Zorrongulët

Postuar në 13 Mars, 2016 14:22
Elis Buba

Zorrongul është një epitet i shndërruar së fundmi në sindromë. I ngjitet një injoranti të guximshëm, pa mendim individual. Një personi që shërben si papagall për retorikën e dëgjuar prej të tjerëve, por nuk është i aftë që të sqarojë atë ç’ka riprodhon.

Rastin më tipik të zorrongulizmit e hasim që herët, në shkollën fillore ose tetëvjeçare, kryesisht tek ata nxënës që i mësojnë mësimet përmendësh dhe nuk dinë të logjikojnë mbi atë çfarë thonë. Disa prej atyre, që në fillore i keni lënë me këto mend, në pjekuri janë përkeqësuar. Pikërisht mbi këtë kategori duhet hedhur më shumë dritë, pasi mikrobi i saj është ndër ata mikrobe që ngjiten ngado. Në jetën e përditshme, në sport, art, kulturë, media, arsim, shëndetësi, drejtësi, filozofi, politikë etj.

Zorronguli, nuk ka pse të jetë detyrimisht provincial. Fare mirë mund të jetë një kryeqytetar. Pra me të tjera fjalë, zorrongulizmi, nuk është një sindromë që vë në balancë krahinizma. Edhe pse për ta luftuar duhet mjaft emancipim dhe mendjehaptësi. Ilustrimin tim mbi këtë kategori personash, dua ta qartësoj me disa shembuj të përditshmërisë sonë. Nuk e di nëse juve u ka ndodhur ndonjëherë që tu thonë “Më larguan nga puna për bindje.” Më rastisi me një të njohurin tim. Ky këmbngulte se e kishin larguar nga puna, siç u tha më lartë, për bindje. Unë e pyeta se kush ishin bindjet e tij dhe ai më tha se ishte i djathtë. Atëherë iu luta që të më sqarojë se çfarë do të thotë për të, të ketë bindje të djathta. Ai më tha se ishte demokrat i flakte, me Partinë Demokratike. Dakort e kuptoj i thashë, por më shpjego cilat janë parimet e tua të djathta. Ato që ranë ndesh me atë që të largoi nga puna. Ai më tha “Jam anëtar i PD që në 2000-shin.” Unë i thashë prerazi, “Zotëri ti nuk po di çfarë të thuash më. Më mirë thuaj se jam me Saliun dhe i shkurton shumë sqarime vetes. Kjo i bie të jetë edhe arsyeja e largimit tënd nga puna..” E pyeta nëse kur kishte filluar punë aty, kishin larguar dikë tjetër, për t’i bërë vend dhe mu përgjigj pozitivisht.

Është situatë e trishtë. Injoranca që ka marrë revanin po shenjon fort fatet e qytetarëve të thjeshtë.

E njëjta skenë do më valvitej para syve edhe në rastin kur në diskutim do isha me një “të majtë” me bindje. Për këtë jam shumë i sigurt. Dhe sigurinë time e bazoj tek zorrongulësia që kam mësuar ta njoh sa herë që më shfaqet përpara. Ndër dallimet që ajo nuk i bën asnjëherë, janë ato për çështje politike.

Kultura politike, është tejet e ndërlikuar edhe për natyra më serioze individësh. Ndoshta shembujt e militantëve fukarenj, nuk janë ato më të përshtatshmit. Por duhet theksuar se kontigjenti i militantëve duhet të jetë duke kapur shifrat e nënshtetasve shqiptarë.

Një tjetër përpjekje për të yshtur zorrongulizmin në ndjekës, shikues dhe lexues, janë dy apo tre raste flagrante, kur shumë të zeza janë pudrosur me të bardhë dhe kanë bërë shfaqjen e tyre publike. Më konkretisht i referohem rastit të stërdiskutuar e stërpërfolur të intervistës së gazetares Rudina Xhunga, marrë zonjës së ish diktatorit. Në pikpamjen time media jonë në tërësi bën e stërbën qoka të shumfishta, por kjo e fundit, është një ndër ato qoka që duan të hedhin një pafundësi hiri në një pafundësi syshë. Sytë e zorrongulëve janë të parët në rradhë. Po të njëjtët zorrongula, që shfrytëzojnë festa si ajo e Pezës, për të shpalosur fotografi, parulla dhe simbole të tjera enveriste. Ose të tjerë kryezorrongulë si ata pak tifozë të Partizanit të cilët shpalosin portretin e Petrit Dumes, si të ishte ndonjë hero renegat i popullit, që mezi pret shpagim për njollat në figurën e tij të ndritur. Shpagim që do ia shpien në derë disa duar nevrastenike, që përdorin injorancën e disa të rinjve, për zorrongullëqet e tyre.

Një “Katarsis i pjeshëm” ishte tejet i nevojshëm në fillimin e marrëzisë kapitaliste alla shqiptarçe. Por fakt i pakundërshtueshëm sa i takon administrimit shtetëror ndër vite, është se Shqipëria nuk gjeneron dot manaxhues të mirë. Ndaj edhe askush nuk mund ta shpinte deri në fund detyrën e spastrimit të shoqërisë nga personat teknikisht të inkriminuar. Pakundërshtueshmëria e kësaj teze qëndron edhe në mjerimin që gëlon në jetët shqiptare sot e kësaj dite, në paaftësimin me dashje të zërit qytetar dhe të të drejtave minimale qytetare.

Megjithatë për më të pabindurit, fakti që kap mat gjithfarë argumentash pro dhe kundër atij e këtij, është pamja groteste që kanë marrë qytetet e vendit tonë në përgjithsi dhe Tirana si metropol në veçanti, këtë çerek shekulli “Pluralizëm”. Ndërtimet dhe betonizimi pa kurrfarë plani afatgjatë, kërkojnë vetëm një bombardim në masë të gjerë dhe rindërtim nga e para, në mënyrë që këtij vendi t’i jepet të paktën së jashtmi trajta e një vendi të banueshëm. Atyre që u është lënë historikisht vendimarrje në dorë, ose kanë qënë kryefukarenj, ose kanë qenë krye të paaftë, ose kanë qenë feshkuj që në vend të shtyllës kurrizore kanë një shirit derri që ua fryn trutë si vela drejt korrupsionit shtazarak. Në fillim të herës, po ia faturojmë keqbërjen fukarallëkut dhe varfërisë. Duke qenë se prejardhjen e kemi nga monizmi më i errët. Paraja në masë ishte gjë e re për këdo.

Më pas keqbëria u bë ves dhe abuzimi me pushtetin mbeti në rend të ditës. E ndihmuar nga një shpurë zorrongulësh që aprovojnë, madje edhe udhëzojnë deri në detaj ç’do rishtar në këto punë.

Për aq sa pushteti i katërt nuk bëhet faktor sepse është i paralizuar nga të hollat e trasha të qokave, që nuk ngurojnë madje të marrin përsipër reabilitimin e kriminelëve gjakftohtë… (I referohem intervistës së Gjebresë, bërë mostrës së Pallatit të Sportit) Atëherë çështja mbetet në dorë të një turme zorrongulësh. Dhe zorrongulët e sojit tonë, asgjë nuk dinë të bëjnë më mirë se sa të pëllasin me zë gryke sa tu mbajë koka, kundër armiqve të Partisë dhe udhëheqësit. Të kaluarit nga fitorja fantazëm, në fitorje, nuk e kurseu Elbasanin, por e bëri skenën qëndrore, ku haptazi u shfaq dëshira e një mase jo të vogël zorrongulësh, për monizëm. Sa dëshirë kam që tu drejtoj disa syresh vetem një “Pse?”. Ç’kuptim ka qëndrimi juaj socialist, i majtë, nëse ai ngushtohet vetëm në një tifozllëk arkaik karshi një individi. A nuk është gabim të mendosh se një individ ka të drejtë absolute dhe një numër i madh individësh janë në gabim absolut?

Një ndër parimet e zorrongulit, që shndërrohet në fatkeqësi bombastike, është trashëgimia që ai lë. Zorrongullëku lihet anamet, si më e vyera e vlerave, nga brezi në brez. Edhe pse është më patetikja e sjelljeve dhe më e ulëta e vetive.

Përse të mos bëjnë qejf Sheikët lebetitës të këtij katundi që shkretohet dita ditës nga zërat e vërtetë qytetarë?! Shumëkush ka hequr dorë përfundimisht nga ky vend, për arsye se askush këtu nuk mban përgjegjësi për jetët që ka marrë në ngarkim. Askush nuk jep llogari përpara drejtësisë dhe kjo gjë merret si një status-quo nga zorrongulët anekënd kësaj fëlliqësie që është shndërruar në sistem.

Për aq kohë sa sindikatat do jenë një dorë marjonetash antipërfaqësuese të gjithçkaje dhe kujtdo, zorrongulët në fjalë, do t’i shohin krerët e partive për të cilat bëjnë tifozllëk, si efendikojtë e tyre të përjetshëm. Për aq kohë sa askush nuk e kupton se në Shqipëri ka tre parti me emra të ndryshëm, platforma të ndryshme në letër e që gëzojnë një pushtet të pakundërshteshëm edhe pse kanë të njëjtën filozofi politike, pakgjë do të mund të ndryshojë. Pikërisht! Në Shqipëri aktualisht pushtetin e gëzojnë dy parti në zë të majta dhe opoziten e bën një parti në zë dhe dukje e djathtë. E vërteta për syçeltët është se të treja këto parti, kur nuk shërbejnë si kompani ekzekutive bisnesi e zyra punësimi, kanë të njëjtën filozofi politike dhe kahje të njëtrajttë, të djathtë. Nëse në vendin tonë bëhet politikë, askush, me dy fije mend më shumë ndër krye nuk mund të thotë se ka parti të majta në këtë vend. Të gjitha palët lobojnë me bisnesin dhe sipërmarrësit, kundër punëmarrësit gjerësisht të papërfaqësuar. Në të shumtën e rasteve ata që lobojnë me bisnesin dhe sipërmarrësit, lobojnë me veten e tyre, duke qenë pjesë aktive përbërëse dhe udhëheqëse e shumë aktiviteteve fitimgjeneruese që gëlojnë lartë e poshtë në pronësi të të dytëve e të tretëve fiktivisht.

Në këtë kaos ngrihen ngadalë, por bindshëm e pa mëdyshje brirët e një fashizmi të duartrokitur, brohoritur, përkrahur e përgëzuar nga turma klishe varfanjakësh të papunë dhe zorrongulësh parasitarë.

Me trok galopant po rikthen koha e poetëve partiakë që gjithë patetizmin e tyre zorrongulesk e derdhën në vargje të llojit:

“Le të rrjedhë çeliku për dyfekë e plugje,

Të pëlcasë armiku, moj kala e kuqe…”

"Postbllok.com"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.