600 milionë euro kredi e pakthyeshme, qeveria me plan veprimi për ristrukturimin ose falimentin e 35 kompanive të mëdha
Qeveria shqiptare në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë do të ketë në fund të muajit mars një plan veprimi për 35 korporatat të cilat bartin 65% të kredive me probleme. Qeveria ka bërë të ditur para FMN-së se plani parashikon ristrukturim ose falimentim. “Me asistencën teknike të Bankës Botërore dhe FMN-së, Ministria e Drejtësisë do të paraqesë ligjin e ri falimentimit në parlament deri në fund të qershorit 2016. Ai do të përfshijë praktikat më të mira ndërkombëtare, me të cilin do të lejojë miratim të përshpejtuar të riorganizimit të planeve. Deri në fund të shtatorit të vitit 2016, do të paraqiten në Parlament ndryshimet e Kodit të Procedurës Civile dhe Ligji për përmbaruesit private , me të cilat synohet rritja e efikasitetit të proceseve gjyqësor, mbledhjes me forcë të detyrimeve. Ministria e Ekonomisë që është në rolin e koordinatorit për zbatimin e planit, në krye të 13 masave ka vënë miratimin në Kuvend të projektligjit të ri të falimentit, me anë te të cilit më pas do të nisë trajtimi i 35 korporatave. Ligji i ri po hartohet për t’i dhënë zgjidhje pikërisht korporatave të mëdha, të cilat tashmë kanë shpallur pazotësinë për të paguar kreditë bankare, të cilat kapin vlerën e 600 milionë eurove”, rapoton “Monitor”. Pas këtij hapi, do të jenë bankat ato që do të analizojnë bilancet e kompanive, që nisur nga situata ku ndodhen, pritet të shkojnë drejt falimentit në masën 50%. Ky është një zhvillim që parashikohet të hapë rrugën e kreditimit në ekonominë shqiptare, që mbetet shumë i ulët, pavarësisht se qeveria shqiptare deklaron se shleu borxhin prej 700 milionë eurosh që u kishte privatëve për punë të ndryshme. Duke qenë se disa prej kompanive kanë mbijetuar falë parave të ardhura për punë publike, e nevojshme do të ishte edhe një shtrëngim në procedurat e prokurimit.
Comments
Mendoj se keto kredi,
Mendoj se keto kredi, sikunder eshte vepruar edhe here tjeter, do te vidhen, dhe do te lene per kolateral, disa prona qe nuk i duhen asnje njeriu.
Add new comment