12 mijë dokumente mbi Shqipërinë

Postuar në 08 Mars, 2016 14:31

Rreth 12 mijë dokumente mbi Shqipërinë që ruheshin në arkivin qendror të Stambollit, tashmë janë në Arkivin Qendror të Shtetit. Gjatë vizitës së fundit që kreu i arkivave shqiptare, Gjet Ndoi, pati në Turqi, u bë e mundur marrja e mijëra dokumenteve me rëndësi historike kombëtare. “Qëllimi i vizitës ishte shkëmbimi i dokumenteve nga të dyja palët në formë elektronike. Gjatë bisedimeve me palën turke, që kryesohej nga Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Turqisë z. Ugur Unal dhe nëndrejtori i Përgjithshëm z. Sebahattin Bayram, u ra dakord që të kryhen modalitetet e nevojshme, që edhe me mbështetjen e TIKA-s të fillohet nga puna nga të dyja palët”, thotë drejtori Ndoi. Tashmë pritet të vijë në Tiranë për një vizitë Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Turqisë, dhe të dyja palët të dërgojnë ekspertët përkatës, që të njohin gjendjen e dokumenteve dhe rrugët për këmbime reciproke të tyre. Për drejtorin Ndoi, i cili e quan prioritet raportet që Arkivi duhet të ketë me jashtë, në mënyrë thithjen e sa më shumë dokumenteve që do të pasuronin këndvështrimin tonë mbi historinë, ardhja e dokumenteve që ruheshin në arkivat turke është një ngjarje me rëndësi. Çdo dokument është i rëndësishëm për atë çfarë mbart. Një pjesë e dokumenteve flet për mënyrën e administrimit të tokës, apo jetën politike të Ismail Qemalit në Turqi. Ka pasur përpjekje të vazhdueshme nga ana e Ismail Qemalit për të bindur qeverinë osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë. Ismail Qemali mendonte që në vend të regjimit absolutist të sulltanëve osmanë të vendosej një monarki kushtetuese parlamentare, e ngjashme me atë të disa vendeve të Europës. Mehmed Said Pasha, ish-kryeministër i Turqisë, shkruante në kujtimet e tij (më 1912) se, bashkë me promemorien, Ismail Qemali i paraqiti sulltanit edhe projektin e një kushtetute, të cilën ai (Said Pasha) e quante si më të përshtatshme për vendosjen e një regjimi parlamentar në Perandorinë Osmane. Miratimi i një kushtetute të tillë do t’u hapte rrugën reformave decentralizuese, me zbatimin e të cilave pushteti lokal do të kalonte në duart e vendasve dhe të përfaqësuesve të të gjithë popujve të Perandorisë. Një mori dokumentesh në osmanisht tregojnë mbi aktivitetin politik të Ismail Qemalit, shumë pak i njohur në historinë tonë. Interesant është fakti që në një pjesë të dokumenteve flitet për një personazh shumë pak të përfolur në historinë tonë, por që ka qenë një personazh me ndikim në atë periudhë. Ai është Bib Doda, i quajtur ndryshe dhe si princi i trevave katolike të veriut. Sipas drejtorit Ndoi është duke u negociuar për të marrë tapitë e tokave për katër vilajetet gjatë periudhës osmane. Dhe pse në kohë këto tapi kanë ndryshuar ato do të jenë me rëndësi për karakterin studimor të asaj periudhe. Janë 57 regjistra apo (Tahire siç i quajnë turqit) për Shqipërinë në Arkivat Otomane, nga 980 regjistra të asaj periudhe. Është interesante fakti se regjistri i parë hapet me Shqipërinë, çka tregon vëmendjen që ka pasur Porta e Lartë ndaj vendit. Prurja e këtyre regjistrave në Arkivin Qendror të Shtetit është dhe një nga misionet që Arkivi ynë. Drejtori Ndoi thotë se prej kohësh vëmendja është zhvendosur në marrëdhëniet me jashtë, pasi ka pasur gjatë kësaj periudhe një hendek në këto raporte. Por nuk është vetëm Turqia, me të cilën vijojnë negociatat për pasurimin e informacioneve, por dhe vende të tjera si Rumania, Serbia, Rusia apo Vatikani. Me Hungarinë është duke u biseduar për të poseduar më shumë dokumente që kanë lidhje me Shqipërinë. Vetëm pak ditë më parë, drejtoresha e Përgjithshme e Arkivave Kombëtare të Hungarisë, Zsuzsanna MIKÓ, ishte në një vizitë në Tiranë mbi këtë çështje, ku u nënshkrua marrëveshja e Bashkëpunimit midis dy institucioneve arkivore. Kjo marrëveshje konsiston në këmbimin e dokumenteve me rëndësi historike për të dy vendet. Një mori dokumentesh janë marrë dhe nga arkivat e Malit të Zi, që datojnë nga fundshekulli i 17-të deri në atë të 20-të, e që hapin dritare mbi sundimin e Pashallëkut të Shkodrës. Për Ndoin, një pjesë e mirë e historisë sonë vazhdon të flerë në arkivat e huaja, dhe ardhja e tyre është jo vetëm një pasurim për arkivin, por dhe një ndihmesë për ta parë ndryshe historinë. Në më shumë se dy vjet në krye të arkivave, ai thotë se e ka përqendruar vizionin te raportet ndërkombëtare, pasi detyra e një arkivi është pikërisht pasurimi i tij me dokumente. “Nga ana tjetër, ulja e tarifave të shërbimit, rritja e normave profesionale te punonjësit, si dhe shkurtimi i afatit të përgjigjeve për kërkesat e qytetarëve nga 90 ditë në 22, është një tjetër punë e realizuar këto kohë”, thotë Ndoi.

"Shqip"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.