Një ekspert nga Vjena për “problemet dypalëshe” të Shqipërisë me fqinjët
Para disa ditësh ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, zhvilloi një vizitë në Greqi, të cilën disa media u përpoqën ta trajtonin si shteruese në pikëpamje të diskutimit të çështjeve mes të dyja vendeve. Bushati, që është shkolluar në Greqi, i hapi rrugën një njoftimi zyrtar shumë të thatë, për të lënë mediat që të informonin me “burime” suksesin e vizitës. Zbardhja e konferencës për shtyp mes tij dhe homologut grek, Kotzias, nga Ministria e Jashtme e Greqisë, hodhi dritë mbi faktin se në takime ishte folur për të gjitha çështjet. Shqipëria kërkoi rikonfirmimin e Traktatit të Miqësisë, pa zbuluar nëse përmbajtja aktuale e tij do të ketë ndryshime. Kjo është një çështje me rëndësi, pasi më herët është hedhur ideja nga disa persona publikë se ka nevojë që të rishikohet përmbajtja, meqenëse traktati ekzistues nuk i frenoi problemet mes të dyja vendeve.
Nëse do të shohim qëndrimin e Tiranës zyrtare në një plan evolutiv, mund të themi se vendosja mbi tavolinë e çështjeve, hapur dhe pa ndroje, është sukses për palën shqiptare. Kujtojmë këtu se para disa viteve, zyrtarët shqiptarë as që e zinin në gojë çështjen Çame dhe njësoj si tani, për emigrantët shqiptarë mezi e hapin gojën kur janë në Athinë. Gjërat kanë ndryshuar për mirë. Mirëpo Tirana zyrtare nuk e zbardh axhendën apo planin e veprimit që ajo ka, përmbajtjen e kërkesave për palën greke, duke lënë opinionin të detyruar të informohet në rrugë të tjera.
Ka shumë spekullime se politika e Jashtme e Shqipërisë udhëhiqet nga koniunktura ndërkombëtare edhe në arritjen e objektivave që i konsideron prioritare. P.sh ka një rivalitet mes Turqisë dhe Italisë që shpesh sillet në vëmendje, sikurse nuk është sekret se sjellja e Shqipërisë ndaj Greqisë kushtëzohet jo rrallë nga mbështetja turke. Së fundmi në lojë ka hyrë edhe një vend me interesa tradicionale në Ballkan, si Austria. Tirana zyrtare adoptoi pikëpamjen austriake për çështjen e refugjatëve, duke marrë pjesë në Konferencën e Vjenës. Një pikëpamje që bie ndesh me qëndrimin gjerman. Kjo vlen me gjasë edhe në qëndrimin e Shqipërisë ndaj fqinjëve. Në faqen e Ministrisë së Jashtme të Austrisë publikohet ai që quhet “Plani i Veprimit Austri – Shqipëri 2016”(http://www.bmeia.gv.at/fileadmin/user_upload/Zentrale/Aussendungen/2016/...), një nga pikat e të cilit është edhe “bashkëpunimi në përpjekjet për fqinjësi të mirë dhe në zgjidhjen e problemeve dypalëshe”. “Për këtë çështje një ekspert do të prezantohet në Vjenë në pranverë të vitit 2016”, thuhet në Plan Veprimi. D
Duke qenë se Ministria e Jashtme nuk jep asnjë informacion(pa llogaritur këtu qëndrimin komik të zëdhënësit që nuk hap telefonin) këtu lindin disa pyetje: a përfshihet në tagrin e këtij eksperti trajtimi i problemeve me Greqinë? Nëse po, çfarë kuptimi ka atëherë Traktati i Miqësisë? Shqipëria nuk ka probleme me fqjnjë të tjerë: Maqedonia është një problem ndërkombëtar, ndërkohë që me Serbinë marrëdhëniet janë shtojcë e togfjalëshit: “Miku im Aleksandër”. I vetmi vend me të cilin Shqipëria ka probleme dypalëshe është Greqia dhe nëse kjo axhendë do të merret nën kujdesin e Vjenës mbetet për t’u parë. Le të shpresojmë për mirë se ministri ynë i Jashtëm do të gjejë tek eksperti i Pranverës 2016 një derë tjetër ku të raportojë dhe të dëgjohet.
Comments
Kjo pune eshte si puna e
Kjo pune eshte si puna e peshkut, qe qelbet nga koka.
Mbetet per t'u pare, se c'fare lloj peshku do te jete dhe i c'fare madhesie do te jete.
Por, e sigurte do te jete , nga koka do te qelbet.
Tung.
Add new comment