Një dosje e "re" për Diktaturën: “Qindra shqiptarë të mbyllur në psikiatri për motive politike. Kam parë dosjen kur u bëra President”
Sali Berisha, ish-kryeministër dhe ish-president i Republikës, i ka dhënë dje një intervistë televizionit kosovar, “RTK”. Berisha jep edhe njëherë dëshminë e tij për tranzicionin, nisur nga pyetjet që i janë bërë, jep mendimet për Ibrahim Rugovën, arrestimin e Fatos Nanos etjj. Ka interes një dëshmi e tij për periudhën e Diktaturës së Enver Hoxhës, për të cilën Berisha thotë se ka parë dosjen. Fjala është për mbylljen në psikiatri të njerëzve të ndryshëm, për motive politike, një praktikë kjo e aplikuar gjerësisht ndaj intelektualëve në ish-Bashkimin Sovjetik. Në Shqipëri është folur pak dhe cekët për këtë dukuri, duke lënë të kuptohet se regjimi shqiptar ishte më represiv dhe i drejtpërdrejtë në likujdimin e kundërshtarëve. Thotë Berisha: “Së pari, shumë e shumë gjëra në atë kohë nuk janë njohur. Unë kam qënë pedagog në universitet, kam punuar me kolegët e mi, por unë jam bërë president republike dhe nuk e kam ditur se ishin qindra e qindra shqiptarë të ndryrë në spitalet psikiatrike për motive politike. Unë këtë e kam zbuluar, dosjen e kam gjetur vetëm pasi jam bërë president, por derisa kam gjetur dosjet, ishin jo të paktë të huajt që më pyesnin nëse kishim patur ndryrje në spitalet psikiatrike dhe unë u thoja se nuk ka patur, sepse nuk e dija. Vendi jetonte me një lëvizje tmerrësisht të bllokuar dhe të ngadaltë. Duhet të kishe lidhje direkte dhe familjare që të dije se ç’po ndodhte në periferi. Shqipëria ishte një bunker, në kuptimin absolut, ku të merrje vesh se ç’ndodhte në bizat e bunkerit ishte absolutisht e vështirë”. Ky është një argument që do të kishte dalë gjatë kësaj kohe, meqenëse bëhet fjalë për “qindra” siç shprehet Berisha.
Add new comment