Vetëm konkurset ishin mangët nga Prokuroria e Adriatik Llallës
Gazeta “Dita” raporton për dyshimet që janë ngritur për trukim në konkursin e organizuar nga Prokuroria e Përgjithshme për tre prokurorë të rinj. Shkruan gazeta në fjalë: “Prokuroria e Përgjithshme ka zgjedhur sot si fitues të testit për 3 prokurorë në Shkodër, Vlorë dhe Pogradec, ish-drejtorin e SHKB–së së policisë Astrit Halilaj, oficerin Erion Pustina dhe Anton Pali. Ditën e provimit mësohet se ka pas debate mes dy kandidatëve dhe anëtarëve të komisionit, në lidhje me sekretimin e tezave. Por pavarësisht ankesave ato nuk janë marë parasysh. 24 orë më pas janë publikuar emrat e fituesve, ku rezultoi se ishte Astrit Halilaj ish-drejtori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të policisë së shtetit gjatë kohës së qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha. Halili rezulton i emëruar si oficer pranë Prokurorisë vetëm pak muaj më parë po me firmën e kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili siç duket tashmë do ta emërojë shpejt edhe në detyrën e prokurorit. Ndërkohë fitues për një vend vakant si prokuror u shpall edhe oficeri Erjon Pustina, i njohur si pjesëtar i familjes që ushtron aktivititetin e GAS-it në Shqipëri që prej 20 vitesh. Ndërsa si fitues i tretë u shpall oficeri Anton Pali, që kryente detyrën e oficerit të policisë gjyqësore në Prokurorinë e Durrësit, kreu i së cilës para pak ditësh u vu në qendër të vëmendjes për shkak të refuzimit të vizës amerikane”(http://www.gazetadita.al/hije-dyshimi-per-trukimin-e-konkursit-per-tre-p...).
Prokuroria është organ i centralizuar, pra aty çdo gjë që ndodh kalon nga një emër: Adriatik Llalla, kryeprokurori që ka dy vjet që trazon Shqipërinë me deklarime të tipit: “në shtator do ketë arrestime të nivelit të lartë”, apo se “po hetojmë edhe zyrtarë të lartë”. Llalla kërkoi të rriste profilin edhe gjatë diskutimeve për reformën në drejtësi, duke dalë si zëdhënës i hapur i tezave të LSI-së për Njësinë Antikorrupsion, ndonëse në proces u diskutua edhe çështja e mandatit të tij. Meqë jemi te reforma në drejtësi, prokuroria, apo më saktë hetimi, pritet të ketë një rol të madh, çka për aq sa na ka ofruar Llalla me të gjithë qetësinë e tij, as që mund të mendohet se mund ta kryejë dot. Konkursi është një çikërrimë përpara atyre që kanë ndodhur me organin e akuzës, por shërben për të konfirmuar se kush ka tagrin e hetimit në këtë vend. Vetëm katër ditë më parë, gazeta “shqiptarja.com” raportonte se kishte në dispozicion dosjen e plotë të prokurorisë për çështjen “CEZ” dhe e shoqëronte këtë me hollësi. Nga kjo prokurori kanë dalë pamje filmike që do të duhet të ishin sekret hetimor, shkresa për persona në kërkim, pa folur këtu për mbyllje hetimesh të sinkronizuara me qëndrime të caktuara politike, siç ishte ta zëmë rasti i hetimit për serverin e tatimeve. Konkursi i trukuar, siç raporton “Dita”, shton një element më shumë në atë se Llalla paska marrë garanci se do të jetë gjatë aty dhe tani po bën atë që ndodh rëndom ngado në shtet: po rregullon punët e veta dhe të vetët në feudin që i kanë lënë të menaxhojë.
Comments
Edhe ky, Llalla, si puna e
Edhe ky, Llalla, si puna e Zana Xhukes, nga kontrolli i pasurive vjen, ku sic dihet, "goditi ashper gjithe te koruptuarit".
Po ta vini re, keto kohet e fundit, edhe fizikisht ka filluar t'i ngjaje Saliut, babait te tije shpirteror, edhe kurrizi sikur ka filluar t'i dale, njesoj ai atije.
Te gjitha emerimet qe ka bere keto 35 ditet e fundit, te gjithe kane origjine Kukes, Tropoje, Diber, Puke.
Te gjithe MADE IN SALOFSHOR Vucidol.
Nuk e dime me c'fare mendje eshte kethyer nga SHBA, mbasi zakonisht, ikin me mendjen e tyre, dhe kethehen me mendjen e USTAIT, matane oqeanit.
Te shohim, a do te vazhdoje gjate me mendjen e Saliut, apo do te ike per lesh edhe ky si puna e Sales ?
Add new comment