Pacta sunt servanda
Është një shprehje, një thënie e lashtë ose aforizëm latin, që sot është bërë një term ndërkombëtar. Në kuptimin e përgjithshëm tregon se marrëveshjet, ose në rastin tonë premtimet duhen të mbahen.
Më erdhi ndër mend këto ditë sapo dëgjova lajmin e ardhur nga Amerika të Kryeministrit, për Samitin e parë të Diasporës Shqiptare që do të mbahet në nëntor të këtij viti. Domethënë shtatë muaj nga sot. U ndjeva në të vërtetë i zhgënjyer dhe ndoshta pakëz gënjeshtar. Ashtu siç ndjeva të kundërtën shtatë muaj më parë, përsëri nga Amerika, më 28 shtator të vitit të kaluar Kryeministri deklaronte se në mars të 2016-tës do të organizonte Samitin e Diasporës. Këtë një herë në shtatë muaj, apo çdo shtatë muaj sinqerisht nuk mund ta kuptoj dhe ta perceptoj. Ne jemi "mësuar", të paktën tradicionalisht një herë në vit, dhe sidomos në prill dhe në ditën e parë të tij...
Shumë gjëra mendova dhe analizova në ato momente, por atë që veçova ishte një shprehje e mençur ku thuhet: "ΚUR NJË NJERI SHKEL PREMTIMIN QË JU KA DHËNË AI TË JEP NJË TJETËR PO AQ TË MIRË...". Kjo ndoshta më qetësoi pak, ishte në formë ngushëllimi. Por ajo që nuk më la në këtë gjendje ështe një shprehje që vjen nga ish Presidenti Fancez François Mitterrand – PREMTIMET JANË TË LIDHURA SIDOMOS ME ATA QË JU DREJTOHEN...
Të them të vërtetën në këto 25-së vjet as më premtoi njeri dhe as i kërkova njeriu, madje edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare, erdha, votova dhe ika, pa ja patur, dhe pa ma patur borxh as edhe një njeri dhe as edhe një parti. Thjesht bëra detyrën si qytetar i këtij vendi.
Për problemin në fjalë u prononcova edhe publikisht me një shkrim për të mbështetur iniciativën e shumpërfolur ndër vite për diasporën. "Diaspora, "majaja" e gjeneratës së re’’, ishte titulli i shkrimit, ku ndër të tjera citoja: "Z. Rama ka një mundësi për të shprehur këta shqiptarë, ashtu siç e ka thënë edhe vetë pak kohë më parë për Samitin e marsit të 2016-tës. Problemi nuk është thjesht i Ramës apo i partisë që ai përfaqëson. Diaspora është një kapitull i rëndësishëm dhe i veçantë ku nuk mjafton vetëm njëra palë...". Marsi iku dhe samiti nuk u bë.
Kjo është arsyeja që pak më lart u shpreha, se u ndjeva edhe unë pakëz gjënjeshtar. Por jo vetëm nga unë, edhe një shkrim tjetër me mjaft ide, problematikë të pasur dhe propozime konkrete ishte botuar nga Afrim Krasniqi. "Samiti për Diasporën dhe (pa) përgjegjësia kushtetuese" theksonte titulli i shkrimit në fjalë, në fillim të tetorit të vitit që shkoi, një javë më pas deklarimit nga ana e Kryeministrit. Ndoshta për veten time u epitetova në mënyrë të padrejtë, por për shkrimin e z. Krasniqi tashmë që po e rishikoj më duket një profeci dhe sidomos mbylla. Le t'i hedhim një sy:
"Janë pyetje pa fund, për të cilat asnjë qeveri nuk ka dhënë përgjigje dhe siç shihet as tani nuk mund të ketë përgjigje. Le t'i përsërisim deri në mars 2016, së pari për të mos lejuar që nisma e Samitit të ketë fatin e Kongresit që nuk u bë më 2007-ën dhe së dyti për t'i kujtuar politikës se 1.35 milion shqiptarë meritojnë më tepër respekt, mirënjohje, vëmendje dhe përgjegjësi kushtetuese’’.
Këto nuk duan as edhe një koment. Saktë dhe drejt. Kush e ndjen se duhet të flasë dhe ka përgjegjësi, duhet ta bëjë atë.
Ndoshta mund të ketë një mijë e një arsye pse Samiti i marsit 2015-të të shtyhej për në nëntor të 2016. Një premtim i dhënë është një kontratë që duhet realizuar. Nuk është aspak e arsyeshme dhe etike që premtimet të ndryshojnë dhe të mos ketë një interpretim apo justifikim kur këto bëhen edhe në emër të institucioneve tona më të larta të qeverisjes dhe kanë lidhje me një masë të madhe të qytetarëve të saj. Siç thotë edhe politikani amerikan McCarthy se -..."ËSHTË E RREZIKSHME PËR NJË POLITIKAN QË FJALËN E THËNË NJERËZIT T'IA MBAJNË MEND".
Por samiti dhe diaspora është ndoshta një nga temat e "pa rrëndësishme" në sferën e drejtimit dhe premtimit politik. Shumë të tjera dhe më të ‘p"rrëndësishme" kanë patur fatin të kenë humbur nga kujtesa... Le t'i lëmë faktet dhe të qëndrojmë pak tek fenomeni.
Të gjithë kemi të fshehur një Pinok brenda vetes tonë. Kur ishim të vegjël, na "kërcënonin" të mëdhenjtë se do të na vinin piper në gojë në qoftë se do të thoshnim gënjeshtra. Në shoqërinë perëndimore gënjeshtra nuk është thjesht një sjellje e pahijshme shoqërore, por edhe një mëkat i rëndë fetar. Këtë ndoshta nuk e dimë se akoma nuk kemi formimin e duhur arsimor...Nga ana tjetër, realiteti i sotëm na "mëson" se mashtrimi dhe gënjeshtra na çon në përparim!!! Sidomos në shoqërinë e sotme, kur suksesi është i identifikuar me efikasitetin e shpejtësisë së vendimmarjes, është vështirë të mos gjesh njeri të konformuar me këto "rregulla" në të gjitha aspektet e jetës shoqërore dhe sidomos në politikë.
Por a është kjo një dukuri aktuale dhe e shpikur vetëm nga ne? Shikimi në kohë është shumë i largët, qysh në lashtësi. Demagogu ishte ai që kërkonte qëllimisht për të mashtruar qytetarët e për të rritur fuqinë e tij politike. Një tjetër fushë ishte satira. Autorët e saj nga lashtësia e deri në ditët e sotme shfrytëzojnë "zakonet dhe huqet" e politikanëve dhe kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë vepra që kanë në shënjestër këto fakte.
Po t'i hedhësh një sy mjedisit politik të këtyre 25-së viteve të fundit, do të na vijnë ndërmend mjaft programe, ide, parrulla, objektiva që tregojnë në mënyrë të pashmangshme dallimin midis fjalës së dhënë dhe veprave të bëra deri më sot.
Por çfarë i shtyn politikanët të mos kenë një përputhje të fjalës me veprën? Max ëeber e pershkuan në këtë mënyrë: "Politika nuk ushtrohet vetëm nga mendja. Ka për çdo politikan etikë besimi(e cila është ajo që beson se është e drejtë për të bërë) dhe përgjegjësia morale(ajo që duhet të bëjë çdo politikan pavvarësisht se çfarë beson). Që të ndjekë dikush profesionin e politikanit duhet të ketë edhe etikën e besimit edhe atë përgjegjësisë’’.
Në sistemin tonë politik përpara zgjedhjeve veprojmë dhe përpiqemi për të ardhur në pushtet duke përdorur etikën e besimit duke pohuar atë që besojmë se duhet bërë. Kur vijmë në pushtet, mbyllim sytë, anashkalojnë çfarë premtuan dhe kështu vazhdojnë mandatet 4-tër apo 8-të vjeçare. Dhe këtu mund të shtojmë se, politikanët nuk mbajnë fjalën, thonë gënjeshtra sepse ato nuk kushtojnë, se pa ato nuk ka mundësi për t'u ngjitur në majën e piramidës politike. Nga ana tjetër populli, masat, votuesit kanë treguar pothuaj se nuk durojnë të vërtetën. Kjo është një "recetë" që sa herë e kemi testuar apo provuar ka qënë shumë e dëmshme. Populli ka preferuar ta "gëlltisë" gënjeshtrën për shumë herë dhe për arsye të ndryshme. Nuk i ka dhënë rëndësi programeve partiake( prandaj ato janë ashtu siç janë), kriteri për zgjedhjet ishte ideologjik; identifikimi partiak kishte të bënte më shumë me besimin me formën, me nostalgjinë, inatin dhe jo me përmbajtjen. Kjo ka bërë që akoma edhe sot vazhdojmë të "blejmë"’ gënjeshtrën.
Por përse ndodh kjo? Janë naiv, të painformuar, apo të mashtruar? Mund të jetë ndonjë nga këto, shpesh ndodh edhe kjo, pasi politikanët janë në një pozicion të përsosmërisë superiore, si tregëtari ndaj blerësit potencial. Por unë mendoj se njerëzit, në të shumtën e rasteve në mënyrë të ndërgjegjëshme mendojnë se është më mirë të shpresojnë në diçka se sa të mos shpresosh për asgjë. Për më tepër votimi është "një mall i lirë" dhe kjo nuk i kushton për ta hedhur.
Për të përballuar dhe adresuar drejt këtë "virus"do të duhet para së gjithash të ndryshojë sjellja e elektoratit. Kur nuk e "blejmë" gënjeshtrën nuk do të guxojnë për ta "shitur" rishtazi. Politikanët duhet të ndërgjegjësohen dhe të ndjekin rregulla dhe ligjësi që bien ndesh me të kaluarën, me detyrimin për një qasje të re politike postmoderne, bazuar në të vërtetën, e cila në fund të fundit do të "pjekë" edhe elektoratin.
Comments
Dakord me sa shkruan per
Dakord me sa shkruan per Edver Ramen, por ... me mire pa Samit te Diaspores, se sa me nje samit te mbledhur e te organizuar nga qeveria dhe partite politike Shqiptare. Aty fillon fatkeqesia dhe mbrapshtia e nje samiti te atille.
Deri tani Diaspora Shqiptare eshte e vet-fragmentarizuar, end e perçare ne linjat e pas-luftes II Bot., ashtu edhe te sotme partiako-krahinore. Ajo eshte e traumatizuar deri e terrorizuar nga korrupsioni PD-LSI-PS.
Pislleku qeveritaro-politikan nuk duhet te ndote Diasporen.
Samitin duhet te organizoje vete dhe vetem elita e diaspores - qeverria e politikuajt duhet te jene vetem vezhgues.
Add new comment