E shëmtuara nuk ekziston
Në shekullin e 19-të, një aborigjene, femër leshatore nga Meksika, e quajtur Julia Pastrana, shfaqej në shown e anormalëve në cirk nën prezantimin: “Femra më e shëmtuar në botë”. Në Europë ajo performonte sipas normave viktoriane: këndonte dhe kërcente, fliste në gjuhë të huaja, i nënshtrohej ekzaminimeve mjekësore publike dhe të tjera formave argëtuese të spektaklit. Si gjatë jetës së saj, ashtu edhe pas vdekjes, ajo etiketohej si “e shëmtuar”.
Kjo fjalë ka rrënjë mesjetare dhe vjen nga norvegjishtja; ajo ka kuptimin e diçkaje që “duhet t’i trembesh, druhesh”. “E shmëtuar” ka nga pas shumë asosacione: monstruoz, grotesk, i deformuar, i fandaksur, i degjeneruar, handikapat. Me historitë e veta të shumta, shëmtia merr formë dhe origjinë nga shumë burime: nga Aristoteli që e quante femrën “mashkull i deformuar”, te transformimet në përrallat mesjetare të shtrigave që kthehen në bukuroshe, karikaturat e shekullit të 18-të, shfaqjet e “monstrave” në shekullin e 19-të, artistët dhe njerëzit e “degjeneruar” të shekullit të 20-të, te arkitektura Brutaliste(vitet ’50-’70 shën.përkth) dhe kështu me radhë. Shëmtia ka parashtruar për një kohë të gjatë një sfidë për estetikën dhe shijen dhe ka komplikuar atë ç’ka do të thotë të jetë e bukur dhe e çmuar.
Traditat perëndimore zakonisht e shohin të shëmtuarën si të kundërtën e të bukurës, por koncepti bart kuptime pozitive në kontekste kulturore të ndryshme. Koncepti japonez i wabi-sabi, e çmon të papërkryerën dhe të përkohshmen, cilësi që mund të konsiderohen si “të shëmtuara” në një kulturë tjetër. Shëmtia(ugliness) dhe E Bukura mund të funksionojnë si yjet binarë, duke rënë në gravitetin e njëri-tjetrit dhe duke orbituar njëri-tjetrin, ndërkohë që janë konstelacion me shumë yje të tjerë.
“Shëmtia” zakonisht përdoret për të përgojuar, apo shpifur, por në dekladat e fundit, kategoritë estetike janë vënë në një dyshim gjithnjë e më të madh. “Ne nuk mund ta shohim të bukurën si të pafajshme”, shkruan filozofja Kathleen Marie Higgins, kur “bukuria/madhështia sublime e resë kërpudhë(bomba atomike) ecën dora dorës me të keqen morale”.
Debatet fitojnë terren në një botë që ndryshon, ndërkohë që kuptimet e “e bukur” dhe e “e shëmtuar” bëhen të paqëndrueshme. Në vitin 2007, një video e titulluar si “Gruaja më e shëmtuar në botë” u bë shumë e shikuar. Në vend të Pastranas ajo shfaqte Lizzie Velasquez, asokohe 17 vjeç, e lindur në Teksas, e vërbër në njërin sy dhe me një çrregullim të rrallë që nuk e lejon të marrë peshë. Komentet e publikut e cilësonin atë “përbindësh”, duke i bërë madje thirrje: “Vri veten”. Kjo përvojë e nxiti Velasquez për realizimin e një dokumentari kundër kanosjes kibernetike, i publikuar në vitin 2015 e që ngrinte pyetjen nëse “e shmëtuar” mund të vlente në këtë rast për akuzuesit e saj.
Në raste ekstreme kundërshtish, “shëmtia” ka qenë jo vetëm moment përjashtues, por edhe një thirrje për përballje. Në kohë dhe vende të ndryshme, secili prej nesh mund të jetë konsideruar i shëmtuar: nga kokëkuqët te syblutë, mëngjarashët, hundësqepët, nga gungaçët te të gjymtuarit. Është e lehtë që ta kthesh ndonjë prej tipareve të jashtme në shenjë shëmtie (dhë shumë më e vështirë e kundërta), apo të reduktosh historinë e shëmtisë në një varg rastesh studimore, pa konsideruar trashëgiminë e saj të madhe.
Në Greqinë antike, sinonimet e shëmtisë nënkuptonin djallin(të keqen), turpin dhe defiçencën fizike. Mund të ketë përjashtime(filozofi i shëmtuar, por i mençur Sokrati, apo tregimtari i deformuar i fabulave, skllavi Ezop), por tiparet e jashtme tentohej të shiheshin si një pasqyrim i vlerave të brendshme, apo si ogure të lindjes. Pseudoshkenca e antikitetit, Fiziognomia, e shikon të mirën dhe të keqen morale të lidhur proporcionalisht me tiparet e bukura apo të shëmtuara. Përrallat mesjetare transformonin të Bukurat dhe bishat, por konotacionet negative u përcollën gjatë gjithë kohës. Përbindëshat filluan të lulëzojnë - në kufijtë e keqkuptimit - ndërkohë që perandoritë koloniale po zgjeroheshin. Eksploratorët europianë p.sh, i interpretonin skulpturat “e shëmtuara” të zotave indianë si shenja që parathonin apokalipsin, të lexuara përmes narrativave kristiane të cilat as që ishin menduar prej tyre dhe as u drejtoheshin.
Shekujt e 18-të dhe i 19-të vijuan të testonin linjën e paqëndrueshme mes “të bukurës” dhe “të shëmtuarës”. Në karikatura ekzagjeroheshin tiparet në një kohë ku “shëmtia” dhe “deformacioni” përkufizoheshin thuajse si identike. Parlamentari britanik William Hay, që ishte gungaç, u përoq që ta veçonte “deformacionin” nga homologu i vet i keq dhe argumentonte se trupi i tij i deformuar nuk pasqyronte një shpirt të shëmtuar. Ndonëse kuptimet tradicionale ishin sfiduar, shfaqjet e monstrave(freak shoë) e ngritën shëmtinë në lartësi të reja, krahas muzeumeve të anatomisë dhe panaireve botërorë ku shfaqeshin specimene njerëzore dhe ekspozita etnike.
Lufta e Parë Botërore i shkatërroi nocionet e trashëguara të shëmtisë. Teksa lufta arriti nivele të reja të mekanizimit, të rinj, që dikur ishin të pashëm, u shndërruan në të shëmtuar si pasojë e granatave, gazit mustard dhe tankeve. Disa ushtarë si les Gueules cassées, (të shpërfytyruarit) u bënë bashkë që “fytyra jonë e tmerrshme” të bëhet “një edukator moral” që “do na kthente dinjtetin tonë”. Ndërsa pjesa më e madhe vdiqën apo u tërhoqën në heshtje, shoku viziv u ripaketua nga artistët dhe reklamuesit që përpiqeshin të rindërtonin një rend të ri botëror.
Nga viti 1930, Gjermania Naziste mbështeti një estetikë të nacionalizuar, duke censuruar të shëmtuarën dhe reduktuar atë në termat “i degjeneruar”, që lidhej me vepra arti dhe grupe kulturore, njëlloj të shënjestruar për persekutim apo asgjësim.
Gjatë konfliktit, çdo kërcënim nga armiku mund të shëmtirizohet dhe kështu të përgjithësohet. Një individ mund të përfshihej në një grup “të shëmtuar” nga një tipar arbitrar - një shirit i verdhë në krah apo një shall i zi në kokë - në varësi të vëzhguesit. Ndërsa “e shëmtuara” mund të bashkëngjitet virtualisht me çdo gjë, trashëgimia e paqëndrueshme e fjalëve që e konstituojnë atë, shërben si markë për trupin dhe mund të na informojë më shumë për atë që shenjon(vëzhguesin) sesa të shenjuarin(të vëzhguarin – të shpallurin si i shëmtuar). Si na thotë Frank Zappa në këngën e tij: “Pjesa më e shëmtuar e jotja, nuk është hunda, apo gishtat e këmbës, por “mendja jote”.
Në fund të viteve ’30, Kenneth dhe Mamie Clark, udhëtuan në Amerikën Jugore për të studiuar pasojat psikologjike të segregacionit dhe diskriminimit racor , duke u kërkuar fëmijëve të zgjidhnin mes kukullave të bardha dhe të zeza. Kukulla e bardhë, në mënyrë dominuese u karakterizua si “e bukur – e pashme”(pretty), kukulla e zezë si “e shëmtuar, shoqëruar këto me cilësi si “e mirë”, “e keqe”, “e pastër” dhe “e pistë”. Duke ndjekur të njëjtën temë në novelën e saj “Syri më blu”(1970), Toni Morrison shkroi për pasojat e racizmit në familjen Breedlove:
“Ishte sikur një mjeshtër i gjithëditur, misterioz, i kidhte dhënë secilit një mandtel shëmtie për të veshur...Mjeshtri kishte thënë: “Ju jeni njerëz të shëmtuar”. Ata panë njëri –tjetrin dhe nuk gjetën asgjë që të mund ta kundërshtonin këtë deklaratë; gjetën në fakt, mbështetje për të, që vinte nga çdo baner, çdo film, çdo shikim”.
Artet kanë një pasqyrë për sjelljet që ndryshojnë. Etiketat fillestare që i atashohen “i shëmtuar” ndonjëherë harrohen sapo subjektet e përqeshura marrin vlerë. Impresionizmi i shekullit të 19-të –aktualisht në plan të parë në ekzibicione të suksesshme – fillimisht krahasohej me ushqimin e qullët dhe mishin e kalbur. Kur punët e Henri Matisse u shfaqën në Amerikë, në Armory Show në vitin 1913, kritikët e stigmatizuan artin e tij si “i shëmtuar”, ndërkohë që studentë të arteve në Chicago dogjën një kopje të punës së tij “Blue Nude” përpara Institutit të Arteve. I njëjti institucion organizoi një retrospektivë të madhe të punës së këtij piktori një shekull më pas. Jazz dhe rock’n’roll konsideroheshin dikur si muzikë “e shëmtuar”, që kërcënonin të korruptonin breza të tërë.
Të gjendur përballë njollës së “të shëmtuarës” disa artistë zgjodhën ta përqafojnë këtë fjalë. Piktori Paul Gauguin e quajti shëmtinë “gur prove të artit tonë modern”. Poeti dhe përkthyesi Ezra Paound inkurajoi një “kult të shëmtisë”. Kompozitori H H Parry e vlerësoi shëmtinë në muzikë, pa të cilën “nuk do të kishte porgres, si në arte ashtu edhe në fushën sociale”. Kritiku Clement Greenberg e lavdëroi ekspresionizmin abstrakt të Jackson Pollock se “nuk kishte frikë të dukej i shëmtuar – të gjitha artet thellësisht origjinale duken të shmëtuara në fillim”.
Ishte përdorimi i fjalës që ndihmoi në përhapjen e ngarkesës negative të saj. Piktori kinez i shekulli të 17-të Shitao, dukej sikur i paraprinte penelatave energjetike të Pollock kur e titullonte pikturën e tij “Dhjetë mijë njolla të shëmtuara boje”. Një traditë më e hershme e poezisë mesjetare arabe kontribuoi pozitivisht në rikuadrimin e kushteve njerëzore të lidhura me sëmundjen dhe paaftësinë fizike “duke shëmtuar të bukurën dhe zbukuruar të shëmtuarën”. Termi francez jolie laide, ose “e shmëtuara e bukur” shkon pas në shekullin e 18-të kur “klubet e shëmtuara” u shfaqën në Britani dhe në SHBA si organizata vullnetare vëllazërish, anëtarët shakaxhinj të të cilave vinin në lojë pamjen laramane të vetën; hundën, mjekrën, shikimet e vëngëra. Shumë klube ishin poshtëruese dhe patën jetë të shkurtër, por të tjerë, si Festa e të Shëmtuarëve në Itali(festa dei brutti), mbijetoi dhe përpiqet që të përballet me diskriminimin bazuar në pamjen e jashtme.
Edhe pse politika dhe media sociale janë në krye të përballjeve “të shëmtuara”, argëtimi popullor e ka përqafuar shëmtinë. Shfaqja televizive “E shëmtuara Beti”(2006-2010) drejtoi një fushatë të quajtur “Të jesh e shëmtuar” dhe Shrek, komedia muzikore, mbante slloganin: “Rikthimi i të shëmtuarës”. Lodrat popullore për fëmijë, Kukullat e shëmtuara(Uglydolls) mbajnë moton: “E shëmtuara është e bukuria e re”. Ndërkohë që disa spektakle zbavitës fetishizojnë shëmtinë, libra kujtimet e Robert Hoge, “I shëmtuar” (2013) dhe novela fantastiko shkencore e Scott Ëesterfeld “Gjëra të shëmtuara”(2005), i nkurajojnë njerëzit që të shohin përtej paraqitjes fizike. Një organizatë kundër kanosjeve dhe fyerjeve në hapësirën kibernetike, ka ndryshuar fjalën anglisht UGLY si shkurtesë inicialesh: “Unique(unik), Gifted(I talentuar), Loveable(I dëshirueshëm), You(Ti)”. Dikur e izouluar në planin social, “e shëmtuara”, përherë e më shumë po kthehet kundër vetes për të sfiduar kuptimet e trashëguara dhe madhe për të përballuar padrejtësitë.
Kur ne e quajmë diçka të shëmtuar, ne themi diçka rreth vetes sonë – çfarë kemi frikë, apo druhemi. Drejtuesit dhe spektatorët e show të anormalëve të shekullit të 19-të që e quanin Pastranën “e shëmtuar” ishin pjesë e hijes së një shfaqjeje periferike.
Eshtrat e saj u riatdhesuan në Meksikë në vitin 2012 kur Komiteti Kombëtar Norvegjez për Kërkime Etike mbi Mbetjet Njerëzore e ktheu mbrapsht etiketën ndaj saj, duke i quajtur organizatorët e shfaqejeve dhe spektatorët e tyre si “groteskë”.
Pyetja mbetet: si e perceptojmë dhe reagojmë ndaj situatave të ngjashme në mesin tonë? Si e përcaktojmë skenën e së ardhmes? Victor Hugo ofroi një vështrim miratues ndaj shëmtisë kur shkroi se “e bukura” është formë e konsideruar në aspektin e saj më të thjeshtë”, ndërkohë që “e shëmtuara” është “një detaj i një të tëre të madhe e cila na ikën, nuk e rrokim dot, dhe që është në harmoni, jo me njeriun, por me të gjithë krijimin”. Teksa yjet binarë të shmëtisë dhe bukurisë vazhdojnë të orbitojnë ndaj njëri –tjetrit në universin tonë në zgjerim, ne duhet të mbajmë parasysh mirë të gjithë yjet e tjerë që oshilojnë rreth tyre si konstelacione të reja të mundshme.
https://aeon.co/opinions/the-history-of-ugliness-shows-that-there-is-no-...
Add new comment