Franca jep sinjale pozitive për negociatat me BE-në: “Do t’mbështesim, por reformave u duhet shkuar në fund”
Franca jep sinjale pozitive për një rekomandim të BE-së për Shqipërinë për hapjen e negociatave. Harlem Desir, Sekretar i Shtetit për Çështjet Europiane, i cili deklaron se ka ende shpresa për një plus për vendin tonë këtë vit dhe se Parizi zyrtar do të japë mbështetje, por edhe njëherë kjo ndihmë kalon nga puna që duhet të bëjën shqiptarët. “Ka akoma punë që duhen përfunduar, por kur takova kryeministrin Edi Rama munda të konstatoj me të, në cilën pikë progreset e bëra nga Shqipëria në dy vitet e fundit ishin të konsiderueshme. Tani objektivi që duhet të fiksojmë është që në fund të këtij viti, kur Komisioni Europian të shqyrtojë situatën për një raport-rekomandimi, ky raport të jetë pozitiv dhe të mund të bindë të gjithë vendet anëtare të hapin negociatat për anëtarësim. Kjo kërkon ende punë, por Franca do të jetë në krah të Shqipërisë në këtë etapë të re. Nga pesë prioritet janë tre të tjera për të cilat ka ende shumë punë që duhet bërë. Reforma e drejtësisë, që besoj do të miratohet në javët e ardhshme, do të jetë një etapë shumë e rëndësishme. Ka gjithashtu edhe sektorë të tjerë, si lufta ndaj korrupsionit, krimit te organizuar. Në të gjithë këta sekorë janë ndërmarrë veprime, janë bërë reforma. Ajo që ne duam, dhe Franca do të jetë në krah të Shqipërisë, është që të mund t'i shkojmë në fund këtyre reformave dhe të mundemi në fund të vitit të kemi qëndrimin pozitiv nga ana e Komisionit Europian dhe vendeve anëtare”, shprehet Desir. Deri më tani Shqipëria ka mbështetjen e sigurtë të Italisë dhe Austrisë, vende që edhe kanë lobuar në të shkuarën për Shqipërinë. Sinjali nga Franca është jo pa rëndësi, ndërkohë që këshillat për reforma prej kohësh përsëritet për politikën shqiptare. Në fund, çdo alibi do të jetë pa vlerë: nëse dy vjet më parë u fol për forca të errëta në Europë që kishin paragjykime, kjo nuk vlen më.
Add new comment