Rusia nis tërheqjen ushtarake nga Siria
Presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar nisjen e tërheqjes ushtarake nga Siria. Ai ka urdhëruar ministrin e Mbrojtjes Sergey Shoigu që të nisë tërheqjen që nesër, ditë e martë, duke deklaruar arritjen e objektivave. Televizioni rus “Russia Today” ka bërë të ditur se Rusia do të ruajë kontrollin mbi portin e Tartus dhe bazës ajrore të Khmeimim, me qëllim vëzhgimin e marrëveshjes së armëpushimit. “Vlerësoj se objektivat që iu vendosën Ministrisë së Mbrojtjes në përgjithësi u përmbushën. Kështu që urdhri im është nisja e tërheqjes të pjesës më të madhe të grupimit tonë ushtarak nga Republika Arabe e Sirisë, duke nisur që nga nesër”, tha Putin gjatë një takimi me ministrin e Mbrojtjes, Shoigu dhe atë të Jashtëm, Sergey Lavrov.
Vendimi u bë i njohur pasi Putin zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin sirian Bashar al Assad, të cilën Kremlini e ka përcjellë me nota pozitive. “Të dy liderët ranë dakord se aksionet e forcës ajrore ruse në Siri kanë përmbysur thellësisht situatën, duke...ç’organizuar terroristët”, thuhet në njoftimin e përcjellë për mediat, shoqëruar me faktin se Assad ka njohur heorizmin dhe profesionalizmin e trupave ruse. Gazeta britanike citonte një diplomat perëndimor të shprehej se lëvizja e Putin është e paqartë: “Të shohim. Është Putin. Ka folur përherë për konçesione, por asgjë nuk ka ndodhur”, citohet diplomati. Ndërkohë Putin ka urdhëruar Lavrov të angazhohet fuqishëm për procesin e paqes që po drejtohet aktualisht nga diplomati Stefan de Mistura.
Në terren ka disa zhvillime pozitive për trupat e Assadit, që mund të mbështeten akoma te Irani dhe Hezbollah, ky i fundit i shpallur organizatë terroriste edhe nga Liga Arabe. Vetë grupet rebele nuk kanë ditur ta lexojnë lëvizjen ruse. “Reuters” citon Fadi Ahmad, zëdhënës për Divizionin e Parë Bregdetar të Ushtrisë së Lirë Siriane të jetë shprehur se “Nuk e kuptoj njoftimin rus. Është një surprzë për ne, njësoj si hyrja e tyre në luftë”. Agjencia britanik njofton po ashtu se pak përpara se të jepje lajmi për urdhrin e Putin, diplomati de Mistura kishte deklaruar se “Siria ndodhet në momentin e së vërtetës”. Bisedimet zhvillohen nën sponsorizimin e Moskës dhe Washingtonit dhe me gjasë, me largimin e rrezikut të ISIS, që aktualisht nuk ka më forcën e dikurshme, tryeza mund të konkludojë në një pazar objektiv pa patur nevojë që grupe si ISIS dhe Al Nusra të imponohen si pjesë e zgjidhjes. Ky është një skenar që lë me gisht në gojë Arabinë Saudite dhe Turqinë, të investuar shumë në këtë krizë. Problemi i vetëm që mbetet është pushteti pas miratimit të atij që quhet “Elementët Bazë për një Zgjidhje Politike”, apo hapja e fazës tranzitore. Qenia ose jo e Assadit është tashmë në dorë të dy të mëdhenjve, ndonëse zyrtarë të Damaskut kanë bërë të qartë se është iluzion të mendohet marrja e pushtetit në tavolinë nga opozita.
Add new comment