Bojkoti i PD-së thyhet që pa nisur. “Do jem në Parlament, pavarësisht vendimit që do të merret”
Deputeti i Partisë Demokratike, kryetar i partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka dhënë sot një intervistë gazetës “Shekulli” ku ka folur edhe për idenë e bojkotit të Parlamentit që është hedhur së fundmi. Shehi pranon se ka shumë presion brenda Grupit Parlamentar për të kaluar në politikën e bojkotot, por që siç shprehet ai, personalisht nuk do ta ndjekë këtë vijë. “Sigurisht që do të jem në Parlament, pavarësisht se çfarë vendos PD-ja. Por deri të enjten e ardhshme mendoj se dhe opozita do të reflektojë dhe do të kthehet në Parlament për të vijuar përballjen. Ne e bëmë bojkotin para një viti për t’iu afruar ligjit të dekriminalizimit, tani që ligji është bërë dhe pritet të zbatohet, nuk kemi pse të nisim të njëjtin avaz të bojkotit për një gjë që ka kaluar dhe është në proces”, thotë Shehi. Sipas tij personi që po ushtron presion është Sali Berisha, një pohim ky që konfirmon ndarjen brenda partisë më të madhe të opozitës. “Presioni po ushtrohet nga Berisha dhe të tjerë, pasi sipas tyre kjo është rruga më e mirë për të fituar pikë...Nuk e di ku është leverdia për të dalë jashtë Parlamentit? Përgjigjen e kësaj pyetje nuk e kam kuptuar ndonjëherë”, vijon Shehi. Sipas tij mendimet që PD-ja të rikthehet në duart e atyre që e kishin deri në vitin 2013 do të dëmtonte shumë atë si parti. Sipas tij, Lulzim Basha e ka krijuar një identitet dhe profil të vetin dhe një hap mbrapa është thuajse fatal për opozitën.
Add new comment