Ku ishe ti Poet? - Isha larg në Çinemaçin o njerëz...
I dashur Poet!
Po ju drejtohem kësisoj dhe jo “Profesor Nasho!”, siç do t’ju thërritja po t’ju shikoja diku në Tiranë. Por, po ju shkruaj nga Athina dhe emri juaj, Nasho Jorgaqi, më shumë se për një prozator apo dijetar të klasit të parë të letërsisë shqipe siç edhe jeni, grekëve u flet kryesisht për një Poet. Sigurisht, grekët janë shumë të kursyer për ta thërritur dikë kështu. Madje shumë. Por janë dy librat tuaj me poezi (haiku) “Duke rrokur vetëtimat” dhe “3X17X3” të botuar këto vite në Athinë që kanë krijuar këtë perceptim për emrin tuaj. Në opinionin e këtueshëm përcaktori Poet është një titull i lartë, ndoshta më i larti dhe, si i tillë, nuk pranon asnjë ndajshtim përpara. Mu ashtu si përpara fjalës Shenjtor. Kjo logjikë socio - linguistike që ekziston këndej duket se është trashëguar prej kohësh. Mbase që prej Homerit. Prandaj edhe unë po përdor shkronjën e madhe në nisje të fjalës Poet. Libri juaj më i fundit me haiku “Pëshpëritje” ishte shkaku që më shtyu të ulem dhe t’ju shkruaj këto radhë. Dua t’ju përgëzoj publikisht për këtë mrekulli poetike që na dhuruat. Gjithashtu, ky fakt më nxiti, që para se të flasim për të, të ndaj me ju dhe lexuesit disa kujtime të mia të para pesë vjetëve. Mendoj se është rasti të tregoj për klimën që përjetova ato ditë këtu në Athinë, kur përgatitej për t’u botuar libri juaj i parë me hajku “Duke rrokur vetëtimat”. Nuk është thjesht nostalgjia vetëm për ato ditë kur, me botimin e tij, edhe unë si pjesë e mërgatës shqiptare që jeton në Greqi u ndjeva më i respektuar, më i vlerësuar përpara “efendikojve” të mi grekë. Ajo po se po, dhe për këtë keni mirënjohjen tonë. Por unë mendoj se duke kujtuar ato ditë mund të nxjerrim mesazhe që më duket se janë aktuale dhe mund të vlejnë për ne shqiptarët sot...
***
Ishte viti 2011, pra kulmi i krizës ekonomike, kur grekët vendosën të botojnë vëllimin tuaj poetik me hajku. Ato ditë, kudo, nëpër rrugë, urbane, spitale, apo ekranet e tv-ve, vërehej paniku i njerëzve nga njëra anë dhe nervozismi i shtetarëve të Athinës nga ana tjetër, për të ruajtur rendin në pragun e një katastrofe kombëtare. Në një situatë të tillë alarmante, që nuk mund të përshkruhet lehtë, botuesit grekë punonin intensivisht për të sjellë në greqisht hajkutë e tua të bukura të librit “Duke rrokur vetëtimat”. Botuesi, meqë isha piktor, më thërriti disa herë për të parë kopertinën dhe pastaj, si “rastësisht”, meqë isha shqiptar, kërkonte ndihmën time për të konsultuar ndonjë problem të përkthimit. Megjithë përkthimin e shkëlqyer të Kacalidhës, ai përsëri verifikonte. Kështu që m’u desh të shkoja disa herë atje. Rrugës nga shtëpia ime për tek botuesi vëreja plot njerëz të ankosur dhe m’u krijua përshtypja sikur vetëm aty ku shkoja unë punohej. Çuditesha shumë me grekët. Poezia dhe miti për vendlindjen e saj, po të qe se do të shuhej ndonjëherë, do të ishte e fundit. Këtë mendoja rrugës për në shtëpinë botuese. Çfarë dashurie dhe repekti kanë këta njerëz për poezinë. Dukej se miti i saj ishte ai që i mbante ende gjallë. Kam përhtypjen se koha më pas, kur u bënë votimet e historike të 25 janarit të 2015-s dhe që u fituan nga Radikalët e Majtë, atë provoi. Rezultati i votimeve tregoi qartë se grekët, përballë shantazheve financiare të Europës, i besuan moralit poetik që SYRIZA e himnizoi dukshëm në fushatë. Grekët treguan se ishin një komb, që më shumë se sa me bukë, janë ushqyer me mitet e Homerit dhe me poezitë e humanistëve të majtë si Kavafi, Ricosi, Livadhiti, etj... Kam përshtypjen se pikërisht aty gabuan kreditorët europianë... Nuk mund të shantazhohen me bukën e gojës një popull që beson se është vendlindja e qytetërimit botëror. Në një vend ku respektohet kulti i Poetit, kërcënimet financiare nuk pinë ujë. Është njësoj si të kërcënosh një njeri të droguar. Dhe grekët vuajnë prej shekujsh nga overdoza e miteve të tyre. Kjo që po tregoj me botimin e librit tuaj, në atë situatë krize ekonomike, e dëshmon më së miri këtë.
Po ta lemë 25 janarin e 2015-s dhe le të rikthehemi dy - tre vjet më parë, më 2011, kur përgatitej libri...
Përpara se ta dërgonin në shtyp librin, siç e thashë edhe më lart, unë u thërrita disa herë nga botuesi, kryetari i klubit të poetëve të hajkut grek, Kristo Tumanidhi. Ky personalitet ndër më të njohurit, ish nxënësi dhe miku më i ngushtë i Janis Ricosit u mor vetë me të gjitha hajkutë e vëllimit. M’i lexonte një e nga një në greqisht ato dhe kërkonte nga unë të shpjegoja me sa më shumë sinonime të tjera kuptimin e çdo vargu. Një kujdes i jashtëzakonshëm për t’ua sjellë lexuesëve grekë sa më afër origjinalit në shqip. Unë isha i treti shqiptar, pas mjeshtrave bilingë Haris e Niko Kacalidha, me të cilin ai verifikonte me një skrupolozitet të çuditshëm çdo fjalë, çdo nuancë të përkthimit... Për mua ishte përvoja e parë që përballesha me një respekt dhe përkushtim të tillë për poezinë, për librin. Ishte hera e parë që pashë me sytë e mi që poezia të përfillej si një gjë e shenjtë... Aty kuptova pse Poetin, në atdheun e Homerit, e çmojnë si një Shenjtor. Aty m’u kujtua edhe vargu i Taso Livadhitit: “Atdheun e bëjnë çdo ditë punëtorët dhe Poetët.”
Mund të tregoj edhe për klimën festive që përjetohet vetiu këndej sa herë shtëpitë botuese nxjerrin në treg një libër të ri. Nuk do të zgjatem më tej, por shkurt po perifrazoj mikun tonë të përbashkët, poetin “e marrosur” pas haikut, të pavdekshmin Milianov Kallupi: “Me respekt para haikuve të tua e ndjeva veten si në një Kremte të Shenjtë ku ndeza qirin e shpirtit.”...
T’i lemë kujtimet dhe të kthehemi tek libri “Pëshpëritje” që kemi në dorë. Po shoh se filloka me tre shkrime hyrëse. Poetët tanë, ndër më të talentuarit e brezit të tyre, Petrit Ruka dhe Qazim Shemaj për të orientuar lexuesin tek hajkutë, ndjehen të entuziazmuar plotësisht. I pari, Petrit Ruka, kur flet: “Për një buisje të re poetike të Nasho Jorgaqit.” nënvizon se: “Duke lexuar një libër prej mjeshtri të regjur të fjalës, ndjeva atë kënaqësi që të jep poezia e vërtetë dhe e thellë e emocionit, duke i bërë shpesh pyetje të pakuptimta habisë sime, se qysh është e mundur kaq shpesh, pena e Nasho Jorgaqit të krijojë gjendje të tilla kaq të bukura xhelozie si tek këto vargje të tij:“Ç’kërkon ajo re/ Te çatia jote/ Që pret prej orësh?”...”
Ndërsa liriku tjetër Qazim Shemaj vëren se: "Dashuria në krijimtarinë e Nasho Jorgaqit zë kryet e vendit si një ndjenjë e thellë, e fuqishme, e bukur, më njerëzorja, për të cilën ia vlen edhe të flijohesh: “Më thuaj kush është ai/ që të ka dashur më shumë se unë/ Frymën time do t’i jap”".
***
Por mendoj se ia vlen të ndalemi pak tek analiza interesante që bën redaktori i librit Fatbardh Rustemi. Ai, nën titullin e gjetur ”Shpirt i lirë” mes të tjerash thotë:
“Dihet që puna studimore të kalit ndjesinë e konkretes, fakteve, përherë në gjurmim të dokumenteve, për t’i shkuar së vërtetës deri në fund. E thënë me një fjalë: të bën skrupuloz. Ndërsa të qënit shkrimtar të josh me botën marramendëse të figurave dhe detajit, ku me raste humbet dhe mendjen nën efektin e trillit artistik. ...Kam përshtypjen se profesor Nasho ndryshon prej shkrimtarit Jorgaqi, ja që erdhi një ditë që ata të shkrihen në një: tek poeti i dalldisur pas haikut. Kjo është një dukuri e gëzueshme, që mund t’i ndodh veçse atij që s’rresht së kërkuari nga vetja, duke shkaktuar habinë se si mund të shfaqet vrull në moshën e ngadaltë...”
Kam përshtypjen se në paragrafin e mësipërm gjen shpjegim edhe ajo që jam munduar të tregoj në fillim. Më duket se aty fshihet njëra prej përgjigjeve të pyetjes: Pse grekët, në fushën e letrave, e admirojnë me një përparësi të dukshme Poetin nga prozatori?.. Mendoj se është pikërisht Shenjtëria e poezisë, ashtu siç thotë Fatbardhi, kur e nis arsyetimin e tij që në titull:“Shpirt i lirë”. Mirë e thotë. Poezia, ndryshe nga proza është vetëm frymë. Poezia domosdoshmërisht do shpirt. Poeti, ndryshe nga prozatori, është “i dënuar” të jetë kurdoherë i ndershëm. Ndërsa prozatorit i lejohet të trillojë, Poeti është i imunizuar nga ai “mëkat”. Bibla e Poetit është vetëm e Vërteta. Prozatori mund të shohë ëndrra edhe me sy hapur. Poeti jo. Vetëm me sy mbyllur... Dhe për të ëndrruar lirinë duhet me domosdo t’i mbyllësh mirë sytë, siç bën Poeti. Bukur e ka thënë Fatbardhi për ju Poet: “Shpirt i lirë”.
I dashur Poet!
Redaktori i librit tuaj “Pëshpëritje” duke prekur edhe problemin e kohës dhe kushteve social politike në të cilat u zhvillua gjithë krijimtaria juaj madhore dhe thotë: “Jorgaqi është nga të paktët që ka shprehur rezerva ndaj vetes dhe e ka pranuar indoktrinimin e kohës,..” (F.R) vlerëson sjelljen dhe qëndrimet tuaja të ndershme për atë kohë. Edhe tek sjelljet e tua të sinqerta dhe prononcimet e hapura publike, unë mendoj se është pikërisht shpirti i Poetit, i imunizuar nga stili i trilleve prozaike, që i ka përcaktuar ato. Megjithëse, pothuajse gjithë krijimtaria juaj shtrihej në më shumë se për gjashtë dekada në prozë dhe në rrafshin e studimeve akademike, në kohën e sotme të kameleonëve politikë, tek personaliteti juaj triumfoi Poeti. Kjo është, mendoj unë dhe asgjë tjetër. Ndërsa për mungesën e Poetit për aq kohë sa zgjati sistemi i para viteve ‘90, kur lexon hajkutë e librit “Pëshpëritje”, kupton dhe bindesh, se nuk ishte Poeti Nasho Jorgaqi i munguar, por vetë koha ishte e vonuar për të. Ishte koha që nuk lejonte një shpirt delikat si tuajin t’i mbyllte lehtësisht sytë, dhe ëndrra e lirisë nuk shihet dot me sytë hapur. Kjo vonesë e shfaqes botërisht të Poetit, shpjegohet edhe me atë që vetë ju e keni thënë: “Nuk kam besë, kujt t’ia lë të fshehtat e mija, para se ta lë këtë botë.” … Dhe unë mendoj ashtu si redaktori i librit se: “Njëherësh kjo është dhe një protestë, në mos fati i shumëkujt, që të vërtetat i merr me vete. Më shumë se dramë e individit, kjo është tragjedi e një shoqërie që të lë pa miq e pa shokë, pasi përherë ndjehesh i shitur.” Por dhe diçka tjetër: Poezinë, ju Poeti Nasho Jorgaqi mu si një Shenjtor, në mungesë të lirisë, për shumë dekada e ruajtët me xhelozi thellë brenda jush. U morët me prozën, ku dhe aty ndjehet dukshëm shpirti juaj poetik. Poetin Nasho Jorgaqi nuk është fare e vështirë ta gjesh edhe në çdo gërmë e fjalë të studimeve akademike. Vetëm një zemër Poeti mund të derdhë aq dashuri në monumentet shkencore që ju u keni gdhendur korifenjve të kulturës sonë kombëtare. Veç Nolin të përmendësh dhe shqiptarët nuk kanë të shlyer në shekuj me Nasho Jorgaqin. Prandaj jo vetëm për mendimin tim, por të gjithë atyre që kam njohur, me veprën tuaj madhore në fushë të studimeve të historisë sonë të letërsisë, shqiptarët do t’ju jenë përjetë mirënjohës. Hajkutë e tua “Pëshpëritje” dëshmojnë edhe njëherë se ju për pak sa nuk mbetët një Poet i sakrifikuar për të bërë punën e Diogjenit në letërsinë dhe mendin estetik shqiptar.
I dashur Poet!
Këto rreshta nuk i kam për ju, por për lexuesin: Për të qenë më i përmbledhur në gjithçka shkruajta më sipër, dua të them edhe këtë: Sot, në botën e parasë, është vetëm shpresa se rron ende shpirti i Poetit, që mund të na shërbejë si një katarsis i madh shpirtëror. Mund të tingëllojë paksa si utopike, por sot, kur ka shpërthyer palavia morale e shumë politikanëve në mbarë botën, edhe ne shqiptarëve, nuk na mbetet rrugë tjetër… Më shumë se deshifrimi i emrave të ndyrë të atyre që janë përfshirë dhe që qëndrojnë pas tyre në offshore-t e Panamasë, është besimi se mes nesh kemi ende të gjallë edhe Poetin. Çdo krizë e ka fillesën nga kriza morale. Edhe kriza jonë në drejtësi s’është gjë tjetër veçse një krizë morale. Edhe në Greqi morali i krimbur i pushtetarëve i çoi në katastrofën ekonomike. Por, ndryshe nga ne, grekët duket se po e kapërcejnë atë. Dhe unë mendoj se për këtë, po i ndihmon ajo, që këta nuk e humbën për asnjë çast besimin tek morali i Poetëve. Kur një popoull respekton Poetin nuk i bën nder atij, por vetes. Këtë duhet të bëjmë dhe ne. Të ringrejmë në këmbë kultin e Poetit. S'ka rrugë tjetër. Vetëm aty nuk duhet lejuar “evazioni fiskal”…
I dashur Poet!
Për ta mbyllur disi më me optimizëm letrën time dua të shtoj edhe diçka më gazmore. Veç atyre që thashë më sipër, për vonesën e Poezisë tuaj me dekada, unë gjej edhe shpjegim tjetër. Më vinë në ndihmë kujtimet nga fëmijëria ime në Elbasan. Më kujtohet, që sa herë qëllonte të vonohesha për t’u kthyer në shtëpi, nëna ime e ndjerë më drejtohej: “Ku ishe që u vonove? Në Çinemaçin?..” E kuptoja me intuitë se Çinemaçin-i duhet të ishte ndonjë vend i largët. Vonë, kur isha student, e pyeta për kuptimin e fjalës “Çinemaçin” dhe u çudita kur mësova se “Çin-a” s’ishte gjë tjetër, veçse “Kina” dhe e gjithë shprehja donte të thoshte: “ Në Kinë e matanë Kinës”... Të gjithë e dimë se ç’ka matanë Kinës. Është Japonia ku vajtët ju Poet dhe gjetët haikun tuaj të dashur. Kështu që po t’ju duhet ndonjë përgjigje më buzagaze për ndonjë nga ata që nuk jua kuptojnë vonesën, apo ndershmërinë tuaj prej Poeti, pyetjes: “Ku ishe ti Poet?” mund t’i përgjigjeni: “Isha larg në Çinemaçin...” Kështu përgjigjet Poeti dhe jo si mëkatari kur e pyeti Perëndia: “Ku ishe ti Adam? ” ...Dhe ai, pa iu skuqur fare faqja, trilloi: “Në Luftën e Përbotëshme Perëndi.” E thotë Bibla…
Falemnderit Poet!
Comments
Ndonese poeti Nasho Jorgaqi
Ndonese poeti Nasho Jorgaqi ka shkuar shume larg me poezine e tij,eshte shume prane njerzve te vendit te tij me forcen e vargut hajkian.Hajku ,kjo mbretereshe e poezise,e rendit autorin ne eliten e poeteve.
...
E po, mire....
Add new comment