Intriga dhe perspektiva
– aktualiteti i një debati të vjetër për leksikografinë shqipe –
Te një libër i tanishëm i Rexhep Ismajlit kushtuar Selman Rizës (Pasionet dhe pësimet e Selman Rizës, Prishtinë 2009), lexoj për një kundërvënie mes këtij të fundit dhe Androkli Kostallarit dikur në fillim të viteve 1960, në lidhje me drejtimin që duhej të mbante leksikografia shqipe, ose ç’fjalor u duhej pikërisht shqiptarëve.
Fryma e debateve të tilla, aso kohe, ishte krejt e helmuar nga rreziqet për pasoja politike, të rënda deri në internim ose burgosje. Selman Riza vetë përfundoi i përndjekur dhe u dëbua nga hapësirat publike të albanologjisë – edhe pse jo doemos për shkak të kontradiktave që kishte me Kostallarin; vetë Kostallari, edhe pse në dukje njeri i besuar i regjimit, stalinist i regjur dhe flamurtar e zbatues i zellshëm i vijës së PPSh në albanologji, e kishte mizën nën kësulë, për shkak të gruas ruse, të cilën në mjedise të caktuara ia kujtonin rregullisht; por edhe të studimeve të larta që kish kryer në Bashkimin Sovjetik.
Kur flasim për fitimtarë dhe të humbur nga ajo kohë, nuk mund të shpërfillim faktin se shumë prej të humburve nuk e pësuan ngaqë fituan fitimtarët.
Gjithsesi, debati ose përplasjet mes Rizës dhe Kostallarit zhvilloheshin jo aq në kontekst politik dhe ideologjik, sesa në kontekstin e krijuar pas botimit të Fjalorit të vitit 1954 dhe daljes së mëpasme nga skena, kryesisht për arsye moshe, të autorëve të atij fjalori – dhe veçanërisht Kostaq Cipos, i cili kishte autoritetin e duhur dhe mbështetjen politike për t’i dalë zot metodologjisë së vet.
Çështja që shtrohej, në fillim të viteve 1960, kishte të bënte me strategjinë afatmesme dhe afatgjatë të studimeve leksikografike shqipe. Kostallari, që i përkiste një brezi gjuhëtarësh të shkolluar në Bashkimin Sovjetik, me traditën e gjuhësisë ruse por edhe me një ideologji që i kishte rrënjët në versionin rus të gjuhësisë marksiste (madje Nikolaj Marr-iste, sipas A. Pipës), kërkonte të merrte në dorë frerët e drejtimit të institucioneve albanologjike, duke sfiduar establishment-in e vjetër, që kishte studiuar kryesisht në Perëndim.
Ismajli vëren se Kostallari, në ato vite, këmbëngulte për botimin e një fjalori të madh rusisht-shqip, në vazhdën e një fjalori të tillë që kishte përgatitur dhe botuar ai vetë më parë.
Por le t’ia lëmë fjalën vetë Rizës, i cili në një letër të hapur drejtuar shokëve të organizatës bazë [të PPSh] të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë me rastin e mbledhjes për dhënie llogari dhe zgjedhje, pa datë por që u përket viteve 1960, shprehet se:
Shoku Androkli ka ngadalësuar së tepërmi ritmet e hartimit të një fjalori të mesëm shqip-shqip, duke çpërfillur kështu nevojën jo vetëm thjesht gjuhësore, por edhe kulturore të përgjithshme jashtëzakonisht të ngutshme që kanë për një fjalor të këtillë mbarë masat punuese e deri vetë gjuhëtarët e shkrimtarët e vendit tonë, duke grumbulluar një kartotekë me përpjestime të një dobishmërie më fort perspektive se aktuale, e duke shpërqendruar forcat më të gjalla të sektorit në detyra sekundare, të pangutshme dhe pjesërisht jashtë profilit tematik sektorial të mirëfilltë […] Qysh prej vitit 1960 e tëhu shoku Androkli ka ngulmuar në vazhdimin e hartimit të një fjalori shqip-rusisht prej 40.000 fjalësh të cilit (hartim) ai i ka sakrifikuar tri forcat kryesore të sektorit përkatës, vetëvehten, P. Gecin dhe Xh. Lloshin, sado që së pakti qysh atëherë ai ka qenë plotësisht i ndërgjegjshëm se për hartimin e një fjalori të këtillë mungonin kryekëput si baza leksikografike normale ashtu urgjenca politike-kulturore.” [vep. cit. f. 105].
Ky paragraf përmban një bataré kritikash, disa prej të cilave aspak të pafajshme dhe që mund t’i kushtonin shtrenjtë Kostallarit, po të merreshin për të mirëqena nga establishmenti politik i kohës. Kështu, Kostallari akuzohet se “ka ngadalësuar” [qëllimisht] hartimin e një fjalori shqip-shqip, për të cilin kanë nevojë jashtëzakonisht të ngutshme “masat punuese” (shkelje syri ndaj shqipes totalitare; vështirë të përfytyrohet një elitist si Riza të shqetësohet shumë për nevojat e ngutshme leksikografike të masave punuese); orientim të punëve leksikografike drejt një rruge pa krye dhe shpërdorim të ekspertëve të paktë të fushës për arsye në thelb vetjake.
Akuza më e rëndë mbetej, gjithsesi, ajo për rusofili. Për Rizën, Kostallari ishte para së gjithash përçuesi i ideve gjuhësore ruse-sovjetike në albanologji, në kundërvënie me orientimin filo-perëndimor të disa rivalëve të vet, dhe sidomos thjesht kombëtarist të disa të tjerëve (si Riza). Edhe këmbëngulja e Kostallarit për të vazhduar punën e organizuar institucionale, në nivel qendror akademik, për një fjalor rusisht-shqip, në rrethanat politike dhe ideologjike të viteve 1960, kur Bashkimi Sovjetik kishte ndërprerë çdo marrëdhënie diplomatike, ekonomike dhe kulturore me Shqipërinë, do të shërbente kështu si provë për rusofilinë e tij të pandreqshme, të cilën, për ndonjë paranojak, një hap e ndakësh nga puna agjenturore në shërbim të KGB-së, mundësisht me ndërmjetësimin e së shoqes.
Natyrisht, nuk dimë si u është përgjigjur këtyre akuzave Androkli Kostallari; por dimë që pozitat ideologjike të vetë Rizës mbeteshin të minuara nga stazhi i tij në burgjet jugosllave dhe shqiptare; dhe nga vetë prejardhja e tij prej Kosove dhe përqafimi i tij pothuajse i detyruar i idealit kombëtarist, përkarshi orientimit internacionalist të elitave komuniste në Tiranën e viteve 1950-1960.
Në rrafshin paranoid, përplasja Kostallari-Riza do të shtjellohej si përplasje për jetë a vdekje midis UDB-së dhe KGB-së!
Gjithsesi, aspektin ideologjik, politik dhe penal të kësaj përplasjeje nuk mund të ndriçojmë, as duam ta ndriçojmë këtu; përkundrazi, na intereson aspekti thjesht kulturor i kundërvënies. A kishte të drejtë Riza, që ngulmonte se “masave punonjëse” u duhej ngutshëm fjalori i mesëm shqip-shqip, apo Kostallari, që i kishte pilotuar burimet njerëzore të Institutit drejt hartimit të një fjalori relativisht të madh rusisht-shqip?
Largimi i Rizës nga institucionet albanologjike dhe internimi i tij në Berat duket sikur i dhanë “të drejtë” Kostallarit; por më anë tjetër, bash atë kohë, ose në gjysmën e dytë të viteve 1960, filluan punët për hartimin e fjalorit të mesëm shqip-shqip; madje vetë Kostallari hartoi edhe platëformën teorike të atij fjalori – i cili nuk u botua kurrë, pse ia zuri vendin, në prioritetet akademike, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, i cili e pa dritën e botimit në 1980.
Një manovër tipike staliniste të cilën sot e kemi të vështirë ta kuptojmë: përkrahësin teorik dhe ideologjik të këtij fjalori të mesëm shqip-shqip e internuan dhe praktikisht e dëbuan nga tryezat e albanologjisë dhe të gjuhësisë shqipe; ndërsa kundërshtarin e tij e emëruan si drejtues i punëve për hartimin e fjalorit, ose car të leksikografisë shqipe, megjithë akuzat për rusofili dhe gruan ruse që mbante në shtëpi!
E vetmja mënyrë si mund të shpjegohet kjo, nga lartësitë e të sotmes, është se Rizën e hoqën qafe si element rebel dhe të pakontrollueshëm madje edhe nëpërmjet shantazheve gjithfarësh, ndërsa Kostallarin e kursyen madje e promovuan akademik pas pak vjetësh, mbase ngaqë rusofilinë gjithnjë mund t’ia përdornin për shantazh, ose për ta detyruar t’i bindej politikisht kupolës.
E gjithë kjo, pa marrë parasysh edhe kapacitetin e jashtëzakonshëm të Kostallarit si dijetar, aftësitë e tij organizative dhe energjinë gati oqeanike.
Gjithsesi, nga pikëpamja thjesht leksikografike, vështirë të mos i japësh të drejtë Kostallarit; në rrethanat kur shqipja po zbriste prej bjeshkëve të leksikografisë etnografike dhe qëndistarisë monastike të fjalorëve krahinorë dhe të mahnitjes me koleksionet e fjalëve-flutura të mbledhura nga “gurra e gjallë popullore”, ballafaqimi i leksikut të saj me atë të një gjuhe madhore ishte më i domosdoshëm se hartimi i një fjalori të mesëm njëgjuhësh, me dobi praktike të dyshimtë, në mos fare të paktë. Ai ballafaqim do t’u lejonte leksikografëve një sistemim rrënjësor të leksikut të shqipes, që deri atëherë ishte mbajtur, por jo mirëmbajtur, në një magazinë pa inventar; në një kohë që do ta ndihmonte gjuhësinë shqipe të kapërcente stadin e fetishizimit të fjalës, stad ku, për fat të keq, ka mbetur sot e kësaj dite.
Gabimi i madh i Kostallarit, edhe pse ndoshta i pashmangshëm për kohën dhe për njeriun, kishte të bënte me fiksimin e tij te rusishtja si gjuhë etalon me të cilën do të ballafaqohej dhe matej shqipja; në një kohë që kultura shqiptare, ngadalë por pakthyeshëm, po ia kthente shpinën kulturës ruse, për t’u mbyllur në vetvete e për t’u orientuar, herët a vonë, nga Perëndimi: në fillim drejt italishtes e frëngjishtes, ndërsa tani vonë drejt anglishtes.
Me fjalë të tjera, Kostallari e kish parë mirë nevojën e një fjalori akademik dygjuhësh për shqipen jo aq vegël për përkthyesit, sesa sistem matës për leksikun e shqipes; por kishte gabuar në zgjedhjen e këtij etaloni, i shtyrë ndoshta nga formimi i tij shkencor në universitetet ruse, dashuria për kulturën ruse ose edhe bindja se rusishtja do të ishte gjuha më e përshtatshme për t’u përdorur si instrument ballafaqimi për shqipen.
Taktikisht, në vitet 1960, një propozim për një fjalor madhor frëngjisht-shqip do të ishte më i mençur dhe do të kish pasur më shumë gjasa për t’u realizuar; meqë do të kishte ngacmuar kulturorisht edhe E. Hoxhën frankofil vetë. Por edhe sikur të ishte realizuar dëshira e Kostallarit, për një fjalor akademik rusisht-shqip, shqipja do të kish dalë gjithsesi më e fituar se ç’doli nga puna titanike në vitet 1970, për të hartuar Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, i cili ka zbukuar që atëherë bibliotekat e tërë shqiptarëve kulturëdashës, por pak u ka hyrë në punë “masave punonjëse”, meqë problemi i këtyre masave nuk janë fjalët shqipe që s’i kuptojnë e që duhet t’ua kërkojnë kuptimin në fjalor; por fjalët që i mungojnë shqipes, gjuhë moderne e një kulture të ndarë më dysh mes nevojës për të konsoliduar ADN-në e vet kombëtare dhe shtysës objektive drejt globalizimit, nëpërmjet edhe ballafaqimit të detyruar me gjuhë të tjera, mes së cilave anglishtja.
Ideja e Kostallarit për një fjalor madhor dy-gjuhësh të shqipes mbetet sot e kësaj dite aktuale, në një kohë që Interneti ka krijuar mundësi të reja bashkëpunimi dhe bashkërendimi mes albanologëve, terminologëve, shkrimtarëve dhe punonjësve të mediave. Sikurse e kam propozuar para pak kohësh, nuk ka nevojë më të ngutshme sot për leksikografinë shqipe sesa hartimi i një fjalori të madh anglisht-shqip, si vepër e hapur për kontributet kapilare nga të gjithë të interesuarit. I vendosur online dhe i financuar me fonde publike të Shqipërisë dhe të Kosovës, ky fjalor do të shërbente si platëformë e plotë për organizimin e shqipes së shkruar dhe sistemimin e leksikut të saj, në ballafaqim me anglishten si gjuhë globale. Është për të ardhur keq që në dokumentin përfundimtar të Konferencës shkencore “Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike, për çështjet e leksikut të shqipes dhe të leksikografisë thuhet vetëm që
Leksiku i standardit të shqipes të jetë i hapur ndaj prurjeve nga dialektet, sidomos nga dialekti gegë dhe nga autorët e traditës letrare në këtë dialekt. Të vazhdojë puna për pasurimin e leksikut me krijime të reja sipas gjedheve fjalëformuese të shqipes, si dhe për pastërtinë ndaj huazimeve të panevojshme.
Një pohim që tingëllon i rrafshtë, protokollar, arkaik nga natyra dhe filozofia që e mbështet, anakronik nga perspektiva që shtron, dhe krejt i shkëputur nga problematikat aktuale të shqipes në përdorim.
Add new comment