvetësoi dhe dominoi një tjetër, gradualisht po tretet në një botë të ndërveprimeve kozmopolitane dhe studimeve krahasuese, siç mund ta kishte intuitizuar Said. Europa është kundërpërgjigjur me rindërtimin artificial të identiteteve nacional-kulturore, në ekstremet e të djathtës dhe së majtës, për të përballuar kërcënimin nga qytetërimi që dikur e dominonte.
Edhe pse idea e një fundi të historisë – megjithë konfliktet etnike dhe territoriale që gjallojnë brenda saj – rezultoi të ishte një fantazi, kjo nuk ka pse të shërbejë si sebep për t'u kthyer te nacionalizmi. Pastërtia kulturore që Europa dëshiron me të madhe përballë influksit të refugjatëve myslimanë është thjesht e pamundur në një botë kur ndërveprimet njerëzore shumëfishohen.
“Perëndimi”, nëse ka ndonjë kuptim ky term përtej gjografisë, manifeston përherë e më shumë frymën e një liberalizmi përfshirës. Njësoj sikurse në shekullin e 19-të nuk mund të kishte kthim mbrapa në feudalizëm, edhe sot, nuk ka kthim pas në nacionalizëm, jo pa u ballafaquar me shkatërrimin. Siç ka vëzhguar intelektuali i madh rus, Alexander Herzen: “Historia nuk kthen pas...të gjitha restaurimet kanë qenë përherë maskaradë”. Pyetja që kjo shtron është: çfarë do ta zëvendësojë Romën në sensin qytetërimor? Pasi edhe pse perandori, siç e ka dokumentuar Said, kishte sigurisht të këqijat e veta, aftësia e saj për të qeverisur hapësira të mëdha multietnike rreth e qark Mesdheut, siguroi një zgjidhje të një lloji që nuk ekziston më.
Europa duhet tani të gjejë ndonjë rrugë tjetër për të trupëzuar në mënyrë dinamike botën islame, pa lëshuar asgjë nga devocioni i saj ndaj sistemit të sundimit të ligjit që u ngrit në Europën e Veriut; një sistem në të cilin të drejtat individuale dhe influenca e tyre qëndrojnë në krye të hierarkisë së nevojave. Nëse nuk do të mund të evoluojë në drejtim të vlerave universale, atëherë vakuumin do mbushë çmenduria e ideologjive dhe nacionalizmave të trashë. Dhe ky do të ishte fundi i “Perëndimit” në Europë.
*Titulli origjinal: “Si e krijoi Islami Europën”
"The Atlantic"(http://www.theatlantic.com/magazine/archive/2016/05/how-islam-created-eu...)
Përkthimi: ResPublica
Add new comment