Vlera e posaçme e ishujve në delimitimin e ujërave mes Greqisë dhe Shqipërisë**

Postuar në 09 Mars, 2016 18:25
Beqir Gërbi*

Para tre javësh, një mik më rekomandoi të lexoja intervistën e znj. Anastasia Strati, dhënë gazetarit Robert Goro, botuar në gazetën “Tema” dt.17 qershor 2015 “Argumentet e palës Greke kundër anulimit të Paktit Detar”. Sipas z. Robert Goro, znj. Anastasia Strati është një studiuese dhe eksperte e njohur e të drejtës së detit, e cila për më tepër, ishte anëtare e delegacionit grek në negociatat me palën shqiptare. Znj. Strati, kohët e fundit ka botuar librin te titulluar “Zonat detare greke dhe delimitimi me shtetet fqinje”. Po sipas z. Goro, në libër zbardh plotësisht pikëpamjen e palës greke mbi marrëveshjen e 2009.

Unë, përtej deklaratave me përmbajtje rreptësisht politike, nuk isha ndeshur me prononcime të natyrës tekniko-juridike. Nuk kisha dijeni për metodologjinë e përdorur në arritjen e marrëveshjes, përdorimin e korrektimit ose të Ekitesë në delimitimin e hapësirave ujore detare si dhe për trajtimin e kushteve të veçanta të ishujve. Për hartën detare, nuk bëhet fjalë.

Me rekomandimin e z. Krisafi, për t’iu referuar protokollit të Firences, ku zëvendësonte fjalën “normale” me fjalën “perpendikulare”, si sinonime të njëra-tjetrës e konsiderova të gabuar. Znj.Strati intervistën e ndan në katër pika.

Nga leximi i intervistës krijova një ide të përgjithshme për arritjen e marrëveshjes për detin me Greqinë. Konkretisht kuptova se:

Parimi i përllogaritjes së vijës së mesit, duke përdorur metodën e baraslargësisë nga kepat, ka përbërë metodën bazë në delimitimin e zonave detare, ashtu siç njihet nga jurisprudenca ndërkombëtare.
Znj. Strati thekson: “Pas një shkëmbimi esencial pikëpamjesh të dy qeveritë konkluduan bashkarisht në marrëveshje e cila bazohet në dispozitat e të drejtës ndërkombëtare dhe në një rezultat të ndershëm, që u zyrtarizua me nënshkrimin e marrëveshjes (pika 3).

U ra dakord që të llogaritet vija e mesit në bazë të vijës bregdetare natyrore, përfshirë gjirin e Korfuzit, në rastin e të cilit përmbushen kriteret e nenet 10 të Konventës për të Drejtën e Detit (pika 2).
Duke njohur ndikimin e plotë në të gjithë ishujt, përfshi edhe atë Otonoi. Ky rregullim është shumë i rëndësishëm pasi, pjesa e mbetur e delimitimit i shelfit kontinental Greqi-Shqipëri, aq edhe delimitimi i shelfit kontinental Greqi-Itali, influencohen nga ishulli Otonia (pika 4).
Vendimin e Gjykatës Kushtetute të Shqipërisë për anulimin e marrëveshjes për detin, e quan pa baza dhe i paargumentuar juridikisht (pika 1).
Argumentet e paraqitura nga znj. Strati, i marr si të qëna edhe si argumente zyrtare të qeverisë e palës greke, por edhe si argumente të ish-qeverisë shqiptare e të komisionit të përpilimit të marrëveshjes.

Në artikullin e botuar në gazetën “Dita”, dt.16 maj 2015 “Në ndihme të Komisionit, për marrëveshjen me Greqinë”, theksoja që në delimitimin e hapësirave ujore detare me Greqinë të përllogaritej vija e mesit duke aplikuar metodën e baraslargësisë nga kepat. Kjo metodë rekomandohet nga Konventa Detare-për shtetet përballë ose përbri. Për rastin Shqipëri-Greqi, metoda e baraslargësisë duhet filluar nga piramida III/79, në gjirin e Ftelias dhe nga kanali i Korfuzit, për në jug e veri.

Në intervistë znj. Strati thekson: Parimi i baraslargësisë përbën metodën bazë për delimitimin e zonave detare, ashtu siç njihet nga jurisprudenca ndërkombëtare.

Besoj se kjo metodë është përdorur nga piramida III/79 dhe nga kanali i Korfuzit, për në jug dhe për në veri. Meqenëse për metodën ndajmë mendime të njëjta, po ndalem në pikën 2 dhe pikën 4 të intervistës (shih) të cilat sipas meje kanë natyrë tekniko-juridike.

Së pari: Po ndalem në pikën 2, ku thotë: Në kuadër të marrëveshjes u ra dakord që të përllogaritet vija e mesit në bazë të vijës bregdetare natyrore, përfshirë gjirin e Korfuzit, në rastin e të cilit përmbushen kriteret e nenit 10 të Konventës për të drejtën e detit.

Çfarë përmban neni 10 i Konventës detare dhe si zbatohet në delimitimin e hapësirave ujore detare? Sipas Konventës detare UNCLOS-82, gjiret që kalojnë testin e gjysmërrethit klasifikohen si gjire juridike ose thjesht-gji. Gjiri Korfuzit përmbush testin e gjysmërrethit e cila kërkon: Nëse hapësira ujore e gjirit është më e madhe se gjysmërrethi, diametri i të cilit është vija e drejtë e cila bashkon hyrjen e të thelluarës (neni 10).

Meqenëse gjiri i Korfuzit përmbush kriterin e nenit 10 të Konventës Detare, sipas znj. Strati, në rastin konkret, pas një shkëmbimi esencial pikëpamjesh, të dy qeveritë konkluduan bashkarisht të korrektojnë ose zbatojnë parimin Ekites në gji. Me këtë veprim të padrejtë kanë rrëmbyer një pjesë toke kontinentale, një pjesë të hapësirës ujore dhe një pjesë të hapësirës ajrore, nga pjesa e territorit kombëtar të shtetit shqiptar.

Për të argumentuar veprimin e gabuar dhe padrejtësinë e marrëveshjes po i referohem nenit 15 të Konventës detare UNCLOS-82: Në rastet kur distanca midis dy shteteve është e kufizuar vija kufitare shtetërore duhet të jetë e baraslarguar përkatësisht nga vija bazë të bregdetit të shteteve që janë përfshirë në përcaktimin e kufijve detarë, duke marrë për bazë zbatimin e parimit të BARASLARGËSISË, PAANSHMËRISË dhe DREJTËSISË.

Duke zbatuar në mënyrë spekulative kriteret e nenit 10, në gjirin e Korfuzit, me marrëveshjen e miratuar nga dy qeveritë, kanë prishur parimin e baraslargësisë, të paanshmërisë dhe të drejtësisë; kanë cenuar sovranitetin e shtetit shqiptar, mbi detin territorial; i kanë dorëzuar shtetit grek një pjesë të territorit kombëtar (tokë-ujë-ajër), që çon në cenimin e integritetit të vendit.

Sipas Konventës UKT-58 dhe UNCLOS-82, hapësira e ujërave territoriale konsiderohet pjesë e territorit kombëtar të shtetit bregdetar. Në drejtimin e detit (kufiri-tokësor-ujor-ajror) shtrihet deri te vija e detit territorial, mbi të cilën shteti gëzon sovranitet të plotë. Sipas Konventës Detare UNCLOS-82 kriteri nenit 10, zbatohet vetëm në ato gjire që plotësojnë kërkesat e gjysmërrethit për të përmbushur parimin e Ekitesë ose thënë ndryshe për të korrektuar, për ta bërë sa më të drejtë vijën e shelfit kontinental e cila shtrihet përtej ujërave territoriale. Sipas nenit 76 të Konventës Detare UNCLOS-82, shelfi kontinental i një shteti bregdetar përfshin fundin e detit dhe nënburimet e zonës nënujore që shtrihet përtej detit të tij territorial. Shteti gëzon sovranitet vetëm mbi fundin e detit dhe nënburimet e zonës. Jo mbi qeniet e gjalla e hapësirën ujore. Por meqenëse gjerësia e shelfit kontinental matet nga vija bazë, mund të spekulohet duke e quajtur vijën ndarëse të detit territorial si vijë të shelfit kontinental.

Në rastin konkret, në gjirin e Korfuzit hapësira ujore detare është e kufizuar. Ajo nuk mjafton për të shtrirë detin territorial në gjerësinë e ligjëruar në 12 milje detare. Prandaj kriteri i nenit 10 në gjirin e Korfuzit nuk mund të zbatohet deri në veri të ishullit Fanos (Otonoi), kur distanca nga vija ndarëse e detit territorial deri te vija bazë kepi Grames-kepi Panormës (kepi verior i gjirit Palermos) do arrijë 12 milje detare. Përtej kësaj vije 12 milje detare, shtrihet shelfi kontinental.

Për të mos e përsëritur referohuni nenit 15 dhe nenit 76 të Konventës UNCLOS-82. Duke iu referuar pikës 2 të intervistës së znj. Strati, kam mendimin se: Në gjirin e Korfuzit i është marrë një pjesë e territorit kombëtar (tokë-ujë-ajër); është cenuar sovraniteti i shtetit shqiptar mbi detin territorial. Prandaj vendimin e Gjykatës Kushtetuese e quaj të drejtë, me baza dhe i argumentuar juridikisht.

Së dyti: Po analizoj pikën 4.

Znj. Strati thotë: Gjykata Kushtetuese nënvizon se nuk janë marrë parasysh ishujt si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare. Sipas saj, Gjykata Kushtetuese i referohet si precedent marrëveshjes detare Shqipëri-Itali, por ajo i kundërvihet duke thënë se, metodologjia e përdorur në marrëveshjen me Italinë nuk vlen për atë me Greqinë.

Basha-BakojanisNë marrëveshjen Shqipëri-Greqi, znj. Strati thekson: Vija e mesit u përcaktua në mënyre strikte, duke garantuar një rezultat të ndershëm (dhe përmbushur parimin e Ekitese), dhe duke njohur ndikimin e plotë në të gjithë ishujt, përfshi edhe atë Otonoi. Ky rregull është shumë i rëndësishëm pasi, pjesa e mbetur e delimitimit i shelfit kontinental Greqi-Shqipëri, aq edhe delimitimi i shelfit kontinental Greqi-Itali, influencohen nga ishulli Otonia.

Znj. Strati, megjithëse i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se nuk janë marrë parasysh ishujt si rrethana të veçanta, në delimitimin e hapësirave detare, i shmanget nga përgjigja, me justifikimin se gjoja Gjykata Kushtetuese i referohet si precedent marrëveshjes detare Shqipëri-Itali.

E ndien ndikimin e plotë të ishujve, por në mënyrë të veçante të ishullit Otonoi, i cili ndikon jo vetëm në delimitimin e shelfit kontinental Shqipëri-Greqi, aq edhe në delimitimin e shelfit kontinental Greqi-Itali. Znj. Strati, barazia është drejtësi, juve ju mungon fryma (predispozicioni), për të dhënë drejtësi. Duke u shprehur se ishulli Otonoi ndikon në delimitimin e shelfit kontinental Greqi-Itali, e jepni si argument se, ishulli Otonoi i plotëson kërkesat e nenit 4 (1, 2) të Konventës ujore detare, KUT-58 dhe nenit 7 (1, 3) të Konventës Detare UNCLOS-82, që trajtojnë zbatimin e parimit të vijës së drejtë bazë për kushtet e veçanta të ishujve.

Sipas jush, jepni të kuptojmë se për këtë ka rënë dakord edhe pala italiane.

Dihet se ishulli Otonoi është afër Shqipërisë, i cili ndikon direkt në delimitimin e detit territorial e të shelfit kontinental. Prandaj të drejtën për të trajtuar ishullin Otonoi, për kushte të veçanta gjeografike, është një problem që zgjidhet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Po u referohem Konventave detare KUT-58 dhe UNCLOS-82, se çfarë thonë për ishujt, duke e konkretizuar me ishullin Otonoi. Një ndër konceptet juridike themelore të së drejtës së detit është dhe vija e drejtë bazë. Vija e drejtë bazë është bazë-nisja për legjimitetin e të gjitha hapësirave detare. Të gjitha hapësirat ujore detare, matjen e fillojnë nga vija e drejtë bazë. Ajo përcakton kufirin e jashtëm të ujërave të brendshme detare, fillimin e matjes së detit territorial si dhe të shelfit kontinental. Parimi i vijës së drejtë bazë zbatohet edhe për kushtet të veçanta gjeografike.

Për bregdete shumë të thyera dhe të copëzuara, Konventa Detare thekson se, u krijuan dispozita të posaçme ligjore në të drejtën ndërkombëtare, të cilat përcaktojnë norma juridike mbi vijën normale bazë, e cila zbatohet për kushtet gjeografike. Sipas nenit 4 (1) të KUT-58 dhe nenit 7 (1) të UNCLOS-82 parimi i vijës bazë zbatohet për kushtet gjeografike kur:

a- brezi bregdetar konsiderohet i përthyer dhe i copëzuar,

b- ose kur në një distancë shumë të afërt me bregdetin ndodhen grupe të caktuar ishujsh dhe shkëmbinjsh mbi ujë.

Sipas nenit 3 i UNCLOS-82, e përcakton gjerësinë e ujërave territoriale deri në 12 milje detare nga vija bazë.

Kur thuhet në një distancë shumë të afërt me bregdetin, duhet t’i referohemi gjerësisë së ujërave territoriale, e cila matet nga vija e drejtë bazë e bregdetit kontinental. Konkretisht ishulli Otonoi, sa larg është nga bregdeti kontinental? Distanca llogaritet si hapësirë ujore detare, nga vija bazë e tokës kontinentale. Konkretisht: Distanca nga gjiri Ftelias deri në ishullin Sidero është mbi 4 milje detare. Distanca nga ishulli Korfuzit deri në ishullin Otonoi është mbi 11 milje detare. Ishulli Otonoi është mbi 15 milje detare nga vija bazë e bregdetit kontinental. Në qoftë se për ishullin Otonoi do zbatojmë parimin e vijës bazë ne artificialisht e rrisim gjerësinë e ujërave territoriale, duke e çuar mbi 27 milje detare. Një veprim i tillë rrit edhe gjerësinë e shelfit kontinental. Parimi i vijës bazë nuk zbatohet për ishujt që kalojnë distancën prej 12 milje detare nga bregdeti kontinental.

Si konkluzion: Për mua, ishulli Otonoi nuk mund të klasifikohet ishull pranë bregdetit kontinental në termin ligjor.

Po i referohem nenit 4 (2) të KUT-58 dhe nenit 7 (3) të UNCLOS-82 ku thuhet:- c: “Vija e drejtë bazë nuk duhet të shtrihet në drejtim të ishujve ose shkëmbinjve të cilët ndodhen mjaftueshëm larg drejtimit të përgjithshëm të vijës bregdetare dhe… (vazhdon në germën d).

Drejtimi i përgjithshëm i bregdetit kontinental, në kanalin e Korfuzit e ka Jug-Juglindje. Një drejtim të tillë ka edhe ishulli i Korfuzit. Për të zbatuar parimin e vijës së drejtë bazë, për ishullin Otonoi, na duhet ta shtrijmë vijën bazë nga lindja në perëndim. Ky veprim nuk rekomandohet nga Konventa detare edhe për faktin se ishulli Otonoi ndodhet mjaftueshëm larg (mbi 15 milje detare) drejtimit të përgjithshëm të vijës bregdetare.

d: “Hapësirat detare që shtrihen brenda vijës bazë duhet të jenë të lidhura ngushtësisht me pjesën tokësore të brezit bregdetar të shtetit”.

Për secilin, po t’i referohet hartës detare të zonës, është më se e qartë se hapësira detare që shtrihet brenda vijës bazë: kepi Shën-Stefano-shkëmbi Sepra-shkëmbi Pleshti-shkëmbi Pëllumbi-ishulli Erikuses-ishulli Otonoi, nuk janë të lidhura ngushtësisht me pjesën tokësore të brezit bregdetar që fillon nga gjiri i Ftelias për në Jug-Jugperëndim.

Sipas Konventës Detare UNCLOS-82 theksohet se: “Kjo dispozitë ligjore konsiderohet e paqartë dhe e ndërlikuar nga pikëpamja e zbatimit praktik nga shumë juristë duke krijuar hapësira për keq interpretim dhe për zbatimin praktik të kësaj dispozite, sipas interpretimit të lirë ose sipas interesave të palëve të përfshira në konflikte detare.

Duke u orientuar nga kjo kërkesë, për ta bërë më të qartë në zbatimin praktik të dispozitës e ndava për çdo kërkesë.

Në zbatimin e parimit të vijës së drejtë bazë, sipas Konventës detare, shtetet duhet të kufizohen edhe nga fakti që të mos ndërpresë detin e hapur. Duke iu referuar kërkesave të Konventës Detare UNCLOS-82, arrij në konkluzion se ishulli Otonoi:

– Nuk mund të klasifikohet ishull pranë bregdetit në termin ligjor.

– Vija e drejtë bazë, për në ishullin shtrihet jo në përputhje me kërkesat e Konventës detare neni 7 (3).

– Hapësira detare që shtrihet brenda vijës bazë, nuk është e lidhur ngushtësisht me pjesën tokësore të brezit bregdetar.

Vija e drejtë bazë e ishullit ndërpret detin e hapur për daljen e mjeteve lundruese nga portet e bregdetit për në detin e hapur.

Prandaj, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku nënvizon se nuk janë marrë parasysh ishujt si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare, e konsideroj të drejtë, me baza dhe të argumentuar juridikisht. Zbatimi i gabuar i Ekitesë në gjirin e Korfuzit dhe trajtimi i ishullit Otonoi duke zbatuar parimin e vijës së drejtë bazë, kanë krijuar mundësinë që Shqipëria të humbasë në favor të shtetit grek, hapësira detare.

* Shefi i Shtabit të Flotës Detare (1981-1990) dhe Kryetar i Komisionit për përcaktimin e vijës së Shelfit Kontinental Shqipëri-Itali (1982-1990)
**Titulli është i "ResPublica"

"Dita"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.